Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin në total me 41 vjet burgim për tre kushërinj, të akuzuar për “trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”, të mbetur në tentativë, pasi në 19 gusht 2014 kanë tentuar të trafikojnë drejt Italisë nëpërmjet Portit Detar të Durrësit sasinë prej 330 kg lëndë narkotike canabis sattiva, të ngarkuar në një kamion mallrash.
Shtetasit Muhamet Demrozi, Bashkim Demrozi dhe Agim Demrozi, në bashkëpunim me shtetasin Ermal Lusha, kanë punësuar si shofer kamioni shtetasin F. D., duke i kërkuar këtij të fundit që të udhëtonte drejt Italisë për të marrë arka me verë në një kantinë në Breshia. Në mëngjesin e datës 19 gusht 2015, shoferi F. D., i shoqëruar nga Muhamet Demrozi, ka udhëtuar fillimisht nga Durrësit në drejtim të Vorës për të marrë kamionin. Më pas, është rikthyer në Durrës dhe, nëpërmjet portit detar, është përgatitur të imbarkohet në tragetin e linjës për në Itali. Gjatë kontrollit policor, në kamion është konstatuar dhe gjetur lënda narkotike dhe për këtë është shoqëruar fillimisht shoferi i mjetit, i cili ka dhënë detajet që më tej u zbardhën gjatë hetimit.
Në përfundim të hetimeve dhe më tej në gjykim, rezultoi e provuar se shtetasit Demrozi kanë siguruar lëndën narkotike nga Ermal Lushi dhe, për të realizuar trafikimin, kanë përdorur shoferin F. D., i cili rezultoi të mos kishte dijeni për lëndën narkotike. Nga të pandehurit, aktualisht është i arrestuar vetëm shtetasi Muhamet Demrozi, i cili gjatë hetimeve dhe në gjykim ka tentuar të shmangë nga përgjegjësia ligjore kushërinjtë e tij. Në deklarimet e dhëna, shtetasi Muhamet deklaron se lëndën narkotike e ka siguruar nga një shtetas me emrin “Çimi” dhe është kujdesur vetë për të sistemuar në kamion lëndën narkotike.
Gjithsesi, rezultoi e provuar se shtetasi Muhamet Demrozi ka vepruar në bashkëpunim me kushërinjtë e tij, Bashkim dhe Agim, si edhe me shtetasin Ermal Lushi.
Në fillim të procesit, Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar për shtetasit Muhamet, Bashkim dhe Agim Demrozi, ndërkohë që nuk u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar për shtetasin Ermal Lushi, për të cilin po vijon gjykimi me procedurë normale gjykimi.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi dënimin, si më poshtë:
1. Muhamet Demrozi të dënohet me 15 vjet burgim
2. Bashkim Demrozi të dënohet me 13 vjet burgim
3. Agim Demrozi të dënohet me 13 vjet burgim
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/