Kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj denoncoi atë që ai e quan si “pakt me krimin” të kreut të qeverisë Rama, pavarësisht se vetëm pak ditë më parë është miratuar me konsensus të gjerë ligji për dekriminalizimin.
“Me gjithë marrëveshjen e arritur për dekriminalizimin, Edi Rama po vazhdon paktin me krimin, duke inkriminuar të gjitha hapësirat që nuk i mbulon dot ligji. Ai ka emëruar në krye të Partisë Socialiste në Shkodër një bandit të njohur, një autor vrasjeje. Edi Rama ia ka besuar Partinë Socialiste në këtë zonë Martin Cubit, i cili kur ishte kryetar komune, më 27 prill të vitit 2009 ka vrarë një shtetas. Ky person problematik, njihet nga të gjithë për aktivitetin kriminal dhe për rrezikshmërinë shoqërore që paraqet”, denoncoi Alibeaj.
Në deklaratën e tij pasuan edhe akuzat politike për mosmbajtje premtimesh ndaj qytetarëve të vendit, përveç paktit me krimin – siç e cilëson ai, – me të cilin nuk mund të ndahet dhe që e ka përmbushur më së miri deri më tani.
“Kjo është skema, që Edi Rama po aplikon me të gjithë banditët dhe trafikantët e tij, që dekriminalizimi do t’i largojë nga postet publike. Ata po gjejnë strehë te partia e Ramës, për të dhënë kontributin e tyre kriminal në zgjedhjet që po vijnë. Sfida që i bën Edi Rama dekriminalizimit, kërkesës dhe nevojës urgjente për t’u ndarë nga sundimi i krimit, është e sigurtë që do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët, të majtë e të djathtë, pa dallim. Partia Demokratike shpreh bindjen se, edhe socialistët e ndershëm do të refuzojnë me përbuzje kthimin e forcës së tyre politike në inkubator të krimit”, deklaroi Alibeaj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/