Në një ceremoni solemne Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi gjuhëtarin e mirënjohur dhe akademikun Bahri Beci meTitullin “Për Merita të Veçanta Civile”me motivacionin:
“Në vlerësim të kontributit të çmuar dhe veprimtarisë së tij të vyer shkencore prej gati gjashtë dekadash në shërbim të
gjuhësisë dhe studimit krahasues tipologjik të sistemit fonetik të shqipes letrare, si dhe historisë së formimit të shqipes së sotme standarde.”
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës çmoi lart figurën e Profesor Becit për kontributin e çmuar dhe veprimtarinë e vyer shkencore në shërbim të gjuhësisë dhe studimit krahasues tipologjik të sistemit fonetik të shqipes letrare, si dhe historisë së formimit të shqipes së sotme standarde.
“Dëshiroj të vë në pah prezantimin dinjitoz nga ana e tij të gjuhës shqipe, si gur themeli i një trashëgimie të pasur të një kombi ndër më të vjetrit në Ballkan dhe në Evropë, edhe përmes botimit të mbi 150 artikujve studimorë në revista brenda dhe jashtë vendit, si në Austri, Greqi, Francë, Itali, Rumani, etj.” – u shpreh Presidenti Nishani.
“Jam informuar se një nga tiparet dalluese e më të veçanta të punës së tij të palodhur ka qenë se studimet dhe përfundimet shkencore janë mbështetur gjithmonë në vëzhgimet që ka kryer vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në terren, aty ku gjuha gjallon e pulson përditë, duke hulumtuar me durim dhe stoicizëm për rreth njëzet vite.” – theksoi Presidenti.
Kontributi i vyer i Profesor Becit, – nënvizoi Kreu i Shtetit – ka përfshirë edhe hartimin e dhjetëra teksteve shkollore dhe gramatikave, të cilat përdoren dhe studiohen me ëndje nga fëmijë dhe breza të rinj të etur për të nxënë dhe zotëruar siç duhet gjuhën letrare anembanë Shqipërisë, Kosovës, dhe Malit të Zi.”
Presidenti Nishani gjatë fjalës së rastit bëri apel për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe nga gjuhëtarët, gazetarët, shkrimtarët, figurat publike, mësuesit.
“Në vlerësim dhe nderim të punës dhe përpjekjeve të tij të palodhura dhe kontributit të çmuar shkencor e ndiej veten të privilegjuar që si President i Republikës ta vlerësoj në mënyrë më se të merituar Profesor Bahri Becin me dekoratën ‘Për Merita të Veçanta Civile’.” – tha në mbyllje të fjalës së tij Kreu i Shtetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/