Azil në Gjermani përfitojnë njerëzit, që janë të përndjekur politikisht. Përsa i përket qytetarëve nga të ashtuquajturat “vende të sigurta të origjinës” Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë, supozon se ata nuk janë të rrezikuar nga përndjekja politike.
Megjithatë prej supozimit se kërkesa është e pajustifikuar, nuk shfuqizohet procedura e azilit në Gjermani. Detyra e autoriteteve për shqyrtimin e secilit rast vazhdon të mbetet. Azilkërkuesi duhet të dëgjohet dhe vazhdon të gëzojë të drejtën e ankimit kundër refuzimit të kërkesës për azil. Megjithatë shanset e suksesit të një ankese kundër vendimit janë minimale. Kuotat e njohjes së kërkesave për azil në gusht e demonstrojnë këtë qartë: nga Maqedonia 0,4 për qind të refugjatëve u është njohur e drejta për azil, nga Serbia 0,1, nga Shqipëria 0,2 dhe Kosova 0,3 për qind.
Nëse kërkesa për azil e një personi refuzohet, kjo bëhet gjithmonë me shkrim dhe në gjuhën gjermane, shpesh edhe e përkthyer në gjuhën e vendit nga vjen personi. Më pas ka dy mundësi: ose personi duhet të largohet nga Gjermania brenda afatit të caktuar, ose ai e kundërshton këtë vendim me rrugë ligjore.
Çfarë ndodh pas refuzimit të kërkesës për azil?
Nëse ka një vendim përfundimtar negativ, autoritetet e imigracionit apo Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë përcakton afatin kohor, brenda të cilit duhet bërë largimi nga Gjermania. Këto afate arrijnë zakonisht deri në një muaj. Brenda kësaj periudhe, kështu është logjike, duhet bërë ndarja nga të njohurit, të rregullohen gjërat, të çregjistrohen fëmijët nga shkolla. Gjatë këtij afati paguhen madje akoma përfitimet sociale dhe personi gëzon sigurimin social në Gjermani.
Pas skadimit të afatit mund të bëhet dëbimi i detyruar, herët apo vonë në varësi të landit federal. Zakonisht nuk jepen data konkrete. Mund të ndodhë që policia ta kryejë dëbimin në mes të natës. Atëherë mbetet pak kohë për të mbledhur plaçkat, apo për të thënë lamtumirë.
Joshje për t’u larguar vullnetar
Autoritetet në Gjermani i këshillojnë azilkërkuesit e refuzuar që të largohen vullnetarisht. Ndryshime ka nga landi në land. Në Hamburg zyra e të huajve ka publikuar një llogaritje model në faqen e saj. Aty merren përsipër shpenzimet e udhëtimit, përmendet edhe mundësia e marrjes së një mbështetjeje të mëtejshme financiare për ushqim dhe për “lehtësimin e riintegrimit në vendin e origjinës”, thuhet në faqen e internetit të zyrës së të huajve Hamburg. Shifra të sakta nuk jepen, ato janë të ndryshme nga rasti në rast, përgjigjet kjo zyrë,shkruan dw.
Shifra konkrete jepen vetëm për rastin, nëse dikush nuk largohet vullnetarisht. Një biletë ajrore brenda Evropës mund të blihet për 150 euro, nëse kujdesesh për të vullnetarisht dhe në kohë. Në qoftë se deboheni me detyrim shpenzimet mund të jenë 4-5 fish më të larta, përveç kësaj shpenzimet e deportimit duhet t’i paguash vetë, me 111,40 euro në ditë. Kush largohet vullnetarisht mund të hyjë përsëri në BE apo në Gjermani. Kush është dëbuar nuk lejohet më.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/