Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i shoqëruar nga një ekip drejtuesish të lartë të departamenteve e komisioneve parlamentare të Partisë Demokratike në fushën e ekonomisë dhe financave publike, pritën në një takim zyrtar në seli misionin e FMN-së, i cili po viziton Shqipërinë në kuadrin e rishikimit periodik të ecurisë së marrëveshjes mes Qeverisë së Shqipërisë dhe FMN.
Basha i njohu bashkëbiseduesit me vlerësimet e opozitës shqiptare lidhur me zhvillimet më të fundit në vend, me theks të veçantë në ato financiare dhe ekonomike. Basha theksoi se situata është dramatike në të gjitha aspektet e jetës së vendit, për shkak të korrupsionit, kapjes së shtetit nga një grusht oligarkësh dhe individësh me rekorde kriminale, si edhe rreth varfërimit të përditshëm të shqiptarëve, humbjes së shpresës që po shpie në largime masive të papara më parë të qindra mijëra shqiptarëve, të cilët vendosin të braktisin vendin e tyre në kërkim të një jete më të mirë.
Kreu i opozitës informoi bashkëbiseduesit se nën këtë qeveri, të gjithë treguesit ekonomike, financiare dhe makroekonomikë të vendit janë përkeqësuar dhe se kjo qeveri e kapur nga krimi dhe nën diktatin e krimit po bën çdo gjë që vendi të gremiset në honet e thella të varfërisë e mjerimit ndërkohë që është vetëm një grusht oligarkësh pranë kryeministrit të cilët përfitojnë nga afera qindra milionë euroshe në koncensionime të errëta të shërbimeve publike, tendera dhe zhvatje të pasurive e aseteve publike. “Doing Business” i Bankës Botërore vetëm sa rikonfirmoi ato shqetësime të cilat opozita ka më shumë se dy vjet që ua ka bërë prezent shqiptarëve.
Në takim u diskutua edhe për situatën e rëndë në financat publike, rritjen e pakontrolluar të borxhit publik, rënien dramatike të të ardhurave publike si edhe shpenzimet e luksit për vetura qeveritare, për punë e shërbime publike që gjoja tenderohen por që fitohen vetëm nga klientë personalë të kryeministrit të vendit.
Kreu i PD ndau me misionin e FMN edhe shqetësimin lidhur me lehtesinë me të cilën qeveria shqiptare, edhe nën monitorimin e partnerëve të huaj, po borxhon vendin në nivele të paimagjinueshme më parë por edhe për shpenzime totalisht të panevojshme. Kështu në vetëm dy vite niveli i borxhi është rritur nga 61 % në 72 % të PBB në një kohë që qeveria ka mashtruar lidhur me të ashtuquajturat borxhe për fatura të pashlyera.
“Në më shumë se dy vite nuk kemi pothuaj asnjë investim publik në një kohë që shpenzimet kapitale janë në rangun e rreth 600 milionë dollarëve në vit por me të cilat deri me sot realizohen vetëm shëtitore me palma, shatërvanë dhe asnjë km rrugë, asnjë shkollë ose spital, asnjë kanal vaditës e kullues”, u shpreh Basha.
Pala e FMN u interesua të dijë vizionin e opozitës rreth planeve të fundit të qeverisë për krijimin e zonave të lira ekonomike, planeve të qeverisë për rritje të reja taksash si edhe se si mendonte opozita të vinte nën kontroll rritjen e shfrenuar të borxhit nesër kur asaj t’i besoheshin përsëri fatet e vendit.
Basha informoi bashkëbiseduesit se vizioni i opozitës shqiptare është i qartë si drita e diellit dhe ai është vizioni i njerëzve të përkushtuar për të sjellë Shqipërinë në shtratin normal të zhvillimit ekonomik në të gjitha fushat, në bujqësi, ndërtim, transport, turizëm, energjetikë etj. Ai njohu misionin e FMN me vizionin e opozitës për shtet të vogël, për taksa të ulëta, për trajtim dinjitoz si edhe ndihmë e shërbim ndaj tatimpaguesve për të përmbushur në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/