Lu bashkëbisedon në FB: Gjelat e Detit s’mund të zgjedhin për Krishtlindje,...

Lu bashkëbisedon në FB: Gjelat e Detit s’mund të zgjedhin për Krishtlindje, ashtu edhe të korruptuarit s’mund të luftojnë korrupsionin

67
0
Shares

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, komunikoi sot me qytetarët përmes rrjetit social Facebook mbi korrupsionin dhe reformën në drejtësi, duke iu përgjigjur një numri të madh pyetjesh të tyre.
Ai shprehu shpresën se gjërat po ndryshojnë në lidhje me korrupsionin, dhe se njerëzit janë të lodhur dhe duan të shohin ndryshime; nga dekriminalizimi i parlamentit, deri tek reforma gjyqësore, tek transparenca financiare e partive politike për të parandaluar blerjen e votave.
Ambasadori Lu tha se korrupsioni nuk luftohet nga ata që e krijuan atë, por nga njerëzit normalë, që votojnë, që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla, në organizatat joqeveritare, universitete dhe media, sepse politikanët nuk duhen lejuar të kontrollojnë nismën anti-korrupsion.
Zoti Lu tha se në bisedat me qytetarët shqiptarë se ndryshimi i Shqipërinë do të fillojë me ligje të reja – për dekriminalizimin, Zyrën Kombëtare te Hetimeve dhe reformën e gjyqësorit.
“Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht – theksoi ambasadori amerikan. – Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga parlamenti dhe nga detyrat vendore. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre”.
Ambasadori Lu theksoi se sistemi i kontrollit dhe balancës funksionon dobët dhe se institucionet me më shumë nevojë për reforma janë sistemi gjyqësor dhe parlamenti.
Ai tha se miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të largojë shumë prej politikanëve me precedentë penalë.
Ambasadori Lu ra dakord me qytetarët se edhe vetë partive politike u duhet reformë për t’u bërë më demokratike, sepse udhëheqësit e partive mund të marrin të gjitha vendimet pa konsultim apo zgjedhje.
B.E.-ja po ashtu i ka kërkuar Shqipërisë të bëjë progres kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore përpara fillimit të negociatave.
Zyrtarët e korruptuar janë ata që nuk e bëjnë punën e tyre, tha ambasadori Lu, ata nuk e mbështesin reformën, dhe që kalojnë gjithë kohën e tyre duke vjedhur paratë e taksave.
Diplomati amerikan theksoi që shqiptarët duhet të kenë shpresa që reforma në drejtësi është e mundur, sepse ata po ndihmohen nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
“Kini besim. Ndryshimi po vjen” – theksoi ambasadori amerikan Lu.
Në konferencën kombëtare gjyqësore dje diplomati amerikan tha se gjendja me gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë është e patolerueshme, ndaj reformat po largojnë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar dhe se kjo gjë është kritike për të ardhmen e vendit.
Sipas tij, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japin llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre.
Shumë shqiptarë janë të irrituar nga korrupsioni, por nuk duhet të dorëzoheni.
Ndryshimi është i mundur sepse populli po e kërkon atë, tha ambasadori amerikan, po kërkon veprime të prera kundër korrupsionit dhe reformë në sistemin e drejtësisë.
I pyetur për protestën e 8 dhjetorit ambasadori Lu tha se gjatë protestës u hodhën gurë dhe vezë mbi Kryeministrinë, policët dhe në tre ministrive. Dhe bunkerit iu vu zjarri.
“Përdorimi i këtyre taktikave të dhunshme e zbehu kuptimin e vërtetë dhe domethënien e asaj që mund të ishte një demonstratë e madhe dhe paqësore. Përdorimi i dhunës politike nuk përputhet me vlerat demokratike të Shqipërisë, as me angazhimet e saj në NATO”, tha diplomati amerikan.
Ai theksoi se pasuritë e ministrave dhe parlamentarëve duhet të bëhen publike çdo vit në mënyrë që partitë politike dhe politikanët të përmirësojnë transparencën në Shqipëri.

Bashkëbisedimi
I nderuar Ambasador ju po flisni me emra konkret dhe po konstatoni realitetin e hidhur Shqiptar, por pyetja ime eshte se si mund te shkojm nga konstetimi te veprimi ? Sepse tiu kerkosh te korruptuarve te denojne veten e vet eshte problem i madh kush do jete ajo formul magjike qe ti japi goditjen e forte qe ta rrezoj kete struktur kriminale qe egziston ne Shqiperi !!
Lu:
Pyetje shume e mire. Ndryshimi i Shqipërinë do të fillojë me ligje te reja – për dekriminalizimin, Zyren Kombëtare te Hetimeve, dhe reformën e gjyqësorit. Por vetëm ligjet nuk do të ndryshojnë Shqipërinë. Implementimi është puna e vështirë. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të ndiqen penalisht. Politikanët e inkriminuar duhet të hiqen nga liderët e partive politike, nga parlamenti dhe nga pozicionet lokale. Ministra të korruptuar, të mëparshëm dhe të tanishëm, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre. Populli shqiptar duhet të kërkojë që kjo të ndodhë.

Pershendetje Z .Lu. Ne Shqiptaret nuk duam korrupsion. Por jemi te detyruar te paguajme, i tille eshte sistemi qe ka ngritur politika hajdute per 25 vite ne Shqiperi. Korrupsioni te ne eshte si ajsbergu qe i duket vetem pjese siper. Por problemi eshte me i madh nga sa e mendojme ne. Pyetja ime eshte; A mund ta shkulin pemën e korrupsionit ata qe e mbollen. Kjo pemë per ta sjell pushtet fuqi pasuri ne kurriz te shqipetareve te ndershem.
Lu:
Shpetim: Korrupsioni nuk ka nevojë të luftohet nga ata që e krijuan atë. Korrupsioni duhet të luftohet nga njerëz normalë. Njerëz normalë që votojnë. Njerëz normalë që punojnë në biznes, në qeveri apo në shkolla. Njerëz normalë që punojnë në OJQ-ë, universitete dhe media. Mos i lejoni politikanët të kontrollojnë nismën anti-korrupsion.

Mire zotnia do pergjigjet po korrupsjonin kush do ta luftoj ne kte vend?
Lu:
Ti do ta luftosh! Dhe tre milionë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kjo nuk është një luftë për të huajt apo politikanët. Kjo duhet të jetë një luftë e qytetarëve të rregullt.

Zoti Ambasadador, Amerika ka sjelle demokracine ne shume vende te botes perse ketu ne Shqiperi, Amerika eshte indiferente per korrupsionin e larte nga vete deputetet e shqiperise dhe ju heshtni dhe populli shqiptare vuan nga skamja dhe varferia a eshte kjo demokracia qe ne shqiptaret kemi kerkuar faleminderit dhe prese pergjigje me respekt, Ardian Elezi Gramsh Shqiperi.
Lu:
Shtetet e Bashkuara sigurisht promovojnë demokracinë duke zhvilluar OJQ-të, partitë politike dhe mediat. Ne gjithashtu inkurajojmë vendet për t’u marrë seriozisht me korrupsionin e nivelit të lartë. Në Shqipëri, ne kemi punuar me të dyja palet, qeverinë dhe opozitën për të hequr anëtarët e parlamentit dhe kandidatët për kryetarë të komunave apo bashkive me rekorde në arrestime dhe dënime penale. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit do të rezultojë në largimin e shumë prej këtyre politikanëve me precedentë penalë.

Pershendetje Z. Ambasador Lu! Ju pergezoj pa mase per fjalimet pa dorashka dhe perplasjen ne fytyre te realitetit qe Ju i beni politikes dhe politikaneve shqiptar. Ne lidhje me korrupsionin une mendoj se nje nga menyrat per ta luftuar ate eshte rritja e rrogave per te gjitha ato pozicione qe jane me shume te ekspozuar ndaj korrupsionit. Pyetja ime konsiston: A mendoni se me keto politikane qe kemi ne, do arrjim ta luftojme korrupsionin dhe te anetaresohemi ne BE ne 5 vitet e ardhshme apo jo? Faleminderit!
Lu:
Kjo është një pyetje e mirë. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtarë të BE-së kështu që unë nuk e di se sa e mundshme është që Shqipëria do të futet në BE së shpejti. Ajo që unë di është se BE-ja është serioze në lidhje me kërkesat që Shqipëria të bëjë progres kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformën gjyqësore përpara fillimit të negociatave. Dhe po, ju keni të drejtë se pagesa me rroga te arsyeshme është një pjesë e rëndësishme e luftës kundër korrupsionit.

Zoti Ambasador në shtetet në gjendje luftë shpesh shpërnguljet janë shumë të mëdha. Shqipëria nuk është në luftë mirëpo të larguarit janë kaq shumë njësoj si në luftë Çfarë mendimi keni për këtë fenomen. Dhe e dyta nëse ju keni informacione të klasifikuara dhe unë besoj se keni për politikanë gjykatës apo biznesmen me ndikim të cilët kanë vjedhur apo vrarë për tu pasuruar a do t’i publikoni ato në ndër të shqiptarëve pas bërjes së reformës në drejtësi?
Lu:
Përshëndetje Flori, pyetje e mirë. Unë e di se shqiptarët janë të zgjuar. Unë jam i sigurt se ata mund të kuptojnë se cilët janë zyrtarët e korruptuar dhe kriminalë. Ata janë ato ose ata që nuk e bëjnë punën e tyre. Ata nuk e mbështesin reformën dhe ata nuk kanë arritur asgjë në pozicionet e tyre. Ata janë ata ose ato te cilët kalojnë gjithë kohën e tyre duke vjedhur paratë tuaja.

Z,Ambasador LU! Ju pergezoj per mesimin e gjuhes shqipe, ne lidhje me luften kunder korrupsioni: A mendoni se duhet nje sistem i integruar Dixhital ne te gjitha institucionet qe tu vihet ne sherbim qytetareve per te ulur nivelin e korrupsionit ne shqiperi? Zoti ju bekofte JU dhe SHBA-ne
Lu:
Lazer, sygjerimi juaj është i shkëlqyer. Jam dakord me ju, qasja online ndaj informacionit dhe shërbimeve është një nga mënyrat më të mira për të luftuar korrupsionin në nivelin kur qytetarët e zakonshëm kërkojnë shërbime zyrtare. Ekziston një nismë, e mbështetur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Ministria shqiptare për Teknologjinë dhe Inovacionin, e cila quhet Open Government Partnership (Partneritet i Qeverisjes së Hapur) dhe që përpiqet të përhapë këtë teknologji midis qeverisë kombëtare dhe vendore.

Z. Ambasador përshëndetje! Edhe 15 vite dhe të dy periudhat ajo komuniste dhe e demokracisë hibride barazohen. Sigurisht periudhat nuk mund të krahasohen për avantazhet dhe disavantazhet me njëra-tjetrën por desha të di a kanë konkurrentë politikanët tanë diku në vende të tjera lidhur me mënyrën se si bëjnë korrupsion? A do të ishte e mirë një levizje e shoqërisë civile ajo që mund të merej me publikimet e pronave të politikanëve, gjyqëtarëve dhe prokurorëve në vend tëpëfituara prej korrupsionit?
Lu:
Xhev, faleminderit për sygjerimin tuaj. Është normale në shumë demokraci, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që pasuritë e ministrave dhe parlamentarëve të bëhen publike çdo vit. Ne e kemi sygjeruar këtë si një nga mënyrat më të rëndësishme me anë të së cilës partitë politike dhe politikanët mund të përmirësojnë transparencën në Shqipëri.

Z. ambasador ,25 vite demokraci kane kaluar mendoni qe shqipetaret sot jane me mire se ne vitet e komunizmit, dhe doja te Dija qe politika shqipetare do kete edhe ajo gjykimin e saj ne gjykate per rastet e shumta qe ka, Doja te citoja qe Shqiperia me shqipetaret nuk behet. Faliminderit!
Lu:
Gramoz, mendoj që shumë njerëz e bëjnë këtë pyetje. Kam lexuar një studim së fundmi sipas të cilit Shqipëria dhe një nga vendet Balltike ishin të vetmet vende ish komuniste që kanë të ardhura më të larta tani krahasuar me vitin 1991, kur komunizmi u rrëzua në pjesën më të madhe të Europës. Unë nuk kam jetuar kurrë në një vend komunist, por nga historitë që më kanë treguar miqtë e mi shqiptarë të cilët kanë jetuar nën regjimin e diktatorit Enver Hoxha, nuk mund të ketë krahasim me kohën e komunizmit. Cilado qofshin sfidat dhe vështirësitë e kohëve të sotme, ju keni sigurinë se çdo shqiptar sot gëzon liritë dhe privilegjet themelore të cilat në kohën e komunizmit as nuk i kishin ëndërruar.

Zoti ambasador, shqipetaret kane shum besim tek ty por kur te shofim se me cilin do ta beni dhe uleni ne tryezen per reformen ne drejtesi te lene shum per te deshiruar nuk mundet te behet reform me trrajen rakipin dhe te tjer ato jan figura shum te korruptuara ne Shqiperi nuk mundet te beni reformen te hiqen ca te korruptuar dhe te vendosen disa me te korruptuara si Traja e Rakipi nuk eshte zgjidhje kjo. Po nuk ndryshuan kodin penal qe eshte si pacavure arrna arrna nuk ka zgjillje te behet nje kod i ri i nje shteti perendimor qe korupsioni mos te denoet me muaj po te behet sic e keni ju ne amerike qe e denoni njezet vjet atehere do shifni do guxoj njeri te bej korrupsjon, nje njeri i thjesht kapet duke vjedhur nji mi ose dhjet mi ljon lek ose duke bere nje pune tjeter kunder ligjit denohet dhjete vjet ose me shum kurse kur organet shteterore vjedhin nje ose dhjete ose njeqint miljard lek ato jane shum te nderuar dhe te respektuar se edhe po u kapen nuk bejne me shum se nje vit burg se ne burg rrine te varferit dhe viktimat keshtu eshte ne Shqiperi zoti ambasador Lu
Lu:
  është e vërtetë që dënimi për korrupsion në Shtetet e Bashkuara është shumë i ashpër. Unë mendoj që shqiptarët duhet të kenë shpresa që reforma në drejtësi është e mundur. Sot ka një dialog publik të vërtetë. Ju po merrni ndihmë nga miqtë tuaj në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Kini besim. Ndryshimi po vjen.

PYETJA IME ESHTE : KUR DO KEMI DREJTESINE REALE DHE TE PAVARUR NE SHQIPERI? Korrupsioni luftohet vetem me ndershkim dhe kete e bejne vetem prokuroret dhe gjykatat e pavarura. Faleminderit!
Lu:
Dritan, institucionet e pavarura janë jetike për balancimin e pushtetit në çdo qeveri. Në të njëjtën kohë, gjykatësit dhe prokurorët duhet të japing llogari për krimet që mund të kryejnë apo për çdo lloj abuzimi me pushtetin e tyre. Zgjidhja që është përfshirë në reformën aktuale në drejtësi, është ngritja e këshillave gjyqësorë dhe të prokurorisë, të përbërë nga anëtarë të shoqërisë civile dhe me shumicën gjykatës e prokurorë, të cilët do të propozojnë, promovojnë apo largojnë gjykatës dhe prokurorë. Ky është një ekuilibër shumë delikat.

Pershendetje Z/Ambasador.
Meqenese ju flisni shqip e keni me te theshte te kuptoni te vertetat e Shqipetareve.
Korrupsioni ne Shqiperi eshte problem i kthyer tashme ne “normale” dhe pershtypje bejne vetem ata qe nuk i nenshtrohen ketij normaliteti dhe rrjedhimisht duke”rene ne sy”nxirrenjashte nga ky sistem.
Pyetja ime eshte, a mundeni ju te nxisni dhe perkrahni njerezit qe nuk nenshtrohen politikisht ne menyre qe ata minimalisht te krijojne “polin e trete”?
Per mua korupsioni fillon qe ne rekrutimin è pa shmangshem politik te profesionisteve ne te gjitha fushat a ndani ju te njejtin mendim?
Lu:
Anton, kjo është një ide interesante që të ketë një parti politike antikorrupsion. Unë mendoj se është puna e çdo opozite për të kritikuar qeverinë, kur ata kanë prova të korrupsionit. Në kushtet e një partie të veçantë te përqëndruar në anti-korrupsionin, mendimi im është se partitë politike duhet të jenë në favor të diçkaje, jo vetëm kundër diçkaje. Sa për rekrutimin e njerëzve me prejardhje të ndryshme, unë besoj se nëse do të kishim më shumë njerëz të përditshëm në politikë (mësues, shoferë taksie, punëtorë të fabrikave, etj) ne do të kishim më pak korrupsion në politikë. Unë jam në favor të rekrutimit të udhëheqësve nga njerëz nga të gjitha fushat.

I nderuar Z.Ambasador!
Le ta konsiderojme si te permbushur me sukses misionin e pastrimit te administrates nga te korruptuarit,,,,thelbi i ceshtjes qendron ketu: Hoqem ata, por me ke do ti zevendesojme???!!!!,,,, pergjigja ime: me shqiptare,,,ketu po i referohem thenies se te madhit Faik Konica;”E keqja e Shqiperise jane vete shqiptaret”!!!!!!!!
Lu:
Gjergji, mos e humbni shpresën. Unë njoh shumë shqiptarë të cilët janë të ndershëm, dhe njerëz punëtorë. Për shembull, Shkolla e Magjistraturës prodhon të diplomuar të shkëlqyer që vazhdojnë për t’u bërë gjyqtarë dhe prokurorë. Unë jam i bindur se njerëz të ndershëm dhe të përgjegjshëm mund të gjenden për të udhëhequr Shqipërinë.

Pershendetje z.Ambasador, ju pergezoi perzemersishte per mundesin e shprehjes qe na jepni. Pyetja ime eshte: cfare mund te bejme ne te rinjte,per me shume liri politike,dhe drejtesi sociale? Ne nje vende si shqiperia ku liria politike nuk ekziston,dhe per pasoje lind korrupsioni zhdrejtesia sociale,prodhimi kriminalitetit etj. Miqesishte, Redoni
Lu:
Redon, unë besoj se gjëja më e mirë qe nxënësit mund të bëjnë është që të kene pritshmeri të mëdha – për udhëheqësit e tyre, komunitetet e tyre dhe veten e tyre. I jam shume i lumtur kur takoj të rinj, sepse ata janë të padurueshëm për ndryshim. Ata duan që vendi i tyre të ketë të njëjtën ekonomi dhe politikë si në vendet më të zhvilluara të Europës. Dhe ata e duan këtë menjëherë. Ata kanë të drejtë dhe duke kërkuar këtë ata do ta çojnë Shqipërinë në një të ardhme më të mirë.

Ne Shqiperi dihet qe KORRUPSIONI ka shkuar ne majat md te larta.Po njekohesish dihet se nga ka ardhur, nga pertej kufijve te Shqiperise.Por kam nje pyetje, nese me pergjigjet Z.Lu, apo nje tjeter, kam shkruajtur disa here por skam mare pergjigje.Po ne administraten e ambasades qe punojne shqiptare, a ka korrupsion?.Une them se po.A e deklatojne pasurine punonjesit e zyres se prokurimeve?, une them qe jo. A duhet qe keta punonjes te deklarojne pasurine, une them se duhet.
Lu:
Unë mendoj se ka korrupsion në administratë, në parlament, në gjykata dhe në media. Pyetja e vërtetë është çfarë mund të bëjmë ne që të heqim personat e korruptuar dhe për të parandaluar personat e korruptuar të hyjnë këto institucione. Deklarimi i pasuroive është një mjet. Një tjetër është auditimi ndërkombëtar i institucioneve, partive politike, mediave dhe OJQ-ve. Së fundi, gazetaria e mirë investigative është një mjet i rëndësishëm për të zbuluar korrupsionin.

Zoti Ambasador, kur do kete drejtesi vendi yne, prokuroria, gjykata e koruptuar, shendetesia nuk funksonon, arsimi, i dobet administrata, jashte funksionit hipoteka, e korruptuar pronat, kur do te jene te pronari legjitim, 25 vjet zvaritje neper gjyqe , cdo institucion, shteteror, eshte i koruptuar ,gangren, e shoqerise, shqiptare
Lu:
Aleksi, unë shpresoj që në vitin 2016, ju dhe çdo qytetar tjetër shqiptar, do të shihni zbatimin e reformës në drejtësi dhe nisje e ndryshimeve të vërteta. Do të duhet kohë për të larguar të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe zyrtarët e korruptuar, por ndikimi shtrëngues i reformës kryesore do të nisë menjëherë. Menjëherë ju do të shihni gjykatës, prokurorë dhe zyrtarë që do të kenë frikë nga pasojat e marrjes së rryshfetit. Unë shpresoj që ky ndryshim të vijë shumë shpejt.

Ju pergezoj per temen. Korrupsioni i politikes po varferon taksa-paguesin dhe po detyron qytetaret te emigrojne pa kthim. Ne keto 25 vite tranzicioni te pa- kuptimte, SHqipetareve po ju zhvleresohen Pronat dhe Jetesa. E vertete este ,Eksperimenti i 25 viteve i ka kthyer Qytetaret ne piken 0.
Lu:
Artan, faleminderit për komplimentin. Unë jam i gëzuar që ju e etiketoni veten tuaj si një pagues taksash. Patriotët e vërtetë i paguajnë taksat.

Z.Ambasador je njeri i shkelqyshem,me pelqen jashte zakonisht nderyrjet e tua ne politiken Shqiptare je shume orgjinal dhe i pa kursyer,nderimet e mia suksese ne punen tuaj Usa.
Lu:
Doni, jeni shumë i sjellshëm. Ne jemi të kujdesshëm dhe nuk përmendim emra, përveçse në rastet kur jemi të sigurtë mbi aktivitetin e kriminal apo dënimet e tyre. Ne e marrim seriozisht respektin që kanë shqiptarët për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi dhe pa kursyer askënd.

Donald Lu dua tju pergezoj per kontributin tuaj ne jeten politike e sociale Shqipetare! Dhe gjithashtu per paanesin qe po tregon, duke denoncuar cdo parregullsi dhe cdo pseudopolitikan me nje te shkuar kriminale! Zoti Lu mua me duket e pamundur qe nje grup te korruptuarish, vjelles e ne disa raste edhe kriminela pa bere pergjithsime, mund te votojne nje Reformen ne Drejtesi, pa u sigurur qe kjo reform sdo preki interesat e tyre dhe vete ata?!
Lu:
Denis, ndryshimi vjen nga qytetarët. Një kolegu im nga Uashingtoni tha së fundmi, “Gjelat e Detit asnjëherë nuk kanë të drejtën e zgjedhjes për Krishtlindje”. Me këtë, ai donte të thoshte se ne nuk mund të presim që zyrtarët apo gjykatësit e korruptuar të luftojnë korrupsionin. Me ndihmën e miqve tuaj ndërkombëtarë dhe me komunitetin aktiv të shoqërisë civile në Shqipëri, unë jam i sigurtë që qytetarët e thjeshtë do të mund të sjellin ndryshimin.

TE LODHUR .te rraskapitur e te zhgenjyer ,. por me teper te penalizuar nga guri dhe arra qe ata kane ne duar ,. Forcen ligjin dhe shtetin qe eshte i rrembyer per te na rrembyer e varferuar ne eme r te ligjit ,.. Kush dhe si duhet te ngreje zerin ?? Me forcen qe na ka ngelur menyra eshte si te shpetojme nga rrotat e renda te trenit KORRUPSION , per tu larguar e mos u kthyer me
Lu:
Pano, mos u dorëzo. Ndryshimi po vjen. Të heqësh dorë dhe të largohesh nga atdheu yt nuk është asnjëherë përgjigja e duhur. Bashkohu me shoqërinë civile. Bëhu një gazetar i ndershëm. Bëj punë vullnetare për të mbështetur komunitetin tënd.

Përshëndetje Z. Ambasador! Si shqiptar ju falenderoj për kontributin tuaj në fushën e drejtësisë sepse është pika e kthimit për çdo vend që do të marrë rrugën drejt zhvillimit dhe demokracisë. Pyetja ime është se çfarë është detyra e studentëve që kanë studiuar jashtë shtetit në këtë moment dhe si mund të japim kontributin nga këtu ku jemi ose të kemi rol aktif në këtë periudhë ndyshimesh? Duke pasur parasysh edhe numrin e madh te studenteve qe janë diplomuar jashtë shtetit.
Faleminderit!
Lu:
Indrit: pyetje e mrekullueshme. Unë mendoj se ata të cilët kanë pasur mundësi që të marrin një edukim të shtrenjtë ( përfshirë edhe mua) kanë një detyrim të veçantë për të dhënë përsëri në shoqëri. Unë shpresoj se në çfarëdo komuniteti ku jetoni apo në çfarëdo profesioni që keni zgjedhur, ju po ndihmoni për të krijuar një kulturë të diskutimit aktiv dhe debatit rreth korrupsionit, reformën gjyqësore dhe mënyrat për të përmirësuar Shqipërinë.

Pyetje per korrupsion?? ahhahhahahhahahah ,ne sa me te korruptuar te jene ,me shume i ngreme ne detyre .Qeverisemi nga blloku dhe nga baba Taku …
Lu:
Veronika, është e vërtetë që shumë vende përballen me korrupsionin e lartë, por gjithashtu shumë vende edhe e kanë luftuar korrupsionin në nivele të larta. Zyrtarët e lartë duhet të kenë frikën se mund të përfundojnë në burg. Sot, në Shqipëri, ata nuk kanë frikë se do të hetohen, por nëse reforma në drejtësi do të zbatohet, ata do të kenë frikë.

Pyetja ime është shumë e thjeshtë: Përse po shtyhet reforma?! A ka dijeni “Departamenti i Shtetit” për këtë zvarritje ?! Ju kujtoj që jemi në dhjetor dhe duhet të kishin kaluar ndryshimet kushtetuese.
Lu:
Përshëndetje Martin: Unë nuk mendoj se do të thoja se reforma gjyqësore është vonuar. Kjo është një reformë e rëndësishme dhe komplekse që meriton një bisedë të plotë brenda shoqërisë shqiptare. Kjo kërkon kohë. Unë besoj se Komiteti Ad Hoc ishte e mençur në dërgimin e projekt-amendamenteve të Komisionit të Venecias për komente. Këtë muaj ne presim mendimin paraprak të Komisionit të Venecias. Kjo, e kombinuar me komentet e marra nga 19 tryezat e rrumbullakëta publike, duhet të ndihmojë ekspertët të bëjnë ndryshime për të përmirësuar draftin aktual. Unë shpresoj se në pranverë do të shohim këtë grup të ligjeve dhe ndryshimeve kushtetuese të miratuara.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY