HETIMI I LETRES SE SPARTAK BRAHOS/Tre personat që takuan Kastriot Ismailaj në...

HETIMI I LETRES SE SPARTAK BRAHOS/Tre personat që takuan Kastriot Ismailaj në burgun e Fierit

70
0
Shares

Pas letrës së kryetarit të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, javën e kaluar Prokuroria e Tiranës filloi hetimet nëse biznesmeni Kastriot Ismailaj ka patur presione apo kërkesa në burg për dëshmi kundër ndonjë politikani.

Prokuroria lëshoi edhe një urdhër sekuestrimi për regjistrat e hyrje-daljeve në burgun e Fierit, ku mbahej Kastriot Ismailaj deri 3 ditë më parë kur u transferua në burgun 302 në Tiranë.

Oficerët e Policisë Gjyqësore të ngarkuar me hetimin e çështjes kanë arritur ta administrojnë regjistrin e hyrjeve-daljeve të burgut të Fierit, ku nuk ka rezultuar të jetë shënuar ndonjë takim i dyshimtë i biznesmenit Kastriot Ismailaj.

Tre persona e kanë vizituar në burg pronarin e kompanisë DIA, të akuzuar se ka mashtruar në shuma të mëdha ish-kompaninë CEZ dhe shtetin shqiptar me borxhet e energjisë elektrike. Avokati mbrojtës, Vladimir Meçi, ka qenë ai që ka shkuar më shpesh në burgun e Fierit për t’u takuar me biznesmenin. Në regjistrin e hyrje-daljeve të institucionit të vuajtjes së dënimit janë shënuar 4 raste të vizitave që avokati ka bërë te biznesmeni Kastriot Ismailaj në paraburgim.

Ndërkohë, i akuzuari për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim parash është vizituar edhe nga dy persona të tjerë, familjarë të afërm të tij. Duke nisur nga periudha kur është dërguar në burgun e Fierit pas arrestimit e deri pak ditë më parë që u transferua në Tiranë, Ismailaj është vizituar një herë nga bashkëshortja e tij Vojsava Ismailaj dhe një herë tjetër nga Lutfie Ismailaj, nëna e biznesmenit. Në dokumentin e regjistrit të hyrje-daljeve për te biznesmeni që mbahet i arrestuar nuk janë vërejtur shënime të tjera nga ana e hetuesve të çështjes.

Pas arrestimit në maj të këtij viti, biznesmeni Kastriot Ismailaj u la në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës. Ndërkohë që biznesmeni u dërgua në paraburgim, hetimet ndaj tij vazhduan si për mashtrimin me mbledhjen e borxheve të CEZ, ashtu edhe për pastrimin e parave.

Në dy procese të ndara, Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestroi rreth 4.5 milionë euro në llogaritë e kompanive të Kastriot Ismailajt. Pas sekuestrimit të pronave të tij filloi edhe gjyqi për konfiskimin. Në këtë mënyrë i shpjegojnë hetuesit katër vizitat e avokatit të Ismailajt në burgun e Fierit gjatë kësaj periudhe. Verifikimi për këto takime është bërë për llogari të hetimit të nisur nga prokuroria pas letrës së Spartak Brahos.

Javën e kaluar u morën në pyetje edhe deputeti Tom Doshi, ish-ministri Dritan Prifti dhe gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava. Këta të tre hodhën poshtë akuzat se ishin pjesë e një plani për të dhënë dëshmi fajësuese nga Kastriot Ismailaj për personazhe politike në lidhje me aferën e CEZ. Panorama.Trazhgim Sokolaj

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY