Prokuroria e Vlorës dërgon për gjykim kërkesën për shtetasin Timotheo Dhimolea, i akuzuar për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” më shumë se një herë, në bazë të të cilave ka përfituar rreth 12.8 hektarë tokë pyjore në zonën e Palasës, e cila është sekuestruar para pak javësh me urdhër të Prokurorisë.
Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Vlorë, ka regjistruar procedimin penal me nr. 1946 viti 2014, për veprat penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe “shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal.
Objekt i hetimeve të këtij procedimi penal janë një sërë vendimesh të dhëna nga AKKP Vlorë, si dhe veprimet e kryera nga personat e interesuar në lidhje me dokumentacionin e depozituar për njohjen e kthimin e pronës, si dhe regjistrimin e tyre në ZVRPP apo veprimet e tjera të mëtejshme për kryerjen e transaksioneve për pronën e paluajtshme të fituar.
Midis të tjerave, nga hetimet ka rezultuar se emër të trashëgimtarëve të Petro Dhimolea, në ZVRPP Vlorë është regjistruar në regjistrin hipotekor, në numrin rendor nr. 186, datë 06.06.2012 pasuria e paluajtshme prej 12.8 ha tokë pyjore, e ndodhur në vendin e quajtur Maitka, fshati Palasë, Bashkia Himarë.
Ky regjistrim është kryer mbi bazën e aplikimit të datës 01.03.2012 të kryer nga shtetasi Timotheo Dhimolea, i cili është një trashëgimtarët e subjektit Petro Dhimolea. Si titull i pronësisë në këtë rast është përdorur dokumenti “vendim nr. 425, datë 30.12.2008 i AKKP Vlorë”, i shoqëruar me plan-vendosjen e pronës, sipas të cilit është vendosur njohja e pronësisë dhe kthimi i një sipërfaqe prej 12.8 ha, ndodhur në vendin e quajtur Maitka, fshati Palasë.
Nga hetimet e kryera si dhe nga akti i ekspertimit tekniko grafik me nr. 8295, datë 24.08.2015 i Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë ka rezultuar se, vendimi me nr. 425, datë 30.12.2008 i AKKP Vlorë, i si dhe plan-vendosja e pronës bashkëngjitur këtij vendimi, janë dokumente me përmbajtje të falsifikuar.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton e provuar tërësisht se sipërfaqja e pasurisë së paluajtshme me sipërfaqe totale prej 128.000 m² tokë pyjore është regjistruar në emër të trashëgimtarëve të Petro Dhimoleo me anë të dokumenteve të falsifikuara.
Lidhur me rrethanat e mësipërme, i pandehuri Timotheo Dhimolea është akuzuar se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, të parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe çështja penale në lidhje me këtë të pandehur është dërguar për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Ndërsa, lidhur me pasurinë e paluajtshme, me sipërfaqe 128.000 m², ndodhur në fshatin Palasë, Vlorë, siç ju kemi informuar edhe më parë, me vendimin me nr. 418, datë 11.09.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, është vendosur masa e sigurimit të sekuestros preventive dhe ne përfundim te gjykimit do te kërkohet nga ana jonë konfiskimi i kësaj pasurie.
Nga hetimi i Prokurorisë së Vlorës rezulton se kjo sipërfaqe, e ndarë në disa parcela, është regjistruar nga ana e shtetasit Timoleo Dhimolea, në bazë të një akti të falsifikuar të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP). Në bazë të veprimeve procedurale, ka rezultuar se akti i AKKP nuk ekziston dhe është tërësisht i falsifikuar. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, kjo pronë është regjistruar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në vitin 2012.
Më tej, pasi e ka regjistruar këtë pronë në emër të tij, shtetasi Dhimolea ka transferuar dy pjesë të saj, po në bazë të dokumenteve të falsifikuar. Nga veprimet hetimore, rezulton se shtetasi Dhimolea i ka transferuar 3000 m2 shtetasit R. D. dhe 2000 m2 shtetasit K. R. Edhe këta shtetas, në vijim të dokumenteve të falsifikuar, i kanë regjistruar këto prona në emrin e tyre në ZVRPP Vlorë.
Ndërkohë që po vijojnë hetimet për personat dhe zyrtarët e përfshirë në këtë falsifikim, Prokuroria e Vlorë paraqiti në gjykatë kërkesën për sekuestron preventive e të gjithë sipërfaqes pyjore të regjistruar në emër të shtetasit Timoleo Dhimolea, si edhe për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasve R. D. dhe K. R., te të cilët janë transferuar dy pjesë të pronësisë së Dhimoleas.
Për më shumë mund të lexoni edhe …
/web/Sekuestrohen_128_mije_metra_katrore_te_zaptuesit_te_Palases_7085_1.php
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/