Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka folur sërish hapur sot për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Duke vënë theksin se ministrat e korruptuar e deputetët kriminelë i tremben reformës në drejtësi, ambasadori Lu ka përcjell edhe një tjetër mesazh, sipas të cilit, paskemi ministra të korruptuar, krahas deputetëve kriminelë, që prej kohësh është bërë e ditur se ekzistojnë në radhët e Parlamentit.
Ambasadori Lu u tregua i ashpër kur tha se “ka ardhur koha për ndryshime radikale dhe shpresoj që kjo reformë t’i sjellë”, duke folur për reformën në drejtësi.
Si ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhe ambasadori i SHBA-së, Donald Lu bënë apel për gjithëpërfshirje dhe reformë të thellë dhe të vërtetë për të larguar nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, në tryezën e parë të konsultimeve publike për ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi.
“Të gjitha partitë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe ti japin fund sulmeve politike”, apeloi Lu.
“Kush i trembet më shumë reformës në drejtësi?! Unë e di kush. Ministrat e korruptuar, deputetë kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja por kurrë nuk ndjekin penalisht dikë. Këta persona duan të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me paratë e popullit shqiptar. Mendoni për ta sa herë të dëgjoni që këta njerëz kritikojnë reformën në drejtësi.
Për shkak se Shqipëria është një demokraci e mirëfilltë duhet të ketë dialog të hapur e të sinqertë nëse këto propozime kushtetuese nga ekspertët tanë janë reformat e duhura për të trajtuar problemet serioze të Shqipërisë. Të gjitha partitë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe ti japin fund sulmeve politike. Nxis të gjithë si shqiptarët ashtu dhe partnerët ndërkombëtarë që të dëgjojmë me vëmendje diskutimet dhe sugjerimet konstruktive për këtë reformë. Mund t’ju siguroj se SHBA mbështet plotësisht propozimet aktuale. Kjo është një reformë e rëndësishme se për herë të parë do të ndërmarrë hapa për të eliminuar gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe të paaftë nga sistemi i drejtësisë”.
Për të treguar besimin që kanë vetë në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, Lu solli këtë shembull:
“Një gjykatës shqiptar tha kohët e fundit se ai vinte në diskutim nëse propozimet kushtetuese do të komprometonin pavarësinë e gjyqësorit të Shqipërisë. Kësaj i them se as edhe një shqiptar i vetëm sot nuk beson se sistemi i drejtësisë është i pavarur. Jo i pavarur prej kërkesës për ryshfet, jo i pavarur prej telefonimit të drejtësisë. Persona të fuqishëm telefonojnë drejtpërdrejtë gjyqtarët për udhëzime. Si dhe jo i pavarur prej kërcënimeve kriminale të krimit të organizuar. Kjo reformë do ti japë Shqipërisë shansin e vërtetë për të bërë sistemin e drejtësisë të pavarur për herë të pare”, tha Lu.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/