Letra e plote e Spartak Brahos: Garanci nga Rama e Basha për...

Letra e plote e Spartak Brahos: Garanci nga Rama e Basha për Kastriot Ismailaj

206
0
Shares

News 24 ka zbardhur letrën e plotë të deputetit Spartak Braho për zyrtarët më të lartë të shtetit. Ndër gjërat panjohura të kësaj letre bie në sy përgjimi i pretenduar i takimit të Doshit me Vojsava Ismailaj ku ndër të tjera thuhet se ata i premtuan në emër të Ramës dhe Bashës mbështetje që Ismaili të dalë nga burgu nëse ai do të dëshmojë kundër Metës në gjyq.

Letra e Brahos u bë në kulmin e akuzave ndaj Ilir Metës për përfshirjen e tij në marrëveshjen qindramilionëshe, CEZ-DIA.

Letra e plotë

Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë dua t’ju informoj se nga burime të sigurta më konfirmohet se ekzistojnë dhe janë duke u ndërmarrë përpjekje serioze për realizimin e një skenari ogurzi që synon shkaktimin e kaosit dhe destabilitetit politik në vend dhe që ka për autorë kryesorë deputetin në gjykim Tom Doshi dhe ish-deputetin Dritan Prifti, gjithashtu nën hetim.

Tom Doshi dhe Dritan Prifti janë dy të njohur të vjetër të Kastriot Ismailaj, i cili ndodhet I arrestuar nën akuzën e pastrimit të parave, por njëkohësisht edhe personazhi kryesor në çështjen CEZ-DIA.

Ata kanë kontaktuar dhe vazhdojnë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarë të sipërpërmendurit dhe në veçanti me bashkëshorten e tij Vojsava Ismailaj, për të përfshirë këtë të fundit përmes një skeme mashtrimi, shantazhi dhe me premtimin për të liruar nga akuza Kastriot Ismailajn, në këmbim të deklaratave ose intervistave që synojnë implikimin e Kryetarit të Kuvendit në skandalin CEZ-DIA dhe vazhdimin e skenarit të mëparshëm destabilizues.

Këto burim më konfirmojnë se takimi më i fundit mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Vojsava Ismailajt është zhvilluar në Hotel Sheraton, ditën e Mërkurë, datë 23 Shtator 2015, duke filluar nga ora 14.31. Të njëjtat burime konfirmojnë se Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë thënë Vojsava Ismailajt se bashkëshorti i saj mbahet i arrestuar me porosi të Kryetarit të Kuvendit.

Sipas burimeve, Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë dhënë garanci Vosjava Ismailajt në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha për lirimin e bashkëshortit në këmbim të deklaratave apo intervistave të saj apo të bashkëshortit të saj që do të implikonin Kryetarin e Kuvendit, madje duke përmendur edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si të interesuar në eliminimin politik të Ilir Metës.

Këto burime më bëjnë gjithashtu të ditur se pasi dështuan të ndikojnë përmes avokatit Vladimir Meçi, i cili mbron çështjet e Tom Doshit dhe Kastriot Ismailajt, këto ditë Tom Doshi i ka kërkuar Vojsav Ismailajt të takohen jashtë qytetit të Tiranës për të konkluduar marrëveshjen e tyre, duke i premtuar edhe largimin e saj dhe të familjes jashtë Shqipërisë.

Në këto kushte, duke patur parasysh precedentin e skenarit të dështuar kriminal që po gjykohet nga organet kompetente, i cili synonte të përfshinte dhe akuzonte Kryetarin e Kuvendit si porositës të ekzekutimit të dy deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi, me protagonist të pandehurin Durim Bami dhe deklarimin e dhënë nga ky i fundit nën kërcënimin e armëve, si dhe rrezikshmërinë e lartë shoqërore që paraqet Tom Doshi, në cilësinë time si Kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend dhe i ndërgjegjshëm për pasojat që mund të kenë për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, presionet dhe veprimet kriminale të personave të përfshirë në këtë përpjekje për destabilitet dhe kaos, kërkoj:

Marrjen e masave për mbrojtjen fizike të Vojsava Ismailajt dhe familjes së saj, për të shmangur kërcënimet apo edhe më rëndë akoma, pengmarrjen e saj, për ta detyruar për të dhënë deklarata apo intervista që do të zhvendosnin vëmendjen apo devijonin qëllimin e hetimit të aferës CEZ-DIA.

Paralajmërimi për këtë skenar që është duke u zhvilluar nuk duhet neglizhuar pasi Tom Doshi dhe Dritan Prifti, janë edhe protagonistët kryesorë të vetëdeklaruar sit ë tillë të ngjarjeve që prodhuan dhunën e 21 Janarit 2011.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY