Pas zgjedhjeve parlamentare në Spanjë është tërësisht e hapur, se kush do ta qeverisë vendin në të ardhmen. Megjithatë qysh tani po duket një sinjal pozitiv. Spanjollët duan më shumë demokraci, mendon Gemma Casadevall.
Për herë të parë prej dekadash Spanja në ditën e parë pas zgjedhjeve parlamentare zgjohet pa e ditur, se kush do ta qeverisë vendin në vazhdim. Që nga viti 1983 vazhdimisht ka ndodhur që njëra nga dy partitë e mëdha ka pasur shumicën absolute pas një zgjedhjeje parlamentare.
Para katër vjetësh ishin konservatorët e “Partisë Popullore” (PP, “Partido Popular”) me kryeministrin Mariano Rajoy në krye – me rezultatin më të mirë në historinë e partisë së tyre. Tani PP nga 45 përqind ka rënë në 29 përqind të votave.
Nga ana tjetër zgjedhësit nuk i dhanë vota për një shumicë parlamentare të aftë për krijimin e qeverisë as “Partisë Socialiste të Punëtorëve të Spanjës” (PSOE, “Partido Socialista Obrero Español”), ajo mori vetëm 22 përqind – pas kuotës 29 përqind, që kishte nga zgjedhjet e kaluara.
Fantazma e pamundësisë për qeverisje
I mundshëm do të ishte ndërkohë një koalicion me bazë të gjerë ose një konglomerat i përbërë nga PSOE, Podemos dhe të tjera parti të dala pas shkëputjeve në spektrin e majtë. Kjo për faktin, se as partnerët e mundshëm të koalicioneve nuk kanë marrë sa duhet mandate parlamentare për të kurorëzuar si kryeministër njërin prej kandidatëve kryesorë të dy partive të mëdha. Për PP do të ishte si partnere e mundshme koalicioni lëvizja liberal-konservatore Ciudadanos (“Qytetarët”), për PSOE lëvizja e majtë Podemos (“Ne mundemi”).
Të dyja partitë janë të reja në peizazhin politik të Spanjës dhe ato përfaqësohen për herë të parë në parlamentin kombëtar spanjoll – e madje me shumica të konsiderueshme mandatesh: 21 përqind për Podemos dhe 14 përqind për Ciudadanos. Fantazma e pamundësisë për qeveriesje, që qarkullonte qysh gjatë luftës elektorale, tashmë është bërë realitet.
Përvoja nuk mjafton
Shmangia e kësaj fantazme do të kishte qenë detyra e 60 vjeçarit Mariano Rajoy, i cili e drejtoi partinë e tij PP për të katërtën herë në zgjedhjet kombëtare. Megjithatë përvoja e tij nuk mjaftoi për t’i bërë ballë këtij momenti, që solli në luftë elektorale tre sfidantët e rinj të tij. Kandidati 43 vjeçar i PSOE Pedro Sánchez është më i vjetri ndër ta. Por në radhë të parë kryetari i Podemos, 37 vjeçari Pablo Iglesias dhe Albert Rivera i Ciudadanos në moshën 36 vjeçare u futën në luftë elektorale me synimin që t’u japin fund raporteve të vjetra të pushtetit. E ata ia arritën këtij qëllimi.
Vota kundër korrupsionit
Në ditën e zgjedhjeve para katër vjetësh zgjedhësit e rraskapitur prej krizës i dhanë shumicën absolute një kandidati të PP-së, për të cilin e dinin se do t’i shkurtonte shërbimet sociale. Por pavarësisht shkurtimeve kriza ende nuk është kapërcyer. Sidoqfotë nuk është papunësia e lartë e vazhdueshme, që i kushtoi me vota Rajoy-t dhe PP-së së tij, por është seria e pafund e skandaleve të korrupsionit në “Partinë Popullore”.
Edhe nëse ka pasiguri, që krijuan spanjollët natën e zgjedhjeve, ka diçka që ia vlen të theksohet, sepse ata dhanë një sinjal pozitiv: Shumë prej tyre e kanë dhënë votën kundër strukturave të kalçifikuara të partive të etabluara dhe për më shumë demokraci e shtet ligjor.dw
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/