Ministria e Financave deklaroi sot se ka regjistruar një rënie prej rreth 100 milionë dollarë në të ardhurat për periudhën 10-mujore. Të ardhurat në buxhetin e shtetit arritën në 311.2 miliardë lekë për 10 mujorin e këtij viti, ndërsa ishin parashikuar 322.1 miliardë lekë.
Tatimet dhe Doganat, kanë mbledhur 212.3 miliardë lekë. Prej kësaj shume, administrata Tatimore ka mbledhur 93.9 miliardë lekë, ndërsa Doganat kanë mbledhur 118.4 miliardë lekë.
Doganat kanë shënuar rënie në të ardhurat për shkak të rënies së akcizës prej rreth -7.5%, e po ashtu edhe të rentës minerale me -5.2%.
Sipas ministrisë rënia në të ardhurat nga Administrata Doganore shpjegohet me vazhdimësinë e ndikimit të faktorëve të jashtëm, të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit. Rënia e të ardhurave nga TVSH në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e importeve, ku ndikim kryesor ka rënia e importeve të energjisë, rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuar nga TVSH, sqaron deklarata.
Financat theksojnë se rënie ka pasur edhe çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/