Robert De Niro, aktori i cili me një rast ka deklaruar se ka gjak shqiptari, do të luajë rolin e diktatorit serb Sllobodan Millosheviq, në një projekt të ri filmik në Holivud.
Filmi temë kryesore do të ketë kriminelin serb Zheljko Razhnjatoviq- Arkan, i njohur për krimet në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, kanë shkruar mediumet serbe.
Sipas tyre, emri i filmit do të jetë “Kërcimi i Tigrit”, kurse rolin e Millosheviqit ka gjasa ta luajë Robert De Niro.
Ende nuk dihet kush do të luajë rolin e Arkanit, por thuhet se kanë qenë të interesuar disa aktorë serbë. Rolin e bashkëshortes së Arkanit, këngëtares serbe me emër Ceca, paralajmërohet se do ta luajë aktorja e njohur e Holivudit, Eva Mendez.
Ky film do të xhirohet sipas librit “Arkan” të autorit serb Vlladimir Gjorgjeviq. Ai ka thënë se fokusi i filmit do të jetë i vendosur te jeta reale e mafisë dhe aktiviteteve të tyre kriminale.
“Në rrëfimin tonë do të fokusohemi te raporti i personazhit kryesor me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe me bashkëshorten e cila është këngëtare. De Niro është mjaft i interesuar për këtë projekt dhe dëshiron ta luajë rolin e Sllobodan Millosheviqit”, ka deklaruar Gjorgjeviq.
Sipas tij, xhirimet do të fillojnë në vitin 2016 në Serbi, Suedi, SHBA dhe në Mal të Zi. Buxheti i filmit do të jetë 7.5 milionë dollarë, kurse producentët shpresojnë se do të arrijnë sukses të madh në tregun e Evropës Lindore dhe në Rusi. b.s
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/