“Rezultojnë shumë të emëruar pa rekomandimin e strukturave të partisë, akoma shiten poste pune dhe ka emërime nepotike”.
Merakun “e sinqertë” e shpreh deputeti socialist Koço Kokëdhima, i njohur ndryshe si “komisari i jugut”.
Duke hartuar dhe prezantuar një platformë, me emërtimin “Stina e re në PS”, Kokëdhima apelon për riorganizimin e strukturave të partisë, ndërsa këmbëngul për shtyrjen e kongresit.
“Stina e re në PS”, platforma që mban firmën e deputetit socialist Koço Kokëdhima, në 45 faqet e saj, jep idetë e tij për riorganizimin e strukturave të PS, që sipas tij duhet të kenë në bazë rajonin. Ndërkohë në riorganizimin në nivel bashkie propozohen Asamble socialiste dhe ekzekutivi pranë secilës bashki.
Shtyrjen e Kongresit, që ka ngjalluar kaq shumë debate brenda radhëve të PS, Kokëdhima e përligj me realizimin e një seri procesesh zgjedhore brenda partisë më të madhe të majtë ne vend. Kokëdhima kritikon praktikat e ndjekura deri më tani, si shitja e një vendi punë apo emërimet nepotike, të cilat sipas tij janë bërë shkak për humbjen e mbështetjes së PS.
“Rezultojnë shumë të emëruar pa rekomandimin e strukturave të partisë; shkelje thelbësore të marrëveshjeve PS-aleatë për ndarjen e pushtetit në dëm të PS-së, sikurse dhe punësimet prej 3-4 personash nga e njëjta familje me propozim të funksionarëve të ndryshëm që ndërhyjnë vend e pa vend. Ne nuk mund të fitojmë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 duke vazhduar akoma të shiten poste pune dhe duke bërë emërime nepotike”, shprehet Kokëdhima.
Deputeti socialist, Koço Kokëdhima, njëherësh koordinator i qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës, i cili ndezi debatin brenda forcës së tij politike me propozimin për të shtyrë mbledhjen e Kongresit, jep edhe një afat, që sipas tij, mund të jetë për tu mbajtur kongresi, ë fund të muajit prill dhe jo në janar sikurse ka përcaktuar Asambleja e PS.
Kjo datë, vjen si rezultat i disa proceseve që duhet ti nënshtrohet partia, si trajnimi i grupeve të punës në organizatat socialiste, zbatimi fushatës së pranimeve në PS, formimi i Asamblesë në gjysmën e dytë të shkurtit dhe mbajtja e Forumit të Gruas në mars,a argumenton Kokëdhima.
Platforma i është vënë në dispozicion deputetëve të Vlorës dhe Gjirokastrës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/