Paketa fiskale që u miratua në Parlament javën që shkoi pësoi disa ndryhsime përgjatë debatit në kohën nga miratimi në parim deri në miratimin e saj nen për nen.
Më poshtë janë të përfshira të gjithë ndryshimet
1 – Taksa e truallit
Kjo taksë tani ndahet në dy kategori, sipas përdoruesve të truallit. Kështu, për qëllime banimi nga individët, niveli tregues i taksës mbetet i njëjtë si në projektligj, duke mbështetur argumentin që synimi i kësaj takse është për qëllime statistikore. Niveli i taksës është: 0.56; 0.42; 0.28; 0.14 lekë për metër katror në vit, në varësi të kategorizimit të bashkive. Në rastet e përdorimit për qëllime biznesi, taksa e truallit propozohet të jetë më e lartë: 20, 18, 15 apo 12 lekë/ m2/vit, në varësi të kategorizimit të bashkive, i cili mbetet i njëjtë si në projektligj.
2 – Taksa për zënien e hapësirës publike
Baza e taksës për zënie të hapësirave publike është sipërfaqja në metër katror që vihet në shfrytëzim nga subjekti për ushtrim aktiviteti. Mbështetur në propozimin e Shoqatës së Bashkive, u propozua që taksa e zënies së hapësirave publike të riklasifikohet si tarifë. Kjo për arsye se zënia e hapësirave publike për qëllime biznesi është qiradhënie dhe jo taksë.
3 – Taksa e tabelës
Kuvendi i Shqipërisë ka propozuar disa ndryshime, që lidhen me taksën e tabelës. Për të vendosur një nivel takse në përputhje me qëllimin e saj, taksa e tabelës për qëllime identifikimi detajohet në: i) Tabelë për qëllime identifikimi, deri në 2 metra katror. Niveli i taksës bëhet zero dhe, ii) Tabelë për qëllime identifikimi mbi 2 metra katror. Niveli i taksës bëhet 45.000 lekë/m2/vit. Ligjvënësi ka propozuar që për tabelat elektronike, niveli i taksës dyfishohet.
Për të qartësuar subjektet paguese të taksës së tabelës për qëllime reklamimi, referuar ndryshimeve në mënyrën e ushtrimit të aktivitetit reklamues, saktësohen në ligj kategoritë e reklamave të lëvizshme dhe të palëvizshme.
4 – Taksa e ndërtesës
Do të përgjysmohet taksa për ndërtesat që përdoren për veprimtari prodhuese, niveli i të cilave nga 400, 300 dhe 200 lekë/m2 në vit që është aktualisht, ulet në 200, 150 apo 100 lekë/m/në vit, në varësi të zonës përkatëse. Po njëlloj përfshihet në ligj kategoria e taksave “Ndërtesa në pronësi apo në përdorim, në territore të miratuara si fshatra turistike, me nivel takse 400 lekë/m2 në vit”.
5 – Taksa e fjetjes në hotel
Për hotel me 4-5 yje, sipas bashkive, taksa do të jetë: 200, 100 apo 80 lekë për natë fjetje; Për njësi akomoduese si bujtinë, fjetinë, motel dhe çdo njësi tjetër akomoduese, sipas përcaktimeve të ligjit për turizmin, taksa e fjetjes në hotel është propozuar të jetë 100, 50 apo 35 lekë për natë fjetje, në varësi të zonës ku ndodhen.
6 – Taksa e ndikimit në infrastrukturë
Aktualisht kjo taksë llogaritet mbi vlerën në lekë të investimit të ri, që kërkohet të kryhet. Niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe është 1 deri në 3 për qind e kësaj vlere, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 deri 4 për qind e saj. Është propozuar që të bëhet një shtesë, sipas së cilës në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo për përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 4% deri 8% të çmimit të shitjes për metër katror. Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të tregut sipas përcaktimeve të udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
7 – Taksa e automjeteve të luksit
Që një automjet të jetë luksoz, ai duhet të plotësojë njërin prej kushteve: i) cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm2 (sipas projektligjit) ose, ii) vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 7 milionë lekë (sipas kushtit të dytë, të propozuar nga deputetët). Kanë ndryshuar gjithashtu edhe rregullat për pagesën dhe vjeljen e taksës për automjetet luksoze, sanksionet përkatëse, si dhe rastet e përjashtimit nga kjo taksë. Taksa vjetore e regjistrimit te mjeteve luksoze është e vlefshme për 365 ditë. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.
8 – Rimbursim akcizës për biokarburantet në sektorin e transportit
Ligjvënësit propozuan që rimbursimi i akcizës së paguar për biokarburantet që përdoren në sektorin e transportit të jetë, jo vetëm për biokarburantet e prodhuara në vend, por edhe për ato që importohen. Sipas tyre, kjo synon të krijojë mëshumë hapësira fiskale, të cilat shërbejnë si nxitje për liberalizimin e tregut të biokarburanteve në sektorin e transportit, në favor të përmirësimit të mjedisit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/