Partia Demokratike ka zhvilluar dje procesin e analizës për Bashkinë e Gjirokastrës, duke synuar të evidentojë përgjegjësit konkretë për humbjen në zgjedhjet e 21 qershorit. Pjesë e grupit të dërguar nga PD-ja për nxjerrjen e përgjegjësive konkrete në bazë ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i deleguar i PD-së në zgjedhjet vendore, Tritan Shehu, dhe i deleguar i PDsë në Dropull, ish-ministri Spiro Ksera.
Kryetari i Degës së PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, e ka cilësuar mbledhjen pozitive, duke theksuar se pavarësisht problemeve të brendshme të strukturave, pjesa më e madhe e përgjegjësisë për humbjen ishte nga presioni i ushtruar nga përfaqësuesit e qeverisë.
“Nuk ka prerje kokash, analiza shërben sepse strukturat flasin atë që mendojnë. Në lidhje me rolin tim si kryetar i degës u diskutua për punën që është bërë. Për bashkëpunimin me organizatat partnere, të rrisim numrin e anëtarëve, t’i bëjmë strukturat eficente”, tha Bejko.
Të njëjtin qëndrim lidhur me shkaqet e humbjes së PD-së në Gjirokastër ka pasur edhe kandidati i opozitës për këtë bashki, Igli Kokalari. Sipas tij, edhe prezenca e deputetit të Gjirokastrës, Genc Ruli, në fushatë nuk do të sillte tjetër rezultat.
“Ne nuk luftuam me mullinjtë e erës, ne luftuam ndaj një kandidati real që ishte Vangjel Tavo. Ruli nuk ishte sepse ishte vendosur nga Basha që të ishte i deleguar në Korçë. Nuk them që po të kishte qenë Ruli këtu, do të isha shpallur fitues”, tha Kokalari.
Gjatë mbledhjes nuk është diskutuar lidhur me deklaratat e bëra nga kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, kundër disa ish-ministrave të djathtë, ndërkohë që vetë Ristani ka kërkuar publikisht që deklaratat e tyre të jenë më etike.
“Ajo që është diskutuar është etika, disa kryetarë degësh kanë përdorur retorikë fyese, pa përmbajtje në raport me politikat e partisë. Çështja nuk është pse ata kritikojnë, por pse nuk janë etikë. Etika është një kusht pa të cilin nuk mund të krijojmë harmoninë e duhur”, tha Ristani.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/