Vendimi i qeverisë në mars 2015, urdhëroi të gjitha ministritë që të transferojnë fondet për makinat e titullarëve tek Garda e Republikës, e cila u ngarkua të prokurojë 44 automjete, por me kontratë sekret, një VKM e cila nuk u publikua nga kryeministria.al, në ditën që u miratua.
Qeveria shqiptare ka ndërmend të blejë 44 makina me qira financiare përmes një procedure prokurimi sekrete të organizuar nga Garda e Republikës. Një vendim i qeverisë i 19 marsit 2015, i cili nuk u publikua në faqen e qeverisë kryeministria.al në atë kohë, urdhëron të gjitha institucionet shtetërore të dorëzojnë te Garda e Republikës fondet që kanë në dispozicion për makinat e titullarëve si dhe ngarkon gardën të kryejë procedurat e per marrjen e mjeteve të reja.
Lajmi u publikua fillimisht nga Vizion Plus, i cili njoftoi pak ditë më parë se makinat që do të blihen janë të markës Jaguar dhe se kushtojnë 95 mijë USD copa. Vendimi i qeverisë thotë se Garda do të blejë gjithsej 44 automjete, nga të cilat, 8 për kryeministrin, 14 për këshillin e ministrave, 4 për kryetarin e Kuvendit, 2 për presidentin dhe nga një për 16 ministri të tjera të linjës. Vendimi i qeverisë i jep gjithashtu të drejtë Gardës së Republikës që të mos ndjekë procedurat normale të prokurimit me garë duke argumentuar se çështja është sekret shtetëror për arsye sigurie. Përveç tetë makinave që do të blihen për ‘titullarin e institucionit’ të kryeministrisë, vendimi i qeverisë i kërkon gardës të blejë edhe 14 makina të tjera për ‘aparatin e institucionit’. Kryeministria është i vetmi institucion që do të blejë makina jo vetëm për titullarin, por edhe për aparatin. Ministritë e tjera do të blejnë nga vetëm një makinë secila.
Kostoja e kësaj blerjeje nuk është e qartë dhe transparente. Vendimi thotë se “Garda e Republikës së Shqipërisë, si organi qendror blerës, të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuar për çdo institucion”, pa sqaruar se për sa fonde bëhet fjalë. Vendimi i qeverisë nuk është publikuar në faqen kryeministria.al, siç veprohet zakonisht me vendimet, duke shënuar një rast tjetër të mungesës së transparencës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/