MARK MARKU/Një Kryeministër joserioz që duhet marrë seriozisht

MARK MARKU/Një Kryeministër joserioz që duhet marrë seriozisht

79
0
Shares

Bota e medias dhe opinioni publik shqiptar janë shokuar dy herë brenda një dite nga mungesa e seriozitetit që qeveria shqiptare ka treguar lidhur me propozimin e një neni në Kodin Penal, që kriminalizonte shpifjen ndaj funksionarëve publikë. Tronditjen e parë e ka shkaktuar kërcënimi serioz që i kanosej lirisë së shprehjes në Shqipëri prej futjes së atij neni kërcënues ndaj gazetarëve. Edhe pse të shantazhuar dhe fyer disa herë publikisht prej Kryeministrit Rama dhe vartësve të tij, ishte hera e parë që ndjeheshin të kërcënuar me burg. Me sa duket, Rama ndihej borxhli ndaj tyre, pasi nuk u kishte ofruar të njëjtën alternativë që po i ofron për ditë shoqërisë shqiptare: burgun.

Reagimi qe i menjëhershëm dhe u pa se një ofertë e tillë për lirinë e shtypit nuk do të kapërdihej lehtë. Reaguan gazetarët dhe shoqatat e tyre, opozita, Presidenti i Republikës, institucione ndërkombëtare, madje reagime pati edhe brenda koalicionit, pasi aleati i tij Meta, por edhe ndonjë deputet si Braçe, ia bënë të qartë kryegardianit Rama se një delir i tillë diktatorial nuk mund të shndërrohej në realitet. Edhe më befasuese qe mënyra e zgjedhur për t’u tërhequr në mënyrë të rreme nga propozimi i tij. Në mënyrën më karagjoze të mundshme, e njëjta qeveri që e kishte propozuar nenin dhe paraqitur në komision, madje duke e shoqëruar me “argumente të qeverisë” domosdoshmërinë e miratimit të tij, doli para opinionit publik dhe tha se na paskësh qenë një keqkuptim, a thua se neni i paraqitur nuk ishte nxjerrë nga një procedurë parlamentare, po nga bisedat në kafe që zoti Rama apo zonja Felaj paskan bërë me x apo y shurdh, që nuk i paskësh dëgjuar mirë. Dy herë fyerje për opinionin publik, një herë për kërcënimin, një herë për talljen që i bën inteligjencës së tij.

E vazhdon apo nuk e vazhdon Rama këtë marrëzi, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është që ai na shfaqet me këto dy pamje, si jo pak herë gjatë qeverisjes së tij: herë si autoritar e herë si kloun. Dendësia me të cilën ai i shkëmben këto pamje të vetvetes është natyrisht shenjë e mungesës së seriozitetit apo destabilitetit psiqik apo shpirtëror që e karakterizon atë, por kjo nuk është më as argëtuese, as ngushëlluese. Është thjesht shqetësuese. Nëse ai nuk do të ishte Kryeministër, natyrisht problemi do të ishte vetëm i tij dhe i personave që jetojnë me të, por fakti që ai është Kryeministër, përbën tashmë një problem serioz për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ndaj mosserioziteti duhet të merret seriozisht.

Duhet të merret seriozisht, sepse ai i ndryshon gjendjet, domethënë kalon nga roli i liderit autoritar në atë të klounit sa herë dështon në “çmenduritë” e tij autoritare. Sepse neni i propozuar prej tij nuk është thjesht një “çmenduri” e radhës, e cila duhet të përcillet si përherë, ose me orgazmën e adhuruesve të tij prej “gjenialitetit” të shefit, ose me irritimin apo humorin e pamat të atyre që e pretendojnë një minimum serioziteti dhe përgjegjësie prej atyre që na qeverisin. Neni i formuluar nga Rama, që i kërcënon gazetarët me burg, është në të vërtetë rrjedhë logjike e gjithë marrëdhënies që zoti Rama ka krijuar me mediat gjatë gjithë kësaj qeverisjeje.

E kemi parë vazhdimisht t’i përqeshë gazetarët, t’u skërmitet atyre sa herë që pyetjet e tyre nuk i pëlqejnë, e kemi dëgjuar të deklarojë se nuk i lexon gazetat dhe nuk i ndjek mediat, ndërkohë që rri gjithë ditën në media, madje më shumë se ata që e kanë profesion median. E kemi parë e dëgjuar t’i “qortojë” sa e sa herë gazetarët dhe intervistuesit si “idiotë”, “të pacipë”, “të paaftë”, i ka akuzuar si thashethemexhinj, shpifës, madje gjithë sistemin mediatik e ka konsideruar si “kënetë mediatike”. Më tej e kemi parë të kërcënojë pronarët e mediave ku ata punojnë, t’i joshë me favore një pjesë të tyre e ndonjë media edhe ta mbyllë fare.

Kërcënimi ndaj mediave është gjithashtu rrjedhë logjike e sistemit të fuqishëm propagandistik që ka synuar të ngrejë në këto dy vjet e gjysmë qeverisje. Me këtë sistem propagande ai ka synuar të zëvendësojë krejt sistemin e informimit publik në Shqipëri, duke krijuar realitete virtuale që vetëm ai i beson, duke zëvendësuar kështu qeverisjen me propagandën për qeverisjen. Por, si i paaftë që është, ai nuk e ka parashikuar mungesën e efikasitetit të një sistemi propagande, në një sistem qoftë edhe gjysmëdemokratik, siç është Shqipëria.

Për injorancë apo servilizëm, ata që e këshillojnë për komunikimin nuk kanë mundur apo nuk kanë ditur t’i thonë që në fillim se një sistem efikas propagande kërkon disa parakushte elementare: regjim totalitar, pra mungesë totale të lirisë së fjalës, tregut apo organizimit politik, sistem i orkestruar mediatik, një ideologji e vetme që u përbashkon përmbajtjet, gjë kjo që arrihet vetëm në regjimet fashiste, komuniste apo diktaturat ushtarake. Edhe sikur një zë i lirë të ekzistojë në tregun mediatik, propaganda bëhet e pavlefshme. Rezultat i këtij moskuptimi tragjik është nervozizmi që e kap me mediat sa herë zbulon se propaganda e tij rrëzohet para çdo institucioni të fjalës së lirë apo zëri alternativ në hapësirën mediatike. Pikërisht për t’i shuar edhe këta zëra, meqë nuk i kanë funksionuar sharjet, kërcënimet, favoret dhe presionet, ka ndjekur nevojën e një mbështetjeje ligjore. Dhe mbështetja ligjore është neni që serviri dhe që e tërhoqi.

Natyrën e tij autoritare ai e ka shfaqur në mënyrë sistematike dhe vullnetin e tij ka arritur ta imponojë në shumë ligje të miratuara gjatë gjithë periudhës së tij të qeverisjes. Liria dhe demokracia nuk ndihet askund në diskursin e tij politik. PS i ngjan gjithnjë e më shumë paraardhëses së saj, Partisë së Punës, dhe i largohet gjithnjë e më shumë frymës plurale dhe demokratike të PS-së së paraardhësit të tij, Nano. Ministrat janë shndërruar në manekinë që dëgjojnë sistematikisht fyerje dhe dhunë verbale. Parlamenti është shndërruar në tribunën, ku ai shfryn pa reshtur urrejtjen dhe përbuzjen ndaj opozitës. Mediat dhe foltoret publike janë shndërruar në megafona ku ai fyen dhe kërcënon pa pushim tregtarë, profesorë, studentë, mjekë, artistë, diplomatët e huaj. Është pikërisht ky bombardim i përditshëm me imazhe të një lideri të ngjashëm me Çaves-in apo me Erdogan-in që duhet të na bëjë ta marrim më seriozisht Kryeministrin tonë joserioz. Dhe kjo bëhet sa nuk është ende vonë për atë dhe për ne.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY