Asambleja e Profesioneve te Lira të Shqipërisë ku bëjnë pjesë organizata të avokatëve, noterëve, dentistëve, farmacistëve etj i ka kërkuar nëpërmjet një letre partive politike, parlamentit dhe qeverisë sot që të pengohet rritja e pagesës së detyrimeve për nivelet maksimale të pagës për këto profesione.
Letra përcjell shqetësimin e vet në lidhje me ndryshimet ligjore të propozuara nga Këshilli i Ministrave për ndryshimin e ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si dhe në ligjet e tjera të paketës fiskale, të cilat janë aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë, si ndryshime ligjore që cënojnë ndjeshëm ushtrimin e profesionit të profesionistëve te ndryshëm në mungesën e plotë të konsultimit me grupet e interesit.
Këto ndryshime konsistojnë në dhënien e kompetencave ligjore Këshillit të Ministrave për veçimin e kategorive të profesionistëve të lirë nga cdo kategori tjetër biznesi, në lidhje me caktimin e pagës për llogaritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kur në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, nga ana e Këshillit të Ministrave është propozuar që pas paragrafit të katërt, të nenit 9, “Llojet e kontributeve për t’u paguar”, propozohet të shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Për kategori të veçanta personash, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, përfshirë edhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, profesionet, paga për efekt të llogaritjes të kontributeve si dhe kriteret e përcaktimit të saj, deri në nivelin e pagës maksimale, caktohen nga Këshilli i Ministrave.”
Në kushtet e reja që ligji autorizon KM, nuk përjashtohet mundësia e caktimit të nivelit të pagave për profesionistët e lirë, në kufirin e pagës maksimale, si bazë për të cilën llogariten kontributet e sigurimeve në përqindje të caktuar nga ligji.
Një veprim i tillë do të riste ndjeshëm shumën e këtyre detyrimeve, madje deri në kufirin e falimentimit të biznesit të shërbimit qe ofrojnë profesionistë të ndryshëm , të një numuri shumë të madh të profesionesh, të cilët realizojnë një xhiro vjetore modeste dhe që janë në kufirin e mos sigurimit të mjeteve të nevojshme financiare për ta dhe familjet e tyre.
Pa dashur të hyjmë në përllogaritje shifrash, detyrimet që parashikohen nga një veprim i tillë, arijnë në nivelin mbi 5 herë më të larta se niveli aktual i detyrimeve që ata paguajnë.
Në letër ndër të tjera theksohet se “Këshilli i Ministrave ka për detyrë të caktojë vetëm minimumin e pagës mbi bazën e të cilës llogaritet ky detyrim dhe jo pagën brutto të të vetpunësuarit, dhe aq më keq, nëse kjo pagë brutto caktohet në nivelin e pagës maksimale, sikurse është komentuar gjatë këto kohët e fundit nga burime profesionistë të fushës. Argumenti se një veprim i tillë do të ritë ndjeshëm masën e pensionit të kësaj kategorie, na duket jo vetëm i papërshtatshëm për momentin që po kalon shoqëria, por edhe cinik, pasi është dëshirë e çdo te vetë punësuari që të paguajë kontribute për efekt pension pleqërie në çdo masë që ata e shohin të arsyeshme, në raport me të ardhurat që sigurojnë apo standartit që ata parashikojnë për një gjë të tillë, gjithmonë jo më pak se paga minimale e vendosur nga Këshilli i Ministrave për këtë qëllim.
Hartuesit e projektligjit nuk i janë referuar asnjë treguesi referencial në lidhje me të ardhurat që përfiton një profesionist nëpermjet ushtrimit të profesionit të tij. Anëtarët e Asamblesë e Profesioneve të Lira kanë ngritur si shqetësim kryesor, se paga e propozuar, mbi bazën e të cilës është propozuar të llogaritet ky detyrim, është më i lartë se sa vetë të ardhurat mujore, që ata arkëtojnë nga puna e tyre gjatë një periudhë një mujore. Situata e ushtrimit të profesionit nuk është e njëjtë në të gjitha rrethet e Republikës së Shqipërisë, pasi niveli ekonomik ndryshon nga qyteti në qytet. Po kështu edhe të ardhurat e personave, që kërkojnë shërbimin e profesionistëve janë të ulta, dhe në këtë kuptim nuk ka kuptim që detyrimi për pagimi e kontributit të jetë më i lartë nga e ardhura reale që realizojnë profesionistët nga puna e tyre.
Njëkohësisht ky propozim është diskriminues dhe pengues për profesionistët e rinj që futen në profesionin e tyre, për shkak të konkurencës që hasin në fushat e tregut përkatese dhe për këtë arsye të ardhurat që që këta mund të realizojnë nga puna e tyre, i çojnë automatikisht në faliment. Në këtë mënyrë projektligji favorizon konkurrencën e pabarabartë te këtyre profesionistëve të futur rishtazi në treg me profesionistët të konsoliduar në këtë treg. Kjo do të sjellë për pasojë që shumica dërmuese e profesionistëve të rinj, do të detyrohen të mbyllin veprimtarinë e tyre për shkak të mos përballimit të këtij detyrimi të papërballueshëm nga ana e tyre.
Në këto kushte Asambleja e Profesioneve të Lira, ju drejtohet Ju me këtë memo, prej nga ku kërkohet rëzimi i ndryshimeve të paraqitura nga ana e KM, diskutimin e ndryshimeve me grupet e interesit, gjithmonë në prizmin e parimeve kushtetuese ne drejtim të moscënimit të lirisë ekonomike në Republikën e Shqipërisë”, theksohet në letër duke shtuar se Asambleja e Profesioneve të Lira do të përdorë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore dhe demokratike për të penguar këto ndryshime si dhe kapjen e tregut ku operojnë, nga një pjesë profesionistësh të konsoliduar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/