Milo: Qeveria e lodhur dhe e konsumuar, Rama të mos ngjyrosë realitetin...

Milo: Qeveria e lodhur dhe e konsumuar, Rama të mos ngjyrosë realitetin shqiptar

49
0
Shares

Aleati i Partisë Socialiste, kreu i PDS-së, Paskal Milo, e cilëson të lodhur dhe të konsumuar kabinetin qeverisës dhe kërkon rifreskime të tij.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Milo i kërkon kreut të qeverisë që të mos flasë me eufori dhe të mos ngjyrosë realitetin shqiptar, i cili nuk është siç deklarohet nga qeveria.
Duke vlerësuar këto dy vjet qeverisje, Milo shprehet se zhvillimet janë shqetësuese, ndërsa reformat nuk po realizohen me mjetet e duhura,
“Zhvillimet në Shqipëri, për fat të keq, përtej përpjekjeve për t’i fshehur situatat reale në të cilat ndodhet vendi, janë me të vërtetë shumë shqetësuese. Të jem i qartë, kjo qeveri ka marrë përsipër disa reforma që në thelb dhe në gjykim të parë janë të domosdoshme për t’u bërë, të domosdoshme për të krijuar shtet ligjor dhe unë me gjithë zemër i kam mbështetur ato. Por çfarë po ndodh në realitet: nëse objektivi është i drejtë, metodat për t’i realizuar këto objektiva nuk janë në përputhje me nivelin në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare nga pikëpamja ekonomike, sociale, kulturore dhe mund të them që nëse një qëllim i mirë zbatohet me mjete jo të përshtatshme, kthehet në bumerang”. 
Në vijim të vlerësimit të punës së qeverisë, kreu i PDS-së apelon për atë që kryeministri duhet të heqë dorë nga e folura me eufori, si edhe nga ngjyrosja e realitetit.
“Nuk mund të vazhdojë më kështu. Nëse Kryeministri Rama dëshiron që të ketë një qeverisje të suksesshme dhe të lërë kontribute reale në zhvillimin e Shqipërisë, duhet patjetër që të ndalë vetë i pari euforinë, retorikën, ngjyrimet e pabaza të realiteteve të dhimbshme shqiptare dhe t’i rikthehet në mënyrë kritike analizës së qeverisjes së dy viteve, përndryshe do të kemi një histori të mbretit lakuriq që do të përfundojë në një tragji-komedi të radhës, siç ka ndodhur jo një herë në Shqipëri”, shprehet Milo.
Duke e konsideruar qeverinë të lodhur e të konsumuar, Paskal Milo, kërkon rifreskimin
Para së gjithash, mendoj se skuadra që Kryeministri Rama ndërtoi për të qeverisur Shqipërinë është e lodhur, e konsumuar dhe e papërgatitur për të shkuar në finish. Një trajner i mirë i shikon defektet e lojtarëve të vet në lojë e sipër dhe bën zëvendësimet e duhura në momentin e duhur, duke bërë edhe zhvendosje e lëvizje taktike. Ka ardhur momenti që kjo skuadër më tepër se kurrë duhet rifreskuar, jo vetëm në elementë përbërës të saj, por më tepër në konceptin e lojës nëse do që të zërë një vend nderi në kategorinë superiore të politikës shqiptare.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY