Ish-Presidenti Bamir Topi, një nga aleatët e koalicionit qeveritar ka kërkuar sot ndryshime rrënjësore në qeveri. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ai tha se ndryshimet në qeveri janë më se të nevojshme.
“Është e drejtë kushtetuese e kryeministrit. Për sa kohë e thotë edhe zoti Meta. Nuk është çështje impulsi, është nevoja për një riformatim rrënjësor të kabinetit”, tha ai duke mbështetur idenë e kryetarit të LSI-së. Por ndërkaq duke folur për dekriminalizimin, kreu i FRD-së deklaroi se parlamenti ka nevojë të dekriminalizohet, një tezë kjo që është ngritur dhe problematizuar nga kreu i opozitës Lulzim Basha.
Kreu i FRD-së ka folur edhe për marrëdhëniet në maxhorancë, të cilat i ka cilësuar të brishta, por sipas Topit koalicioni do të vijojë deri në fund të mandatit.
“Natyrisht që i takon atyre, sa kohë dy kryetarët e dy partive në koalicion i veshin me vello tymi, por besoj se Shqipëria është vend i vogël dhe gjërat merren vesh pavarësisht artikulimeve. Marrëdhënie e brishtë, nuk ka qenë më si ka qenë. Gjërat duhen thënë troç, duhen thënë drejtë. Është më mirë e më frytdhënëse edhe për ata që të kanë votuar. Por në këndvështrimin tim, ky koalicion do të vazhdojë deri në fund të mandatit. Është çështje interesash politike”, theksoi Topi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/