Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë këtë të hënë në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Lezhës për Nënë Terezën.
“Nënë Tereza ishte një njeri me shpirt të madh, që sakrifikoi për të varfrit”, është shprehur Basha në fjalën e tij.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, e ka cilësuar lumturimin e Nënë Terezës, si një ditë të veçantë për mbarë kombin shqiptar.
“Kjo është një ditë e veçantë për mbarë kombin shqiptar dhe ne të gjithë krenohemi me Nënë Terezën. Të gjithë mendojmë çdo ditë, pasi jemi në kohë të vështira në të gjithë familjet shqiptare dhe për këtë duhet një reflektim. Forca e Nënë Terezës është e jashtëzakonshme e cila ishte kudo e pranishme duke ndihmuar njerëzit më të vuajtur në mbarë botën. Ajo na ka dhënë një shembull të madh duke ndihmuar çdo kënd”, është shprehur lideri i opozitës.
Sot, ka vijuar kreu i opozitës, duhet të reflektojmë për të mbështetur njëri-tjetrin. Për Bashën, Nënë Tereza duhet të shërbejë si shembull për të gjithë, kryesisht për politikanët.
“Ne duhet të bëhemi bashkë për të mirën e këtij vendi, kjo për të flakur të keqen që ka gllabëruar këtë vend”, tha Basha.
Në aktivitetin e organizuar me këtë rast janë shfaqur imazhe nga jeta e humanistes shqiptare Nënë Tereza si dhe janë interpretuar këngë dhe poezi kushtuar kësaj figure të madhe të kombit Shqiptar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/