Basha me të rinjtë në Elbasan: Në 8 dhjetor ti themi “jo”...

Basha me të rinjtë në Elbasan: Në 8 dhjetor ti themi “jo” byrosë së Edi Ramës

79
0
Shares

Në javë para protestës së paralajmëruar në 8 dhjetor, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shfrytëzuar konventën e të rinjve në Elbasan për tu kujtuar edhe njëherë demokratëve se e kanë ata në dorë rrëzimin e Edi Ramës.
“Edi Rama me 40 hajdutë pasurohen bëjnë vila, blejnë Jaguare e jetojnë si sheik nga njeri cep ne cepin tjetër të Botës ndërsa populli dergjet nëpër kampet e refugjateve. Projekt-buxheti i vitit të ardhshëm është dëshmi e qartë se asgjë nuk do të përmirsohet, vetëm përkeqësohet në vitin që vjen. Ne e kemi në dorë ta ndalim këtë të keqe dhe ne do ta ndalim. 8 dhjetori po afron. 25 vjet me parë kush dëgjonte rrok rrezikonte burgun, kush thoshte s’ka bukë rrezikonte burgun sepse kështu vendoste byroja politike”, deklaroi Basha.
Sipas tij “të rinjtë e dhjetorit me në krye Azem Hajdarin thanë: jo byroja s’mund të vendosë për ne dhe u ngritën, përmbysën regjimin dhe hapën Shqipërinë. A do ti japim më kohë të keqes, a do ti lëmë të vjedhin prapë, të mashtrojnë të madh e të vogël? 8 dhjetori po vjen përsëri. Ju e keni në dorë, ne e kemi në dorë. Ta marrim këtë energji të të rinjve dhe ta sjellim në Tiranë para byrosë së Edi Ramës dhe ti themi ne e kemi në dore tani dhe ne do të vendosim”.

 

Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Konventën e FRPD në Elbasan

Të dashur të rinj e të reja, demokratë, anëtar të Partisë Demokratike të degës Elbasan ju përshëndes nga zemra dhe ju falënderoj për këtë pritje kaq të ngrohtë sot në qytetin tuaj dhe në qytetin tim, të Elbasanit. Në qytetin ku sot bëhet ndalesa e 16 –të e një gare të bukur, të fortë, me plot emocione, e një gare ku ju  vendosni me votën tuaj drejtuesit e ardhshëm të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. E një gare demokratike, të hapur, të lirë. E një gare që parathotë më mirë se çdo gjë tjetër ndryshimin e madh që pritet dhe do të vijë nga rinia e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë.
Tradita e zgjedhjes me votë të lirë të drejtuesve të një partie politike nuk është një traditë e konsoliduar në Shqipëri. Përkundrazi në këto 25 vite demokraci jemi mësuar më shumë të caktojmë dhe të përcaktojmë sesa të zgjedhim, kjo padyshim është diktuar në fillim edhe nga mungesa e vlerës së madhe, e traditës së madhe të votës së lirë, e përgjegjësisë individuale që nënkupton vota e lirë, e marrjes të kësaj përgjegjësie.
 Kush e ka në dorë? Kush e ka në dorë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Forumit Rinor Demokrat? Ju e keni në dorë, gjithsecili prej jush e ka në dorë me votën tuaj e merrni këtë përgjegjësi, me votën tuaj e shkarkoni përgjegjësinë në kutitë e votimit dhe pastaj e kërkoni që të shkojë deri në fund. Kjo është një traditë e bukur e moçme sa demokracia europiane, por është një traditë e cila akoma duhet të zërë rrënjë në Shqipërinë tonë. Kujt tjetër përveç Partisë Demokratike i takon që kultivojë këtë traditë, traditën e votës së lirë? Kujt tjetër përveç rinisë demokrate i takon ta vendosë këtë themel, vendosjen e drejtimit, vendosjen e drejtuesve me votën tuaj?
Në këto 16 debate temperatura ka ardhur duke u ngritur, jo jashtë se jashtë është duke rënë, por në sallën e garave dhe jashtë sallave ku kandidatët dhe stafet e tyre janë përballur dhe përballen ethshëm, nga njëra anë me dëshirën legjitime për të fituar garën e nga ana tjetër me pyetjet, me debatin, me kërkesat e rinisë demokratë, e të rinj dhe të reja që po zgjedhin me votën e tyre.
Ku është qëndrimi i Partisë Demokratike në këtë garë ? Çfarë mendoj unë, çfarë mendon Aureli, çfarë mendojnë drejtuesit e tjerë, çfarë mendojnë deputetët e tjerë? Nuk ka pikë rëndësie! Rëndësi ka vota juaj, rëndësi ka gjykimi juaj. Ndaj kushdo që pretendon të kundërtën nuk po ju thotë të vërtetën, e duke qenë se nuk po thotë të vërtetën nuk meriton asnjë sekondë të vëmendjes tuaj dhe aq më pak të votës tuaj.
Zonja dhe zotërinj, të rinj e të reja ju votoni, ju vendosni!
Me këtë garë të bukur, megjithatë ne japim një mesazh, një mesazh tashmë 25 –vjeçar në familjen tonë politike të lindur nga gjiri i të rinjve, i studentëve të dhjetorit, i Azem Hajdarit me shokë që 25 vite me parë hodhën themelet e rinisë pluraliste dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky mesazh është se rinia është zemra e Partisë Demokratike. Ky mesazh është që nuk ju duam vetëm që të shtojmë numrat. Nuk ju duam vetëm për ripërtëritjen biologjike të Partisë Demokratike, por ju duam e ju mirëpresim që të merrni përgjegjësi dhe të merrni stafetën në Partinë Demokratike. Të merrni përgjegjësitë e ndryshimit të madh që pret sot Elbasani dhe gjithë Shqipëria, që presin sot vëllezërit dhe motrat tuaja më të mëdhenj, prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, që i kanë nga ju të rinjtë e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë sepse ju keni energjinë, keni vizionin,  keni vendosmërinë, keni kurajën, keni forcën për të shembur të vjetrën dhe për ti hapur rrugë të resë.
Gjendja në të cilën zhvillohet kjo garë nuk matet vetëm nga temperaturat që bien jashtë. Bien temperaturat por kanë rënë edhe shpresat e shqiptarëve për një jetë më të mirë. Zhgënjimi mbarëpopullor me keqqeverisjen e Edi Ramës dhe Ilir Metës është sot një fakt i pakundërshtueshëm. Dy vite pasi erdhën në pushtet me premtimet më të bujshme është e vështirë të gjesh votues të tyre të para dy viteve që të shprehen të ngazëllyer, të kënaqur, apo të pazhgënjyer me këtë qeverisje. Kjo gjendje i ka rrënjët tek vesi i aleancës dhe tek aleanca e vesit, tek gënjeshtra dhe mashtrimi, si pararendëse e kësaj aleance qeveritare. Mashtrimet e panumërta të cilat sot qytetarët i numërojnë që nga ato për 300 mijë vende pune, tek shëndetësia falas, tek arsimi dhe aksesi në arsimin e lartë universitar. Mashtrime të tjera për legalizimin, për një klimë të re biznesi, për integrimin europian, për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë u tretën një nga një. Sot shqiptarët përballen me një gjendje të rënduar ekonomike. Në dy muaj, shtator –tetor sipas vetë statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave 73 mijë kryefamiljarë, burra, gra humbën vendet e punës, i humbën për shkak të kërbaçit, për shkak të gjobave, për shkak të arbitraritetit, të arrogancës, të korrupsionit të të ashtuquajturit aksion antiinformalitetit. Por sa mijëra të tjerë jetojnë sot me pasigurinë, me frikën për vendet e punës, i kanë sot apo do ti kenë nesër. Sa mijëra e dhjetëra të tjerë bashkëmoshatarë tuaj kërkojnë dhe nuk gjejnë asnjë mundësi reale për punësim me pagë dinjitoze? Sa mijëra i janë drejtuar sërish eksodit, kësaj plage të hapur në fillimet e tranzicionit e që sot është rihapur më dhimbshëm se kurrë. Tretja e shpresës, humbja e shpresës, zhgënjimi është një produkt i drejtpërdrejtë dhe në fakti i vetmi produkt i keqqeverisjes Rama-Meta, bashkë me rekordet e zeza të krimit dhe korrupsionit. Këto janë dy shuplaka të forta në ndërgjegjen e një kombi që meriton në këtë 25-vjetor një qeverisje ndryshe, meriton një avancim të plotë e të vërtetë drejt një standardi të ri jete, drejt dinjitetit, drejt mundësive për punë, drejt shanseve për barazi para ligjit.
 Sot e kanë këta në dorë që sipas burimeve të institucioneve shtetërore kanë abuzuar 777 milionë euro vetëm në këtë vit buxhetor. Këto që  vetëm nga doganat dhe tatimet kanë vjedhur 250 milionë dollarë, pra 1 milion dollarë në ditë. Këta që shëndetësinë falas, këtë tallje të madhe me shqiptarët e kanë kthyer në skemën më të madhe korruptive që vendi ka njohur në 25 vite. 100 milionë euro vetëm për tenderin e sterilizimit. 10 milionë euro në vit jepen për një punë e cila duhet të bëhej me investimet që shteti ka bërë në këtë sektor, këtu në Elbasan dhe në Tiranë, si kudo tjetër.
Sot sikundër dje, por edhe nesër Arben Ahmetaj dhe Qazim Sejdini zhvasin 10 mijë euro në ditë nga tenderi korruptim për djegien dhe pastrimin e mbeturinave. Korrupsioni i ulur këmbëkryq i qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës. Miliona euro që shpërdorohen dhe miliona të tjera që vidhen pa asnjë llogaridhënie, asnjë përgjegjësi për punën që gjoja jepen. Realiteti i dhimbshëm i shqiptarëve sot është varfërim, humbje shprese, përkeqësim, rrokullisje nga njëra ana, por nga ana tjetër një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh, Edi Rama me 40 hajdutë pasurohen, vënë miliona, ndërtojnë saraje, hapin konto bankare jashtë vendit, blejnë “Jaguar” e jetojnë si sheik, si turistë nga Kina në Arabi, ndërkohë që populli dergjet refugjat në kampet e Europës Perëndimore. Kjo është një gjendje e papranueshme, kjo është një gjendje e papranueshme për të madh e të vogël, të djathtë e të majtë. E pra, çfarë të bëjmë, çfarë të bëjmë? Kush e ka në dorë? Kjo është pyetja që shtrohet sot nga mijëra e mijëra të pashpresë e mbarë Shqipërisë.
Buxheti i vitit 2016 është denoncimi më i madh që asgjë nuk ka ndërmend të denoncojë kjo qeveri. Përkundrazi po përpiqet që të blejë edhe më shumë kohë që të fusë edhe më thellë duart në xhepat tuaj e të prindërve tuaj.
Shikoni sa para kanë rezervuar për zyrat dhe makinat e tyre në vitin 2016? E kanë shpallur, e kanë çuar në Parlament, plot 30 milionë dollarë, 30 milionë  me të cilat mund të mbaronte pa dyshim rruga Tiranë-Elbasan me të cilët mund të mbaronte pa dyshim edhe rruga Tiranë –Elbasan që këta e ndalën në mes, por mund të mbaronin edhe dhjetëra vepra të tjera. 30 milionë dollarë mjaftojnë dhe teprojnë që të mos rriten tarifat për asnjë student dhe çdo i ri që dëshiron të filloj të studimet universitare apo do ti mbarojë ato ti vazhdojë i pa brengosur prindërit e tij.
30 milionë dollarë që do të mjaftonin për ti dhënë ndihmën ekonomike, 1 në 10 familje që sot jaën hequr me të padrejtë dhe që sot nuk kanë kokrrën e lekut për bukën e gojës për fëmijët e tyre. Por nuk u bëhet vonë sepse këta nuk jetojnë këtu, nuk jetojnë në Elbasan, nuk jetojnë në Tiranë, jetojnë në ajër, jetojnë në business –class, jetojnë mes Pekinit dhe Abu-Dabit, jetojnë në luksin e shfrenuar që kanë blerë me paratë që u vjedhin shqiptarëve. Këta e kanë në dorë? Këtyre do t’ua lëmë ? Kush e ka në dorë? Ju e keni në dorë! Ne e kemi në dorë dhe ne nuk do ta lejojmë!
8 dhjetori po afron dhe 8 dhjetori ka një mësim të madh për shqiptarët. 25 vite më parë, 30 nëntor 1990 kush dëgjonte muzikë rrock rrezikonte burgun. Kush ankohej se nuk kishte për të blerë bukë, se gjë tjetër s’kishte nëpër dyqane rrezikonte burgun. Kush rriste flokët sesa standardet e përcaktuara nga partia shtet rrezikonte burgun. Pse, kush e kishte në dorë? Një tufë pleqsh të rrëgjuar, Byroja Politike dhe një aparat diktature që u shërbente verbërisht. Por studentët e dhjetori 1990 kuptuan të vërtetën e madhe, nuk mund ta kishte Byroja Politike, nuk mund ta kishin zuzarët e veshur me pushtet për të terrorizuar një popull të tërë fatin e shqiptarëve. Jo, thanë studentët e dhjetorit. Jo, tha Azem Hajdari. Jo thanë demokratët e parë, u ngritën dhe e çliruan Shqipërinë nga diktatura më e egër, e morën në dorë fatin e Shqipërie. E hapëm Shqipërinë e bashkuam me vendet e tjera që hodhën tej perçet e robërisë. Hapëm rrugën drejt integrimit, lirisë së sipërmarrjes, lirisë së fjalës, lirisë për të bërë atë që çdokush dëshiron për t’u ndjerë i lumtur, lirisë së shprehjes, lirisë së organizimit politik. Ndonëse rruga ka qenë e vështirë dhe plot zig-zag, ëndrra e studentëve të dhjetorit sot ja vlejti. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, ju sot lëvizni të lirë e pa viza anembanë  Bashkimit Europian. Shqipëria ia ka dalë falë përpjekjeve të gjata e të mundimshme të sigurojë mundësinë për integrimin në BE ndonëse në nëntor Bashkimi Europian ia mbylli derën jo Shqipërisë por kësaj qeveria që ka ngritur krimin në sistem dhe sot shënon rekordet më të zeza të korrupsionit në Ballkan dhe në Europë.
A do ta lëmë kështu? A do t’i japim më kohë të keqes? A do të lejojmë që këta hajdutë  kampionë, këta kampionë të korrupsionit dhe të krimit vitin e ardhshëm me instrumenta ligjore dhe joligjore të vjedhin përsëri nga xhepat e çdo shqiptari, të mashtrojnë të madh e të vogël, fondet, paratë, taksat tuaja në vend që të investojnë në shëndetësi, në arsim, në mundësi për shkollim, në ndihmë ekonomike, në taksa të ulëta, në punësim t’i kthejnë në tendera qindra milionësh, në “Jaguar”, në konto bankare, në hotele dhe në luks për qeveritarët.
A e pranoni ju këtë? A do ta lejojmë ne këtë? E pra, 8 dhjetori po vjen përsëri kush e ka në dorë me 8 dhjetor? Një grusht hajdutësh të korruptuar, Edi Rama me 40 hajdutë, apo rinia e Elbasanit, rinia e Tiranës, rinia e gjithë Shqipërisë.
Ju e keni në dorë.  Ne e kemi në dorë. Ndaj ju ftoj ta ktheni energjinë pozitive të kësaj gare, të kësaj gare në gjirin e familjes tonë e cila po zhvillohet dhe do të zhvillohet deri në fund brenda rregullave të etikës së re që ju po impononi të gjithë Partisë Demokratike dhe gjithë skenës politike në vend.
Ta marrim këtë energji me vete nga kjo sallë, nga ky qytet, nga gjithë kjo trevë e ta sjellim me 8 dhjetor në Tiranë para Byrosë së hajdutëve e të korruptuarve dhe e tu themi që këtej e tutje e kemi ne në dorë. E ne themi jo, jo korrupsionit, jo krimit në sistem. Jemi gati të hapim një rrugë të re për Shqipërinë njësoj si 25 vite më parë kemi energjinë, kemi vizionin, kemi vendosmërinë dhe nuk ka asgjë të na ndalë. Pa kthim janë betejat tona. 6 vite më parë atëherë si deputet i juaji ju premtova se pa kthim do të ishte beteja me masivin e Kërrabës dhe masivi është dorëzuar dhe ne jemi më afër se kurrë Tiranë-Elbasan, Korçë e Durrës. Pa kthim do të jetë edhe masivi i korrupsionit dhe krimit, ndaj ju ftoj të bashkoheni me mua, bashkohuni me PD të rrëzojmë bandën e Edi Ramës me 40 hajdutë dhe të hapim rrugën e Shqipërisë europiane.
Rroftë rinia e Elbasanit!
Zoti e bekoftë Forumin Rinor të Partisë Demokratike dhe rininë shqiptare!
Fitore!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY