Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar konsultime me shoqatën e biznesit në qytetin e Lezhës ku ka shpalosur disa pika të platformës së demokratëve siç është e rritja e kufirit të biznesit të vogël.
“Për biznesin e vogël parashikojmë rritjen e kufirit deri në 120 milionë lekë të vjetra dhe parashikojmë katër shkallë tatimore. Pagesat e kësaj takse do të konfirmohen përmes një shenjë të dukshme, një pulle fiskale në vitrinën, në një ambient të dukshëm të biznesit të vogël. Vendosja e kësaj pulle, është ndalim kalimi për tatimorët. Asnjë agjent tatimor nuk do të mund të ushtrojë arbitraritetin e tij, asnjë inspektor tatimorë nuk mund të hyjë në një biznes që ka demonstruar pullat e pagesës së rregullt në xhamin e vitrinës, dritares, apo ambienteve” theksoi kreu i demokratëve.
Po kështu, Basha bëri te ditur uljen me 6 % të nivelit të taksës së tatim fitimit dhe vendosjen e taksës së sheshte në masën 9% më të ultën në rajon.
“Për biznesin e madh vendosja e taksës së sheshtë prej 9%, pra ulja me 6% e nivelit aktual të taksës. Sipas simulimeve tona fillestare vetëm kjo masë riqarkullon në ekonomi, afro 450-500 milionë euro. Janë para të cilat mund dhe duhen, të destinohen për të hapur vende të reja pune, për të rritur kapacitetet prodhuese apo të shërbimit, pra për ti dhënë një impuls ekonomisë. Rreth 500 milionë euro forcojnë konsumin, rikthejnë besimin në ekonomi, rikthen besimin tek tregu, pra bën një klimë pozitive për investime, për punësim. 500 milionë të cilat nuk përfundojnë në buxhetin e shtetit, por përfundojnë në xhepat e oligarkisë dhe pushtetarëve të korruptuar. Këto para do ti rikthehen tregut, konsumatorëve, të punësuarve ekzistues dhe të rinjë, investimeve nga biznesi, ky është objektiv madhor i platformës tonë”,- u shpreh zoti Basha
Duke iu pergjigjur shqetësimit të biznesit, zoti Basha ka theksuar se do të ulet deri në nivelin 1% TVSH-ja për energjinë dhe uljen me 240 lekë të taksës së qarkullimit.
“Masa drastike sa i përket dy komponentëve kyç për ekonominë, që janë nafta dhe energjia elektrike. Si pjesë e platformës tonë do të jetë reduktimi i menjëhershëm i taksës së qarkullimit me një shumë prej 24 lekësh të reja, apo 240 lekësh të vjetra. Ulja e çmimit të naftës me 240 lekë të vjetra është një impuls i madh për ekonominë”, tha Basha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/