Në Belgjikë, pritet të nisë sot procesi gjyqësor ndaj deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars 1999 në një stacion treni në Bruksel. Frroku ishte dënuar me 10 vite burg, por çështja u kthye për rigjykim, pasi u vërejtën shkelje të shumta procedurale.
Ndryshe nga sa shpresonte deputeti kristiandemokrat, procesi do të zhvillohet në mungesë të tij. Ai ka kërkuar të jetë i pranishëm dhe të dëgjohet nga drejtësia belge, por, Gjykata e Lartë shqiptare ia rrëzoi kërkesën si të pabazuar në prova e fakte. Në proces atje, pritet të përfaqësohet nga avokatja belge Carinne Couqelet, e cila pas arrestimit të Frrokut mbërriti në Tiranë dhe mori kontakt me të për t’u konsultuar.
Deputeti Mark Frroku, akuzohet nga prokuroria belge për vrasjen e Kurtit, për shkak se ai shoqërohej me një vajzë shqiptare me inicialet L. A., e cila shfrytëzohej për prostitucion nga njëri prej vëllezërve të tij. Bashkë me Frrokun do të gjykohen edhe të dyshuarit e tjerë, Besnik Vuka, Hilë Morina, Lek Bib Xhafa dhe Alfred Kola, edhe këta, më herët janë dënuar me nga dhjetë vite, por çështja u kthye nga e para.
Vetë Mark Frroku pretendon se nuk ka lidhje me vrasjen e Aleksandër Kurtit, dhe se do ta provojë pafajësinë e tij.
Për të njëjtën akuzë që sot do të gjykohet në Belgjikë, kristiandemokrati po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme. Pas arrestimit gjashtë muaj më parë, prokuroria ka ngritur ndaj tij dhe akuza të tjera, si “pastrim parash”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “fshehje pasurie”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/