Turqia ka goditur dhe rrëzuar një avion ushtarak, që thuhet se kaloi në hapësirën e saj ajrore pranë kufirit me Sirinë.
Mediat turke raportojnë se avioni ushtarak i qëlluar ishte rus, dhe video e postuar në kanalin televiziv Haberturk tregon se si avioni i përfshirë nga flakët rrëzohet.
Një zyrtar ushtarak tha se avioni u qëllua nga F16-ta turke (avion ushtarak), dhe se pilotit të avionit të qëlluar iu dha paralajmërim paraprak. Fati i pilotëve nuk është ende i ditur.
Sipas CNN-it turk, foto të postuara në rrjetet sociale tregonin dy pilotët që uleshin të sigurt me parashutë në tokë.
Nga Ministria ruse e Mbrojtjes ende nuk ka një reagim për ngjarjes.
Avioni rus u rrëzua në zonën e njohur nga turqit si “Malet Turkmen” në veri të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë, shkruan Reuters.
Ndërsa Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se avioni ushtarak u rrëzua në zonat malore në provincën Latakia dhe nuk dihet ende nëse është avion i forcave ushtarake siriane apo ruse. Kjo për shkak se edhe Rusia edhe aleati i saj, qeveria siriane, kanë kryer shumë sulme ajrore në këtë zonë.
Këtë jave Turqia bëri thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për të diskutuar rreth sulmeve ajrore në këto zona. Një javë më parë, Ankaraja thirri ambasadorin rus për të protestuar ndaj bombardimeve në fshatrat e tyre.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/