“Na zunë në befasi dhe na thanë se ishin Policia e Shtetit. Të gjithë ishin me uniforma të policisë, ndaj edhe ne i ulëm armët”.
Ky është rrëfimi i rojeve të “rogat security” të cilat shoqëronin 3.8 milionë euro që u vodhen dje në aksin Tiranë-Rinas.
Rojet kanë thënë se një automjet tip fuoristradë u shfaq fillimisht në krah të tyre dhe pasi i parakaloi u zuri rrugën në mënyrë të befasishme, duke i detyruar që të frenojnë.
Automjeti i blinduar, që po transportonte paratë, ishte i pari në autokolonën e sigurisë së policisë private.
Menjëherë pas bllokimit të rrugës, rojet që ishin në të kanë dalë jashtë të armatosur. Por kur panë nga fuoristrada të dilnin persona me uniformën e policisë ata kanë hezituar, shkruan Panorama.
Pasi u thanë se ishin nga policia, rojet ulën armët, ndërsa grabitësit u sulën me shpejtësi drejt tyre duke i goditur me mjete të forta.
Madje, njërit prej rojeve, ata i morën automatikun me të cilin shtinë edhe në ajër, duke i detyruar të tjerët që të shtriheshin në tokë.
Më pas, grabitësit hapën derën e djathtë të furgonit të blinduar dhe kanë marrë katër thasët me para. Pas kësaj u larguan me shpejtësi nga vendngjarja me automjetin që u gjet i djegur.
Mjeti rezulton i çregjistruar nga pronari i mëparshëm. Policia për supervjedhjen ka arrestuar vetëm 6 rojet e sigurisë, të cilët janë Artan Mane, Eduart Metollari, Niko Prifti, Agron Lloha, Agron Ademi dhe Alban Sharra.
Ditën e nesërme, këta do të dalin që të gjithë përpara Gjykatës së Tiranës, për t’u njohur me masën e sigurisë dhe akuzat.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/