Kosova sot do të nënshkruajë në Strasburg marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian. Do të jetë Kryeministri Isa Mustafa ai i cili do të firmosë dokumentin së bashku me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Federika Mogherini.
Kjo marrëveshje është cilësuar si e një rëndësie historike për integrimin, politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës ne Bashkimin Europian.
Vetë Kryeministri Mustafa ka theksuar se me këtë marrëveshje përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës, në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Europian. Ky nënshkrim vjen vetëm 1 javë pas votës historike që i hapi rrugën Kosovës për t’u anëtarësuar për në UNESCO, anëtarësim i cili pritet të finalizohet më 9 nëntor.
Po ashtu, MSA-ja vjen në kohën kur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një çështje shumë e diskutuar në hollet e kancelarive europiane.
Por çfarë vjen më pas? Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje mes Kosovës dhe BE-së, do të duhet ratifikimi i saj në 28 parlamentet anëtare të Bashkimit Europian, një proces që nuk duket se do jetë dhe aq i lehtë, kur në mes, janë dhe 5 shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Shqipërisë ju deshën plot 3 vite pritje, deri në ratifikimin e MSA-së nga të 25 parlamentet e vendeve anëtare në atë kohë. Por në kushtet e Kosovës, ku në mes janë parlamentet e Greqisë, Spanjës, Rumanisë, Qipros dhe Sllovakisë, duket se pritja, debatet dhe lobimet do të jenë shumë më të fuqishme dhe do të marrin kohë. Me rëndësi sot është firma që do të hidhet.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/