Bashkia e Tiranës me një shkresë zyrtare që mban datën 23 tetor 2015, ka njoftuar kompaninë ‘Joy Travel’ për prishjen e kontratës së qirasë, të lidhur me datë 14 dhjetor 2004 mes Ministrisë së Ekonomisë dhe shoqërisë “Joy Travel”.
Kontrata e prishur ka objekt dhënien me qira të ambienteve ndihmëse në stadiumin “Selman Stermasi” Tiranë.
Në shkresën zyrtare, e cila i është dërguar për dijeni edhe administratorit të Klubit “Tirana”, Refik Halili, thuhet se “Bashkia e Tiranës, në cilësinë e pronarit të Stadiumit “Selmas Stermasi” dhe Aneksit Sportiv, është e informuar se subjekti “Pulëbardha” është i pajisur me NIPT sekondar të shoqërisë “joy Travel”, por jo për aktivitetin që kryen në këto ambiente”.
Në shkresë thuhet se qiramarrësi ka detyrë të respektojë kontratën, për përdorim të përkohshëm të objektit si lokal shërbimi 24 orësh në shërbim të udhëtarëve.
“Në kushtet ku shoqëria “Joy Travel” nuk po përdor sendin për qëllimin e sipërpërmendur, Bashkia e Tiranës kërkon zgjidhjen e kontratës para afatit të përcaktuar, prej 20 vjetësh. Me përmbushjen e afatit paraparak të njoftimit me shkrim (15 ditë), Bashkia e Tiranës e konsideron kontratën e qirasë të zgjidhur”, përfundon shkresa e Bashkisë. Ajo është firmosur nga Drejtoresha e Drejtorisë së shërbimeve mbështetëse në Bashkinë e Tiranës, Irena Ndroqi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi disa kohë më parë në një emision televiziv se aksioni në Njësinë nr. 5 do të vazhdojë dhe me prishjen e restorantit në pronësi të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS-së, Fatos Nano. Veliaj tha se restoranti është pa leje.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/