Tetë vende të BE dhe disa vende të tjera ish komuniste kanë rënë dakord me nismën e qeverisë së Estonisë për krijimin e një trupe ndërkombëtare për hetimin dhe gjykimin e krimeve të komunizmit, sipas modelit të gjyqit të Nurembergut
Shqipëria, vendi më i vuajtur nga regjimi komunist, ka bërë më pak se çdo vend tjetër për ndarjen me të kaluarën, vendosjen e drejtësisë dhe të paqes sociale
Përmes një letre zyrtare adresuar Ministrit të Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës, si dhe Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të partive politike parlamentare, Instituti i Studimeve Politike i kërkon qeverisë shqiptare të japë miratimin për bashkimin e Shqipërisë me nismën e qeverisë së Estonisë dhe të Bashkimit Evropian për hetim ndërkombëtar të krimeve të komunizmit dhe gjykimin e personave përgjegjës.
Konkretisht, në letrën e ISP adresuar Ministrit të Drejtësisë dhe për dijeni institucioneve të tjera kushtetuese dhe politike, theksohet se Shqipëria ka nevojë sociale, interes publik dhe shumë më tepër arsye për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për të aplikuar të njëjtën praktikë në gjykimin e krimeve të komunizmit dhe personave përgjegjës të tyre. Vlerësimi se zbardhja e krimeve të komunizmit përbën garanci për parandalimin e çdo forme të genocidit të motivuar ideologjik në të ardhmen, theksuar me forcë nga shteti iniciator, vlen shumë dhe mbetet aktuale edhe për Shqipërinë. Nisma nuk kërkon hakmarrje dhe as revansh, nuk provokon padrejtësi të reja dhe as forma diskriminimi ndaj të drejtave të njeriut, por lartëson drejtësinë dhe paqen sociale, të vërtetën dhe vlerat e larta morale të shoqërive të hapura, thuhet ne letren e ISP dhe drejtorit te saj Afrim Krasniqi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/