ZIRKON DISHA/ I dashur Ballist!

ZIRKON DISHA/ I dashur Ballist!

70
0
Shares

I dashur Ballist,

Po shkruaj një letër te hapur, dhe po ta drejtoj ty.

Atje ku ndodhesh tani, pak të hyjnë në punë letrat. E kam ndjekur aventurën tënde, një sfidë e realizuar me një guxim prej të marri, me kurajon e një heroi alternativ, i cili besoi tek diçka që askush tjetër s’mund ta përfytyronte. Shumëkush të sheh si “hero”, dikush si të marrë, disa si mashtrues të rëndomtë, disa të tjerë si të shitur dhe tradhëtar.

Pak rëndësi ka, tashmë të gjithë të shohin!

Unë të shoh pak ndryshe, ndryshe nga ato çfarë ke shprehur, ndryshe nga ajo që media ka shkruar, ndryshe nga shumë nga miqtë e tu.

Të shoh si një shpirt unik i cili deshi të thotë dicka në mënyrën që vetëm ai di ta bëjë. Nuk të shoh as si “hero” as “tradhëtar’ as si të marrë.. të shoh si një djalë i cili kishte një vizion, një ëndërr dhe me gjenialitetin e një fëmije harakat arriti ta realizojë atë.

I dashur Ballist, çdo fëmijë në llojin e vet është një gjeni të cilin të rriturit nuk mund ta kuptojnë, aq më pak analistët, politikanët, biznesmenët. Por ti tashmë nuk je më një fëmijë. Je mjaftueshmërisht i rritur sa për tu futur në burg. Dhe sot ti ndodhesh në qeli.

Nuk je rastesisht atje. Ti duhet të ishe atje!

Duhet të ishe atje, sepse në një vend si ky njerëzit si ti, njerezit që ëndërrojnë dhe dinë ti ti realizojnë ëndërrat e veta nuk mund të jenë të lirë. Ty i dashur Ballist, ta kanë hequr lirinë fizike, sepse ti, si çdo qenie njerezore ke dobësitë e tua. Këto dobësi i ka çdo njeri, por sistemi ynë politiko­mafioz di ti shfrytezojë më së miri.

Unë dua të të pyes:

Kush të keshilloi të mbaje armë?

Kush të tha që jeta jote ishte në rrezik dhe arma jote do ta mbronte? Kush?

Sa herë që përmbytesh nga një valë ngjarjesh, po të mbyllësh sytë e të kujtosh sa “miq” të kanë uruar, këshilluar, ndoshta dhe ndihmuar, atëherë ndoshta do të mund ta kuptosh. Ta kuptosh çfarë shkoi keq! Asnjëherë nuk do e dish me saktësi se cila ishte këshilla më e mirë apo ajo më e keqe, por së paku do kuptosh se cilët kanë qenë disa nga ata që nuk janë miqtë e vërtetë. Ne nuk mund ti vëmë emër atij që të dërgoi aty ku ndodhesh sot, por duhet të kuptosh se nuk gjendesh rastësisht aty.

Ajo çka po të ndodh tani, duhet të të bëjë të mendohesh.

Thonë se mendimet në qeli janë të ftohta si hekurat dhe të zhurmshme si çelësi i saj.

Ti i dashur Ballist, së shpejti do të jesh i lirë. Do jesh i lirë shpejt, por s’di të them se cili do të jetë kuptimi i lirisë tënde! Sepse ky sistem tashmë i ka farkëtuar dhe kalitur mekanizmat e robërisë për ata që janë jashtë. Së shpejti ti do të jesh po aq jashtë, dhe po aq brenda sa të gjithë ne. Por asgjë, as realiteti, sado fisnik i burgut, as gënjeshtra, sado e ulët, e lirisë jashtë tij, nuk mund ta mbajë mbyllur një njeri që ëndërron…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY