Kreu i PD-së Lulzim Basha, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar u shpreh se Rama iu ul në gjunjë Metës, pasi ky i fundit e kërcënoi se do ti nxirrte ‘të palarat’.
“I ashtuquajturi pajtim Rama-Meta për skandalin CEZ është pajtim për të zezën e shqiptarëve, është marrëveshje bashkëfajtorësh për të shtrydhur pushtetin, për të përfituar dhe për tu pasuruar përmes pushtetit. Se çfarë qeverisje është kjo tashmë e ka kuptuar i madh dhe i vogël”, u shpreh Basha.
Sipas tij “kemi kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës dhe zbardhjen e skandalit. Ne nuk njohim rrugë tjetër përveç interesit publik. Edi Rama i ra në gjunjë partnerit të tij duke shkumëzuar kundër opozitës dhe mediave të lira. Me këtë qëndrim kryeministri i vendit i ka dhënë avokatit të Qeverisë në Vjenë mesazhin se unë u lë në baltë sapo ta shoh pisk punën. Shqiptarët janë dhe duhet të jenë shumë të vëmendshëm. Po luhen lojëra të ndyra me paratë e tyre për të luajtur fatin e tyre”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se opozita nuk do të tërhiqet nga hetimi i çështjes së CEZ megjithëse kreu i Kuvendit bëri pakt me kryeministrin. Kreu i demokratëve tha se megjithëse Rama u tërhoq nga hetimi i çështjes së CEZ, opozita do të lejojë mbylljen e skandalit.
“I ashtuquajti komplot për destabilizim ishte kërcënim për Edi Ramën duke kujtuar të kaluarën e tij. por gabojnë ata që mendojnë se meqë u zverdh Edi Rama, afera Rama- Meta u varros. Ne nuk do ta lejojmë mbylljen e skandalit”, tha më tej Basha.
Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar
Të nderuar deputetë,
Ashtu, siç e thamë dhe e parashikuam në mbledhjen e javës së kaluar, krerët e qeverisjes së kalbëzuar Edi Rama dhe Ilir Meta, e gjetën gjuhën për të mbyllur, sipas mendjes së tyre, skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit, skandalin më të madh financiar, ekonomik dhe politik në 25 vite, vjedhjen e 600 milionë eurove me miratimin dhe firmën e tyre dhe me votën e deputetëve-kartona apo me rekorde kriminale, për llogari të kusarëve në pushtet dhe rreth pushtetit, të pushtuar nga ethet dhe rivalitetet e pasurimit të shfrenuar me paratë e qytetarëve shqiptarë.
Kur Rama dhe Meta e panë se shpërthimi i skandalit po i njolloste njërin më keq se tjetrin; kur e panë se që të dy janë deri në grykë; kur e kuptuan se loja kukafshehtas për t’ia futur njëri-tjetrit i merrte me vete dorë për dore si bashkëfajtorë, kur e nuhatën se transparenca për këtë skandal që sapo ka treguar majën e ajsbergut po i diskrediton e do t’i diskreditojë si asnjëherë tjetër në sytë e shqiptarëve dhe mbarë botës; nxituan t’i venë kapakun gjirizit që ka shpërthyer duke bashkuar duart e përlyera nga ryshfetmarrja për të cilën akuzohen dhe akuzojnë njëri tjetrin.
Dhanë shfaqjen e puthjes pasi ishin pështyrë. Jemi të dënuar të qëndrojmë së bashku për hir të pushtetit dhe pazareve; ky ishte konkluzioni i pazarit të tyre të fundit. Sepse ndryshe nuk ju dilte ndryshe hesapi.
Kjo është një histori e shëmtuar që ka neveritur e revoltuar mbarë shqiptarët e ndershëm, pavarësisht teserave apo preferencave politike.
Kjo është historia e kalbëzimit të plotë të koalicion-pazarit Rama-Meta të 1 Prillit; është një skandal me vete, po aq i rëndë, se vetë skandali i ryshfetmarrjeve, korrupsionit dhe abuzimeve 600 milionë Euro me CEZ.
Qytetarëve shqiptarë nuk u vlen për asgjë puthja dhe pajtimi i krerëve të qeverisë mbi gënjeshtrën, mbi fshehjen e së vërtetës, mbi krimin e pazbardhur.
I ashtuquajturi pajtim Rama-Meta për skandalin CEZ s’ka asnjë lidhje me vlerat e pakteve politikë për të mirën e qytetarëve. Është pajtim për të fshehur të vërtetën, për ti ikur drejtësisë, është pajtim për të zezën e qytetarëve.
Është marrëveshja e bashkëfajtorëve. Është nevoja e secilit prej tyre dhe e taborëve që kanë rreth e rrotull për të shtrydhur pushtetin, për të përfituar nga pushteti, për t’u pasuruar përmes pushtetit. Është interesi vetjak mbi interesin publik, është batakçillëku mbi parimet e qeverisjes së mirë. Është, dakordësia e të ritakuarve të ndërsjellët me bëmat, të fshehtat dhe dobësitë e ndërsjella.
Se çfarë qeverisje është kjo tashmë e ka kuptuar i madh e i vogël. Këto lloj paktesh me shantazhe, kërcënime dhe ritakime ndodhin vetëm më botën e malavitës.
Qeveria shqiptare paguan një zyrë ndërkombëtare avokatie për të rrëzuar në arbitrazhin ndërkombëtar pretendimin e shoqërisë DIA për 135 milion euro, përfaqësuesi zyrtar i së cilës Kastriot Ismailaj po hetohet në burg për pastrim parash dhe korrupsion.
Shuma kolosale për të cilën bëhet fjalë janë para të qytetarëve shqiptarë. Një tufë hienash u vjen rrotull këtyre parave pasi ka bërë planin kriminal se si mund t’i shtjerë në dorë. Kumbarët politikë të kësaj tufe, që pretendojnë pjesën e luanit, shohin në ëndërr kapjen për shumë vite të sistemit politik në vend, nxjerrjen e zgjedhjeve në tregun e zi ku ata të thyejnë kokën, siç thotë populli, me paratë e pista që kanë bërë.
Në këtë moment shumë të rrezikshëm për fatin e demokracisë sonë, që po luhej jashtë vëmendjes së publikut shqiptar, në Vjenë në arbitrazhin ndërkombëtar, avokati i qeverisë shqiptare publikon përmes rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor BIRN, një fragment të dëshmisë që ka dhënë njëri prej dëshmitarëve kryesorë, ish administrator i CEZ, i cili akuzon Ilir Metën se ka marrë ryshfet dhe qëndron prapa shoqërisë DIA. Ndërkohë, prokuroria po heton rreth pagesave abuzive në shuma të mëdha të CEZ për llogari të DIA si dhe transferimit të këtyre shumave në adresa të dyshimta.
Rama e ka ditur dhe duhej ta dinte i pari cili ishte zyrtari i lartë politik që akuzohej për ryshfetmarrje. E ka ditur i pari se ky ishte llir Meta.
çfarë ka dashur, çfarë ka kërkuar kokoshi, që politikën e di intrigë në kulisa dhe lojë cic-micesh?! Ka dashur të shpëtojë paratë e rrezikuara të shqiptarëve pa marrë parasysh se kush goditet? Apo ka dashur të damkosë dhe të kushtëzojë ortakun e tij të koalicionit, Ilir Meta?
Si opozitë, ne na ka interesuar e na intereson fati i parave të shqiptarëve në radhë të parë. Na intereson transparenca, drejtësia, zbardhja e çdo akuze në organin e akuzës, ndëshkimi sipas ligjit i çdo abuzimi.
Nuk na intereson dhe nuk futemi në lojën kukafshehtas të dyshes Rama-Meta. Ndaj kemi kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës për akuzat që i kanë ardhur nga avokati i qeverisë shqiptare, hetimin e tij si deputet i thjeshtë, zbardhjen e gjithë skandalit nga një drejtësia e pavarur, ndëshkimin ligjor të fajtorëve.
Edi Rama mund të na ketë ngatërruar me veten e tij, duke menduar se ne do të joshemi nga llogaritë meskine, duke hedhur gurin e fshehur dorën si burracakët. Ne nuk e njohim ketë lloj politike. Ne jemi të hapur dhe ballorë në opozitën që bëjmë, busulla jonë është interesi publik, nuk njohim e nuk do të njohim rrugë tjetër përveç interesit publik për të shkuar drejt pushtetit.
Në një pamje për ti qarë hallin, për të mos thënë të pështirë, Edi Rama i ra në gjunjë partnerit të tij, të akuzuar prej avokatit të qeverisë së tij, duke shkumëzuar kundër opozitës, mediave të lira dhe gjithkujt që ka kërkuar zbardhjen e skandalit.
Me këtë qëndrim kryeministri i vendit u ka dhënë avokatëve të qeverisë në arbitrazhin e Vjenës mesazhin se unë ju lë në baltë sapo ta shoh pisk punën, sapo të më nxjerrin përpara të palarat e mia. Aq ma bën për mbrojtjen e 135 milion eurove në arbitrazh.
Por shqiptarët janë dhe duhet të jenë shumë të vëmendshëm. Po luhen lojëra të ndyra me paratë e tyre për të marrë peng fatin e tyre. Kemi një kryeministër që është ulur në karrigen që mban si sekser i interesit publik, i interesit popullor, i interesit të njerëzve të thjeshtë, i interesit të shqiptarëve për interesat, pasuritë dhe mëkatet e tij.
Ndërsa ortaku i tij në vend që të jepte dorëheqjen dhe të hetohej si deputet i thjeshtë për akuzat e rënda për marrje ryshfeti, në vend që të kërkonte si numri dy i shtetit transparencë dhe llogari për 600 milionë eurot që Rama dhe ministrat e tij ndanë me CEZ, ngriti furtunën në gotë të komplotit që demek paskan organizuar kundër tij kryeministri i vendit, kryetari i opozitës së vendit dhe një diplomat i lartë i një vendi mik.
Nuk i erdhi rëndë, nuk u skuq nga turpi të përfshinte aleatët tanë strategjikë në paranojat e tij !
Nuk i erdhi rëndë dhe nuk u skuq nga turpi të fyente opinionin publik dhe qytetarët e Shqipërisë duke i marrë për budallenj.
Po të bashkohej vërtetë PD me PS, siç i tha paranoja, ai nuk do të qëndronte asnjë ditë në karrigen e tij pa zbardhur akuzat që i janë bërë. Këtë e di edhe një nxënës shkolle.
Por Partia Demokratike nuk mund e nuk do të bashkohet në asnjë rrethanë në pazaret e politikës me njërën gjysmë të kalbësirës kundër gjysmës tjetër.
Zanatin e diversionit ja kemi lenë Edi Ramës dhe Ilir Metës. Këta le të puthen e le të pështyhen, le të shtrëngohen e le të hanë njëri tjetrin. Derisa ata janë çifti i qeverisjes së vendit, ne do të jemi përballë tyre duke kërkuar transparencë për shqiptarët, llogari para shqiptarëve, dekriminalizim dhe drejtësi, derisa ti largojmë si bashkëpërgjegjës, si bashkëfajtorë për gjendjen e mjerë ku e kanë katandisur vendin.
I ashtuquajturi komplot kundër Ilir Metës ishte para së gjithash një shpërthim paniku se mos Kastriot Ismailaj kthehej në një të penduar i drejtësisë. Në gjithë botën e lirë zyrtarët e lartë, ligji dhe institucionet inkurajojnë pendimin dhe bashkëpunimin e të penduarve me organet e drejtësisë si një nga mënyrat më efikaset në luftën kundër rrjeteve kriminale, kundër zyrtarëve të korruptuar të lidhur me krimin. Vetëm zyrtarët e lartë të Tiranës politike, Ilir Meta i pari, kishin dhe kanë shqetësimin e kundërt; mos po flet Kastrioti.
Të penduarit nuk mund të godasin të pafajshëm, edhe po të duan, edhe po të jenë tendenciozë. Kjo sepse dëshmitë e tyre verifikohen në shumë filtra.
Ndërkohë që të pa penduarit e privojnë të vërtetën nga faktet e panjohura dhe e vështirësojnë zbardhjen e saj.
Kujt nuk i djeg miza, nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar pse dikush po pendohet dhe po bashkëpunon me drejtësinë.
Ka folur apo nuk ka folur, do të flasë apo nuk do të flasë Kastriot Ismailaj në arrest, faktet për pagesat dhe transfertat abuzive për të cilat akuzohet nga Prokuroria nuk mund të mos hedhin dritë mbi të vërtetën në aulën e drejtësisë.
I ashtuquajtur “komplot” për destabilizimin e vendit ishte një kërcënim për të trembur Edi Ramën, duke i kujtuar të palarat e tij dhe karrigen e tij me këmbë të liruara.
Por gabojnë ata që mendojnë se meqenëse u zverdh Edi Rama dhe meqenëse shtrënguan duart dy bashkëfajtorët, e vërteta për aferat skandaloze të CEZ u varros.
Rama-Meta janë vendosur së bashku në anën tjetër të barrikadës ligjore dhe qytetare për transparencë dhe drejtësi për milionat e vjedhur, milionat e humbur dhe milionat e rrezikuar. Kaq e kanë ata në dorë. Por nuk kanë në dorë të mbyllin skandalin.
Ne nuk do ta lejojmë këtë. Kemi paraqitur projektligjin për hetimin ndërkombëtar të skandalit CEZ nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm. Javën e kaluar shumica qeveritare refuzoi futjen e projektit tonë në rendin e ditës me procedurë të përshpejtuar. Grupi ynë do të vijojë me futjen e projektligjit me procedurë të zakonshme. Jemi të vendosur në nismën tonë.
Si nismëtare e projektligjit, PD ofrohet me gjithë zyrtarët e saj edhe si subjekt i hetimit kurdo që të kërkohet. Kjo është transparenca jonë me publikun. Kjo është shpallja e kurajës sonë.
Kjo është njëkohësisht sfida që u hedhim kundërshtarëve tanë, Ramës dhe ministrave të tij në radhë të parë. Pranoni hetimin, votoni hetimin ndërkombëtar, zbardhuni para drejtësisë dhe qytetarëve për skandalin më të madh të kohës.
I bëj thirrje deputetëve socialist t’i bashkohen nismës sonë, duke ofruar kontributin e saj për një ligj konsensual të parametrave demokratikë. Uroj që Ilir Meta nuk do bëjë përsëri lojën e gjysmagjelit por do të votojë ashtu siç premtoi me votë unanime të grupit të tij parlamentar hetimin ndërkombëtar.
Partnerët tanë ndërkombëtarë janë shprehur publikisht se e mbështesin si një domosdoshmëri këtë hetim. Mesazhet e tyre për qeverinë shqiptare janë shumë të qarta.
Miratimi nga Kuvendi i projektligjit të dekriminalzimit është një kusht për integrimin europian.
Qytetarët presin, meritojnë dhe kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën përmes transparencës së plotë dhe hetimit kombëtar e ndërkombëtar të skandalit të CEZ.
Qytetarët presin dhe meritojnë pastrimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera nga individët me rekorde kriminale, promovimi i të cilëve në politikë dhe në administratën e lartë përfaqëson poshtërimin më të madh që u është bërë atyre nga Edi Rama me kompani.
Ata po ngrihen e do të ngrihen për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura si kurrë ndonjëherë më parë, për paratë e tyre në shuma marramendëse të humbura, të vjedhura dhe të rrezikuara nga një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, për dinjitetin e tyre të shumëzuar me zero nga një grusht qeveritarësh dhe banditësh që po u rrjepin lëkurën, për bukën e tyre, për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, për sigurinë e tyre të goditur në palcë nga një kryeministër që mban në krye të rendit në postin e ministrit garantin e narkotrafikut, pronarin e mësimores së drogës Saimir Tahirin.
Ne po e shohim, po e dëgjojmë dhe po e prekim këtë vlim popullor. Bashkë me ju kemi nisur dje nga qyteti i Lushnjës turin e takimeve “Fjalën e kanë qytetarët”. Duam të dëgjojmë nga goja juaj hallet dhe problemet tuaja, duam të prekim e të ndjemë dhimbjet, pasiguritë dhe shqetësimet tuaja, duam të maturojmë qëndrimet tona, zgjidhjet dhe programin tonë në hapësirën e problematikës së vërtetë, përparësive dhe mundësive të vërteta që ofron Shqipëria e vërtetë, Shqipëria e njerëzve, e familjeve, e të rinjve dhe të rejave.
Sa herë jam mes njerëzve, sa herë takoj qytetarët, kuptoj dhe ndjej me dhimbje se e keqja s’ka të ndalur. Se e keqja nuk ka bërë hapa prapa, por ka përparuar në krahasim me takimin e mëparshëm. Se e keqja që ka pllakosur vendin, familjet dhe sipërmarrjen, është më e madhe se sa e mendojmë ne në Tiranë.
E vërteta e përkeqësimit është një hap para. Kjo është një thirrje për të qenë akoma më pranë njerëzve, për të qenë zëri i tyre dhe për t’u dalë zot akoma më mirë dhe me bindshëm, për tu bërë gati, për të marrë përgjegjësinë e ndryshimit të gjendjes. Ne mbështesim dhe frymëzojmë reagimin e qytetarëve kundër së keqes. “Qytetarët në këmbë” është zgjidhja më e mirë, për të mos thënë e vetmja, kundër një qeverie të kalbur me tipare oligarkike.
Për ne si opozitë “stabiliteti” i ngritur mbi pazaret dhe allishverishet e krerëve të shumicës për të penguar drejtësinë dhe për të vijuar avazin e shpërdorimit të pushtetit, vjedhjeve dhe abuzimeve me pasuritë publike, është stabiliteti i së keqes.
“Stabiliteti” i bazuar në ndarjen e zonave të korrupsionit nga Rama dhe Meta është një turp dhe një provokacion i rëndë i tyre kundër qytetarëve. Shikoni rastin më të fundit. Përmes sejmenëve të tij në krye të OSHEE, Edi Rama i jep mikut të tij të ngushtë ndërtues tenderin me vlerë 4 milionë e pesëqind mijë euro për ndërtimin e ndërtesës së re!
“Stabiliteti” që varfëron çdo ditë qytetarët, që falimenton dhe asfikson çdo ditë sipërmarrjen, që prodhon vetëm eksod të shqiptarëve drejt Perëndimit u shërben pushtetarëve, por është armiku numër një i shqiptarëve.
Ndaj duhet të jemi në këmbë, me të gjitha forcat dhe energjitë tona, bashkë me qytetarët, për t’i dhënë fund një orë e më parë kësaj gjendje të padurueshme dhe për të filluar në histori të re të demokracisë së re dhe stabilitetit të vërtetë të mbështetur në transparencë, drejtësi, respekt për njeriun, rritje të mirëqenies, zhvillim dhe siguri për të nesërmen.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/