Deputeti socialist “godet” sërish mazhorancën. “Goditjen” e radhës, Ben Blushi e shprehu kundër ligjit për pronat, i cili u diskutua sot në orët e para të mëngjesit në Parlamentin e Shqipërisë.
Sipas tij, ligji i ri nuk e zgjidh problemin e pronarëve, por për mënyrën si është formuluar dhe pritet të zbatohet, do t’i krijojë shtetit prona të tepërta nga pronarët, të cilëve fizikisht do t’ua kthejë atë, aty ku është mundësia jo në mënyrë të plotë. Në vijim të kësaj analize, Ben Blushi, shprehet hapur “pro” pronarëve dhe “kundër” “shtetit obez”.
“Unë jam kundër që shteti të marri pronat e tepërta. Sepse nëse shteti merr prona të tepërta, ato që nuk i takojnë në fakt disa prej të cilave i përmenda shteti bëhet obez. Ne nuk kemi nevojë për një shtet obez. Unë jam i majtë, dhe besoj që shteti duhet të ketë më shumë përgjegjësi. Por shteti të ketë aq përgjegjësi sa mund të mbaj në kurriz. Shteti nuk ka pse i merr njerëzve prona të cilat nuk janë të vetat. Ky ligj këtë përgjigje për fat të keq nuk jep. Kjo e zhyt shtetin në obezitet, në korrupsion sepse dikush do i shesi ato prona që pronarëve nuk i kthehen, në një fund pa krye”, u shpreh midis të tjerave Ben Blushi.
Fjalimi i plotë i Ben Blushit
Më vjen keq pse këtij projektligji i erdhi radha në fund, sepse kemi diskutuar gjithë ditën gjëra më pak të rëndësishme dhe prej kohësh e kam këtë mendim se ky Parlament më shumë flet për të djeshmen sesa për të ardhmen. 70 % të kohës sot e kemi harxhuar për të djeshmen sesa për të nesërmen.
Do isha shumë i lumtur, jo pse kam ndonjë pronë që ky ligj duhet të ma kthejë, por për shkak të ndërgjegjes do të isha shumë i lumtur sikur ky ligj të ishte kaq efikas, sa po thuhej. Nuk është se nuk besoj, deri diku, se ky nuk është një ligj i guximshëm. Por pyetja që më mundon dhe më la të pres deri në orën 2 të natës, është nëse ky ligj funksionon dot apo jo.
Sikur në këto 25 vjet të kishim zgjidhur çështjen e pronës, sot do të kishim më pak konflikte në këtë Parlament, dhe Shqipërisë do t’i kishim kursyer të paktën 3 mijë jetë. Kjo është një nga faturat më të dhimbshme të konflikteve sociale që ka krijuar mungesa e kthimit të pronës.
Të paktën 3 mijë jetë me statistikë janë marrë për shkak të sherreve për pronat e pakthyera, për të mos thënë këtu se çfarë ka humbur ekonomia jonë, mungesë investimesh në turizëm në bujqësi, miliarda euro që i kanë marrë padrejtësisht dhe që duhet t’i kishin marrë ata që kanë prona.
***
Të vijmë te ligji. Unë jam në dilemë nëse ky ligj e zgjidh ose jo. Pse? E para në parim. Ligji nuk e kthen pronën. Ligji e trajton dhe kompenson financiarisht.
Pra kush është qasja e këtij ligji? Nuk shkon për t’i dhënë tokën atij që i është marrë, por ama shteti mund ta ketë parcelën e tij akoma në gjendje të disponueshme. Nëse sot ka një dilemë shoqëria dhe unë do ta them këtu sonte.
Përse është kaq e vështirë çështja e pronave? Sepse shoqërisë sonë i kushton me llogari të përafërt, nuk e di nëse janë të vërteta apo jo, 30 miliardë euro. Pra nëse nuk ka fond toke për t’ua kthyer të gjithëve pronat që janë marrë apo tokat që janë marrë, qofshin toka bujqësore apo pyje apo toka plazhi, ç’rëndësi ka, shteti detyrohet të kompensojë financiarisht.
Kjo faturë thonë që mund të shkojë deri 30 miliardë euro. Sigurisht që shoqëria dhe ne e kemi këtë dilemë. A mund ta fusim shoqërinë në borxh për 30 vjet? Pra të paguajmë 30 miliardë euro për një krim apo për një grabitje që është bërë përpara 70 vjetësh? Sigurisht që kjo nuk është e drejtë.
Ky brez sot apo brezat që do të vijnë nuk mund të hyjnë në borxh 30 miliardë euro te vetja e vet për të paguar me taksa një krim, për të paguar një padrejtësi. Sa do vazhdojnë të paguhen padrejtësitë me taksat tona? Dhe ky është problemi i këtij ligji. Nuk mundet të paguajmë kaq shumë. 30 miliardë euro mund të jenë 5 buxhete. 5 buxhete pa rroga, pa pensione, pa shkolla, pa energji, pa spitale.
Imagjinoni sikur 5 buxhete t’ua paguajmë ish-pronarëve vetëm pronarëve të ligjshëm. Megjithatë është çështje e drejtë, universale dhe ia vlen të shohim sesa ky ligj i afrohet qasjes së duhur. Ajo për të cilën unë dyshoj dhe këtu ministri e tha. Dhe një arsye për të cilën po flas është edhe mënyra se si ai foli dhe mua më pëlqeu, por jo për të gjitha gjërat që ai tha jam dakord.
A kemi ne garanci sot se këtij ligj, e para i nënshtrohen vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Sepse ky ligj nuk mund t’i heq të drejtën askujt të ankimohet në Strasburg. Ky është një precedent i vendosur, ministri tha se vetëm vendimet e pazbardhura nga Strasburgu shkojnë sot 560 milionë euro, nëse e dëgjova mirë apo jo?
Janë edhe 400 në pritje dhe nëse këto 400 do të shkojnë, dhe sigurisht me këtë ligj do të shkojnë në Strasburg, atëherë a ka ky Parlament fuqi që ta ndalojë Gjykatën e Strasburgut që t’i marrë ato në shqyrtim?
Unë them që jo. Sepse nëse Gjykata e Strasburgut hyn në negociata me ne, do të ishte shumë mirë sepse ajo është një gjykatë politike nuk është më një gjykatë që vendos drejtësi. Mbase ministri apo qeveria mund të kenë të drejtë sepse gjykata e Strasburgut mund ti nënshtrohet këtij vendimi që po marrim sot. Unë them që jo.
Vijmë te një gjë tjetër që tha ministri dhe unë dyshoj në fakt. Ne e konsiderojmë pronën mall, tha ministri. Sigurisht që prona është mall, se po të mos ishte mall nuk do të kishte çmim dhe vlerë dhe askush nuk do ta kërkonte mbrapsht. Po ky mall çfarë vlere ka sot? Ka vlerën e sotme apo ka vlerën e vitit 1944 kur u sekuestrua. Nëse them që ka vlerën e vitit 1944, bëj gabim dhe jua them pse.
Por nëse them që ka vlerën e vitit 2015 fatura është 30 miliardë. Si e zgjidh shoqëria apo parlamenti këtë problem? Megjithatë po ju marr një rast. E zëmë se gjithë Blloku në vitin 1944 ka qenë i gjithi tokë bujqësore, sot është truall. Në atë vit aty mund të ketë qenë vlera e tokës 2, 3, 5 euro.
Sot është 200…300…500…një pronë e ndërtuar shkon edhe 2000 euro. Shteti e ka shfrytëzuar atë pronë për 70 vjet. A kanë të drejtë pronarët t’i thonë shtetit shqiptar që për 70 vjet më ke mohuar të drejtën për ta shfrytëzuar këtë pronë, dikush tjetër e ka marrë me vendime gjykatash, me privatizime të padrejta, me spekulim tregu, ai e gëzon me 5000 euro metrin katror dhe unë nuk paskam të drejtë ta marr. Një tjetër pikë që nuk më bind është çështja e zërit kadastral.
E thashë, zëri kadastral i vitit 1944, i një toke në mes të Elbasanit apo në mes të Durrësit, mund të ketë qenë pyll apo mund të ketë qenë tokë bujqësore. Sot është truall ai. A ka të drejtë shteti t’i japë vetes këtë diskrecion? Të vlerësojë mes këtyre dy gjërave kur kjo nuk është e drejtë në fund fare dhe për më tepër që ka një diferencë të madhe në çmim. Dhe e fundit fare që është për mua e pafalshme.
Për gjithë gjërat e tjera mund të kemi dilemë sepse unë nuk jam i bindur nëse do të paguajmë 30 miliardë dollarë që më duket e pamundur apo të paguajmë një çmim më të arsyeshëm. Do të isha për një gjë më të arsyeshme të cilën qeveria edhe mund ta gjente nëse do të negocionte apo duke i dhënë vetes pak më shumë kohë. Ka një pikë të cilën unë nuk e pranoj dot.
Nëse një pronar ka 1000 metra tokë të cilën shteti e ka fond sot, pra që nuk është marrë nga askush nuk është marrë nga shteti për arsye publike, nuk është privatizuar por është tokë e lirë dhe dikush e ka këtë pronë, shteti duhet t’ia kthejë këtë pronë. Sipas këtij ligji, brenda këtyre nja 1000 metrave nuk përfiton 1000 metra në fakt, por përfiton ndoshta 100 apo 20.
Pse? Sepse vlerësohet ky mall sipas zërit kadastral apo sipas vlerës të vitit 44 apo 76. Pra brenda 1000 metrave që shteti duhet të t’i kthejë, sepse i ka në fakt, mund të kthejë 100, sepse kjo është vlera e mallit që ai të detyrohet. Por, nëse shteti ka mundësi të më japë mua 1000, sepse aq më ka marrë, por në fakt më jep 100, sepse aq e ka vlerën në 44, pyetja ime është po 900 ku i çon shteti?
Ku i çon shteti 900 metrat e mi? Ia jep dikujt? E kthen prapë në mall dhe ja shet në ankand? E spekulon sepse kjo ka ndodhur në 25 vite. Njerëzit kanë marrë prona që nuk i kanë pasur. Prandaj prapë po pyes ku shkojnë këto teprica? Unë jam shumë dakord që shteti të ketë hidrocentrale nuk mund t’u kthehet pronarëve, do kompensohet financiarisht apo fizikisht thotë ligji.
Shumë mirë. Shkollat nuk mund të kthehen. Puset e naftës, minierat nuk mund të kthehen. Por nuk mund të ngrihet ajo që është publike në padrejtësi. Ne po ja marrim për herë të dytë pronën atyre që kemi mundësi t’jua kthejmë.
Dhe prapë pyes unë qeverinë, ku e çon qeveria tepricën një gjë që nuk e saktëson? Ku do e çoj këtë tepricë që nuk e kthen? Unë jam kundër që shteti të marri pronat e tepërta. Sepse nëse shteti merr prona të tepërta, ato që nuk i takojnë në fakt disa prej të cilave i përmenda shteti bëhet obez.
Ne nuk kemi nevojë për një shtet obez. Unë jam i majtë, dhe besoj që shteti duhet të ketë më shumë përgjegjësi. Por shteti të ketë aq përgjegjësi sa mund të mbaj në kurriz. Shteti nuk ka pse i merr njerëzve prona të cilat nuk janë të vetat. Ky ligj këtë përgjigje për fat të keq nuk jep.
Kjo e zhyt shtetin në obezitet, në korrupsion sepse dikush do i shesi ato prona që pronarëve nuk i kthehen, në një fund pa krye. Dhe kjo mbi të gjitha do ti rendojë gjykatave. Se të gjitha këto konflikte do të shkojnë në gjykata. Pse i kemi ngarkuar kaq shumë gjykatat ne, ja pra për këtë arsye. Sepse njerëzit janë vrarë për pronat kanë shkuar në gjykatë për të gjetur të drejtën.
Shteti i ka marrë tokat, ka shkuar në gjykatë për ta zgjidhur. Shteti i ka dhënë dikujt një të drejtë që s’e ka. Prandaj ka kaq shumë konflikte dhe kaq pak investime në Shqipëri.
Dhe dua ta mbyll aty ku e nisa, duke ju thënë që do bënim gabimin më të madh sikur çështjen e pronës ta konsiderojmë si çështje politike.
Kjo nuk është çështje politike, nuk është çështje e një shtrese që voton kundër nesh apo pro këtyre. Kjo nuk ka lidhje, është çështje e të drejtës universale.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/