Një gjyqtare e Shkallës së Parë në Durrës, e cila nuk justifikon dot pasurinë prej 1 milion dollarësh, është kallëzuar penalisht. Gjyqtarja dyshohet edhe për pastrimin e kësaj shume.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), lidhur me këtë rast, bënë të ditur se bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10. 04. 2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Shpëtime Pitaku, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentesh, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1 milion usd dhe për rrjedhojë subjekti Shpëtime Pitaku është kallëzuar penalisht për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal.
ILDKPKI i kërkon organit të Prokurorisë një hetim të plotë e të gjithanshëm për subjektin deklarues Shpëtime Pitaku, pasi është kallëzuar edhe më parë nga ILDKPKI për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
ILDKPKI, bën të ditur se do të njoftojë menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrin e Drejtësisë me qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj subjektit Shpëtime Pitaku.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/