Partia Demokratike i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, përmes së cilës e paralajmëron se ka shkelur marrëveshjen e 2 dhjetorit për dekriminalizimin.
Në letrën e Oerd Bylykbashit, kryetar i komisionit për dekriminalizimin, kërkohet që iniciativat ligjore për dekriminalizimin të jenë brenda fushës së veprimit të Komisionit të Posaçëm dhe t’i hiqen Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit.
“Për adresimin e fenomenit të kriminalizimit të jetës publike, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend të dy iniciativave ligjore, që përfshihen tërësisht brenda fushës së veprimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Mirëpo, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit si dhe me nenin 24 të Rregullores së Kuvendit, në Programin e Punës së Kuvendit dhe Kalendarin e Punimeve, janë përcaktuar si struktura përgjegjëse për shqyrtimin e tyre Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit. Në këtë pikë, sjellim në vëmendjen tuaj se këto struktura do të ishin përgjegjëse për shqyrtimin e këtyre iniciativave vetëm në rast se Kuvendi nuk do të kishte ngritur një strukturë të posaçme (siç është Komisioni i Posaçëm). Në programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit duhet të përcaktohet si strukturë përgjegjëse për shqyrtimin e të dyja iniciativave pikërisht Komisioni i Posaçëm”, lexohet në letrën e Bylykbashit drejtuar Metës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/