Shqipëtarët që duan të shohin eleminatorët e evropianit dhe këtë vendim e kanë marrë pas kualifikimit të Shqipërisë kanë mjaft shanse pavarësisht se faza e parë e blerjes së biletave ëhstë mbyllë.
Faza e dytë e përcaktimit të biletave do të bëhet pas datës 12 dhjetor, kur do të hidhet edhe shorti. Pasi të mësohen se si do ndahen grupet, datat e ndeshjeve dhe stadiumet respektive, do fillojë edhe faza tjetër e shpërndarjes së biletave. Secili ekip pjesëmarrës do të ketë një përqindje të caktuar në stadium, me bileta për tifozët e vet. Burimet zyrtare në FSHF konfirmuan ditën e djeshme se përqindja nuk është caktuar akoma specifikisht nga UEFA.
Gjithsesi, ndarja e biletave nuk do të jetë vetëm një zonë të stadiumit, ku do të pozicionohen tifozët e zjarrtë. Por, do ketë mundësi edhe për zonat mikse.
UEFA do nxjerrë në uebsajtin e saj mundësinë për të aplikuar për biletë. Në këtë rast, Federata Shqiptare e Futbollit do ketë një rol asistues, për të ndihmuar në mirorganizimin e tifozëve apo përzgjedhjen e tyre. Për shkak të fluksit të madh të kërkesave, ekziston mundësia që vetë UEFA të praktikojë një short elektronik për të caktuar të përzgjedhurit që do të kenë fatin të ndjekin ndeshjet në stadium.
Numri i biletave për tifozëritë e skuadrave pjesëmarrëse, do të jetë i njëjtë për secilën nga dy ekipet që do përballen. Gjithsesi, do të jetë varësi edhe kapaciteti i stadiumit. Sa më i madh, aq më i lartë do jetë edhe numri i biletave në dispozicion.
Në linkun që do të ofrojë uebsajti zyrtar i UEFA-s, secili mund të shkruajë gjeneralitetet dhe të bëjë prenotim nëpërmjet kartës së kreditit. Më pas, do të njoftohet nëse ai ka arritur të jetë përzgjedhur për të marrë një biletë apo jo. Çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër e mbiemër dhe maksimumi që mund të marrë një individ, janë katër bileta, për katër ndeshje të ndryshme të kompeticionit. Fation Shehu
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/