Dhuna nuk mund të pushojë në fushat ku luajnë skuadrat e Kategorisë së Dytë. Ajo është shfaqur sërish dhe në mënyrën më të ashpër e të egër të mundshme në qytetin e Tepelenës. Të akordosh një penallti për skuadrën kundërshtare në një fushë të Kategorisë së Dytë vazhdon të mbetet akti më i rëndë që mund të bëjë një arbitër. Pasi më pas e pret një sulm i ashpër nga të gjithë, lojtarët, stafi teknik dhe tifozë që hyjnë në fushë. Pikërisht, kështu i ka ndodhur arbitrit kryesor dhe ndihmësve të tij në kryendeshjen e javës së 4- t të Kategorisë së Dytë në Grupin B, Tepelena-Naftëtari.
Vendësit e Tepelenës pretendojnë për një penallti në minutën e 52-të kur rezultati ishte 1-1, por arbitri Sheka nuk mendon kështu. Në të 80-ën, kur Tepelena udhëhiqte 2-1, gjyqtari akordon 11-metërsh për Naftëtarin. Në këtë moment nis një sulm i egër ndaj tij nga lojtarët në fushë dhe pjesëtarë të stafit në pankinë që e godasin gjyqtarin me shkelma dhe grushte. Madje, në fushë hyjnë edhe tifozë u afrohen arbitrave dhe i sulmojnë. Në pak sekonda krijohet kaos dhe forcat e rendit dynden në fushë duke rrethuar gjyqtarët për ti mbrojtur. Por, vrulli i vendësve është i vështirë të ndalet dhe duhen disa minuta. Pasi qetësohet situata, gjyqtarët e takimit së bashku me delegatin dhe vëzhguesin mblidhen në një cep të fushës të rrethuar nga forcat e shumta policore dhe, pas rreth tetë minutash, vendosin që takimi të rinisë. Topi vendoset te pika e bardhë dhe Koroveshi shënon dhe barazon rezultatin.
Pavarësisht ndërprerjes së gjatë, arbitri nuk e ka vazhduar lojën pas goditjes së penalltisë më shumë se tre minuta, në një kohë që duhet të ishin dhënë shumë shtesë. Edhe pas përfundimit të lojës, tensioni te tifozëria vendëse ka qenë shumë i madh dhe protestat e tyre kanë vazhduar. Skuadrës së Naftëtarit i është dashur rreth një orë për të dalë nga qyteti i Tepelenës i shoqëruar nga forcat e rendit. Një futboll i tillë nuk i duhet askujt.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/