Unë jam tolerant me festat. Për shembull, megjithëse ateist, në një tryezë me një shoqëri të mirë, me një gotë verë, me një thelë gjeli, një bërxollë apo një biftek, festoj gjithë qef Divalin, Krishtlindjen, Hanakan, Bajramin, Vitin e Ri Kinez, Novruzin, Ditën e Verës, Thanksgiving, Vesakhan, Holin, Visun – kë të doni. Për këtë kam dëshmitarë.
Por 29 Nëntorin nuk pranoj ta festoj. Pse?
29 Nëntori si ditë e çlirimit të Shqipërisë është mashtrim. Të gjithë dokumentet e kohës tregojnë që Shqipëria është çliruar në 28 Nëntor 1944. Domethënë që ushtari i fundit hitlerian është larguar në këtë datë. Deri një vit më vonë kjo është mbajtur si data zyrtare e çlirimit edhe nga vetë Enver Hoxha.
Po të vihej thjesht në diskutim dita kur është larguar ushtria naziste nga Shqipëria, unë do ta kisha toleruar dhe do ta festoja me qef edhe 29 Nëntorin. Në fund të fundit bëhet fjalë për një çlirim dhe ne, shqiptarët, që e kemi zakon të kundërshtojmë njëri-tjetrin për çdo gjë, mbase do të ishte mirë të pajtoheshim në këtë pikë dhe ta ngrinim nga një gotë bashkë. Por puna nuk është kaq e thjeshtë.
29 Nëntori u zgjodh nga Enver Hoxha në kuadrin e hapave për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ku përfshiheshin edhe bashkimi i monedhës, heqja e doganave, falja e floririt dhe pasurive shqiptare bosëve të Beogradit, etj. 29 Nëntori për Jugosllavinë festohej si dita kur Këshilli AVNOJ shpalli Federatën Demokratike të Jugosllavisë. Enver Hoxha kërkonte ta njësonte edhe festën e çlirimit të Shqipërisë me këtë datë.
clirimi i Tiranes1Ideja e përfshirjes së Shqipërisë në Jugosllavi ishte pjesë e paneve të Titos për krijimin e një Konfederate Ballkanike me qendër Beogradin. Për sa kohë vazhdoi Lufta e Dytë Botërore Stalini ia ushqeu Titos këtë shpresë, pasi ai kishte nevojë për mbështetjen ushtarake të partizanëve jugosllavë dhe për një rezistencë anti-fashiste në të gjithë Ballkanin. Enver Hoxha ishte thjesht një hallkë e këtij plani, një vegël që i duhej Titos për ta pasur të lehtë punën në këtë pjesë të Ballkanit.
Por mbarimi i luftës solli të tjera përparësi për Stalinin. Atij nuk i leverdiste të kishte një fuqi të fortë në cepin e perandorisë së vet, aq më tepër nën Titon që flirtonte hapur me anglezët dhe amerikanët. Ideja e Federatës Ballkanike u hodh në kosh. Titoja u thartua me Stalinin.
A mund ta merrte Titoja Shqipërinë pas rënies së idesë së Federatës Ballkanike? Natyrisht që mund ta merrte. Stalini, megjithëse kundër konfederatës, i dha leje për këtë me foljen e famshme “gllabëroje” që citon Gjilasi. Por Titos i iku oreksi për të gllabëruar. Si mjeshtër i ekujlibrave politike ai e dinte që do t’i bëheshin ca si tepër shqiptarë në Jugosllavi dhe do t’i hapnin punë.
Atij i leverdiste më mirët’i linte shqiptarët të ndarë në katër-pesë pjesë, dhe shtetin e Shqiptarëve në një gjendje sa më të keqe, që të mos iu bëhej zili shqiptarëve që kishte nën kontroll ai vetë. Hoxhës iu dha urdhëri: Rri aty, mbaje vendin baltë dhe mbretëro në mes të baltës. Për sa kohë që s’më hap punë mua, as unë s’do të të hap punë ty. Kufijtë do t’i kemi të ndarë, dhe të ndarë mirë. Hoxha natyrisht që u bind, dhe u lidh me Rusët për të rrumbullakosur alibinë. Por Titos dhe kërkesës së tij i shërbeu deri në frymën e fundit.
29 Nëntori për mua është një pjesë e shëmtuar e një plani të shëmtuar, thellësisht anti-kombëtar, anti-shqiptar. Festimi i kësaj date është pajtimi me tradhëtinë kombëtare të Enver Hoxhës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/