Një rezultat dëshpërues humbja me Serbinë. Minutat e shtesës së 90 minutave të lojës janë shndërruar në minutat e ferrit. Kështu me Portugalinë, kështu edhe me Serbinë. Janë minutat kur ekipi shthuret taktikisht, kur lojtarët dalin nga fazat mbrojtëse dhe harrojnë detyrat duke lënë pozicionet dhe duke lëvizur në mënyrë kaotike drejt sulmit.
Mbrojtësit lëvizin drejt fazës sulmuese duke krijuar hapësira të mëdha në mbrojtje, ku një Xhymshit jo me përvojë si qendërmbrojtës nuk mund të bëjë shumë. Një Hysaj i mjaft i fortë në fazën ofensive harron se detyra e tij është krahu i djathtë i mbrojtjes, atje ku Kolarov nuk na fali në minutën e 91.
Edhe De Biazi, traineri që na ka bërë të ëndërrojmë duke na afruar si kurrë ndonjëherë në histori me Kamionatin Europian, ishte një befasi më vete. Në fillim të ndeshjes surprizon duke lënë në stol, një nga lojtarët më të mirë të momentin, Cikalleshin dhe duke futur në fushën e lojës Balajn, i cili nuk arrin për asnjë moment të rrezikojë portën e kundërshtarit, për asnjë moment nuk godet portën, nuk jep asnjë pas thuajse të saktë dhe për më tepër dhe për cudi mbahet në fushën e lojës për 76 minuta kot pa dhënë asnjë rendiment.
Një lojtar tjetër si Gashi ndër golashënuesit më të mirë në kampionatin zvicerian mbahet në stol. Është luks që të tillë mesfushorë me tipare sulmuese dhe me kualitet të tillë të qëndrojnë në stol dhe në lojë të afrohet Memushaj, një lojtar modest i kategorisë së dytë në Itali dhe që dje dukej se e kishte të vështirë të orientohej në fushë.
Po atëhere përse duhej ndërtuar ekipi në atë mënyrë duke ndryshuar në ndeshjen më të rëndësishme të eleminatorëve gati gjysmën e ekipit? Duhet dëgjuar De Biazi, nëse është ai që vërtet e ka ndërtuar formacionin nga i pari tek i fundit për të mos dëgjuar zërat e tjerë që thonë se kanë ndikuar edhe nga jashtë skuadrës në atë formacion.
Është e qartë se ky formacion nuk ishte ndërtuar për të fituar ndeshjen. Pa sulmues është vetëm një ëndërr vjeshte që të fitosh një finale si ajo e mbrëmshja. Në 90 minuta kemi arritur të rezikojmë portën vetëm në minutën e 80 pas një goditje të Cikalleshit, i cili nuk ishte i preferuar që të luante nga minuta e parë. Vetëm një rast në 90 minuta është shumë pak për tu fituar.
Ishte një ndeshje ku duhej të luhej ndoshta më shumë me zemër se me mendje. Nuk humbëm si luanë me fushë, por si profesionisë të kategorisë së dytë. Janë të rralla të tilla ndeshje dhe kur i humbet është shumë e vështirë të ngresh sërish lart moralin për një finale tjetër si ajo e pas tre ditëve në Armeni.
Akoma dhe më e vështirë për Italianin De Biazi është që të ndërtojë një ekip sulmues. Kur nuk e ka bërë këtë gjatë këtyre dy viteve a do të mud ta bëjë brenda tre ditëve? Le të shpresojmë përderisa lojtarët janë aty në stol, por mentaliteti jo.
Në humbim sepse nuk dimë të fitojmë. Nuk dimë të rrezikojmë. Nuk fitojmë sepse na mungon reparti që na bën fitues dhe ai është sulmi. Një skuadër pa sulm është si një skuadër sakate që i mungon një nga tre gjymtyrët kryesore të trupit. Kjo e bën skuadrën të luajë me frikë vetëm se mos pëson gol dhe për asnjë moment nuk mendon se mund të shënojë.
Edhe kur sulmojmë pa sulmues, por me mesfushorë apo me mbrojtës jemi të lexueshëm për kundërshtarët, të ngadaltë dhe pa rrezikshmëri. Në këto eleminatore kemi mundur të marrin vetëm dy fitore në fushën e lojës, një me Portugalinë dhe një tjetër me Armeninë si dhe një trepikësh në tavolinë. Dy fitore në fushë janë shumë pak, ose fat i madh të shkosh në Kampionatin Europian.
Jemi në borxh me fitoret sepse nuk kemi menduar dhe nuk i kemi kushtuar rëndësinë sulmit, por është më mirë të humbasësh duke sulmuar se të fitosh duke u zvarritur.
E diela në Armeni mund të jetë një ditë ndryshe vetëm nëse mendojmë për sulmin, ndonëse është shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë, tani që nuk kemi më se cfarë të humbasim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/