Përfundon mbledhja e kryesisë, Basha zbulon vendimet dhe objektivat e PD-së

Përfundon mbledhja e kryesisë, Basha zbulon vendimet dhe objektivat e PD-së

66
0
Shares

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë së PD-së. Në përfundim të kësaj mbledhje, në pjesën e parë të deklaratë së tij, kreu i PD shprehu tronditjen për vrasjen e oficerit të policisë në Shkodër, duke apeluar për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë së autorit.
“Shprehim mbështetjen totale për Policinë  e Shtetit që po vazhdojnë operacionin në Shkodër. Presim neutralizimin e autorit dhe vënien e tij para përgjegjësisë. Ngjarja e rënda na kujton sa e domosdoshme është mbështetja pa ekuivokë në luftën kundër krimit ordiner dhe të organizuar dhe se e rëndësishme është pastërtia e policisë. Në këtë moment jemi pranë me familje së Simon Gjetjas”, u shpreh Basha.
Më tej ai u ndal te diskutimet dhe vendimet e mbledhjes së sotme të kryesisë.
“Mbledhja e kryesisë i bëri një analizë zgjedhjeve. Pas konkluzioneve të çdo dege, PD dhe unë personalisht jemi të vendosur të nxjerrim mësimet tona, me qëllim përmirësimin e nivelit organizativ nga seksioni në qendër dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme ku PD do të shkojë e fuqizuar dhe me një program që do e nxjerrë vendin nga kriza që e ka zhytur qeveria Rama – Meta”, u shpreh Basha.
Lidhur me vendimet, ai bëri të ditur se u morën vendime për organizimin dhe riorganizimin e punese me ngritjen e grupe pune, u miratua ngritja e Komisioni përhershëm të Integritetit, si edhe Komisioni Kontributeve historike
“Puna për platformën qeverisëse ka nisur, do hartojmë ofertën ton me intensitet të madhe në çdo qytet e fshat. Paketa e shpëtimit kombëtar përmban jo vetëm denoncime por edhe alternativat tona”, shtoi Basha.
Duke komentuar takimin e sotëm Rama – Meta, kreu i PD u shpreh se, “Takimi Rama – Meta, është një takim bashkëfajtorësh. Ata mund të takohen të ëprqafohen të puthen, të pështyhen nesër, për tu përqafuar prapë”.
Basha konfirmoi edhe kooptimet në kryesi të Aben Imamit, Halim Kosovës, dhe kryebashkiakëve Voltana Ademi, Fran Frrokaj dhe Bashkim Shehu.

 

Prononcim i plotë për mediat i Kryetarit të PD, Lulzim Basha, pas mbledhjes së kryesisë

Më lejoni ta nis me një ngushëllim të ndjerë për familjen e efektivit të Policisë, komandantit të FNSH-së në Shkodër, Simon Gjeta, për rënien e tij në krye të detyrës, dhe me një shprehje të mbështetjes totale ndaj efektivave të policisë së shtetit që vazhdojnë operacionin në Shkodër, dhe burrave e grave në uniformë anembanë Shqipërisë. Presim neutralizimin me çdo kusht e mjet të autorit të goditjes së forcave të policisë dhe vënien para drejtësisë dhe para ligjit me ashpërsinë me të madhe. Një ngjarje e rëndë që na kujton edhe njëherë se sa e domosdoshme është mbështetja pa ekuivoke në luftën kundër krimit ordiner apo të organizuar dhe se sa esenciale është për moralin e forcave tona të policisë pastërtia e duarve politike që drejtojnë Policinë e Shtetit. Në këtë moment, lutjet e mia janë për familjen e Simon Gjetës, për efektivët e policisë akoma në detyrë në këtë operacion dhe përkrahja ime e plotë shkon për çdo burrë dhe grua në uniformë të policisë së Shtetit.
Mbledhja e sotme e kryesisë, siç është njoftuar, kishte në rend të ditës çështje të analizës dhe riorganizimit të Partisë Demokratike pas konkluzioneve që janë nxjerrë e po nxirren në çdo degë përsa i përket rezultatit të zgjedhjeve të 21 Qershorit, ku pavarësisht dënimit të merituar të farsës zgjedhore të 21 Qershorit nga institucionet ndërkombëtare, Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur të nxjerrim mësimet tona me qëllim përmirësimin në nivel organizativ të strukturës, nga seksioni në qendër dhe përgatitjen e fuqishme për përballjen e ardhshme në zgjedhjet politike të përgjithshme parlamentare në të cilat Partia Demokratike do të shkojë si një parti e fuqizuar në numrin e anëtarëve, ndjekësve, të rinjve, të rejave, grave e burrave demokratë dhe me një program dhe ofertë bindëse për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza morale, politike dhe ekonomike ku e ka zhytur papërgjegjshmëria e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Për të ofruar zhvillim në bazë të ligjit, konkurrencës së ndershme dhe të meritës për këdo.
Në këtë kuadër, unë mora një sërë vendimesh për sa i përket grupeve të punës që do të merren, nga njëra anë me organizimin dhe riorganizimin e partisë dhe nga ana tjetër me hartimin e programit tonë, ofertës tonë qeverisëse për shqiptarët në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetje të madhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nga partitë tona simotra. Po kështu, në këtë mbledhje u sanksionua edhe ngritja e Komisionit të përhershëm të Integritetit dhe Etikës, të kryesuar nga Dr. Halim Kosova, ngritja e Departamentit të Kontributeve Historike në seli dhe në çdo degë të Partisë Demokratike dhe një sërë vendimesh të tjera të karakterit organizativ për Partinë demokratike.


Pyetje – Përgjigjet
Në lidhje me organizimin e partisë, a bëhet fjalë për rizgjedhje në degë të Partisë Demokratike ku ka humbur PD për të zgjedhur kryetarë të rinj dege?
Grupi i punës do të sjellë rekomandime të plota pas konsultimit të gjerë me anëtarësinë në terren dhe përfitimit nga analiza, e cila ka përfunduar apo është në proces në çdo degë të Partisë Demokratike.


A u fol për përgjegjësi konkrete në zonat ku është humbur?
Në kryesi pati një raport nga sekretariati i cili ishte një raport shterues për sa i përket problematikave, objektive dhe subjektive. Objektive të natyrës organizative të Partisë Demokratike dhe subjektive sigurisht; përballjen, siç e tha edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, jo të alternativave siç i takon një vendi europian por të qytetarëve dhe opozitës me makinën shtetërore të përforcuar me krim dhe paratë e korrupsionit. Por ky është fillimi i një procesi, i cili nuk do të zgjasë pafundësisht, dhe që ka për qëllim riorganizimin e plotë të Partisë Demokratike dhe bërjen e saj gati për në përballjen elektorale e politike në krah të qytetarëve shqiptarë, në ndihmë të qindra mijë shqiptarëve që sot gjenden në ditët e tyre më të zeza të mbijetesës dhe pamundësisë, dhe në ofrimin e programit tonë për daljen e vendit nga kriza.


Partia Socialiste ka ngarkuar disa persona në rajone të ndryshme të vendit për të drejtuar riorganizimin e saj për zgjedhjet parlamentare të 2017. A ka PD persona që do t’i mandatojë në zona të caktuara për këtë proces?
Çdo parti ndjek metodikën e vet në këto çështje. Ne kemi adoptuar dhe do të adaptojmë përqasjet dhe metodologjinë më moderne e bashkëkohore të partive tona simotra sipas normave dhe standardeve të Partisë Popullore Europiane.


Kur do të jetë platforma e shpëtimit kombëtar gati dhe a do jetë ajo pjesa e alternativës së qeverisjes?
Puna për platformën tonë qeverisëse ka nisur. Fuqizimi dhe strukturimi i kësaj pune, jo vetëm në Tiranë po kudo ku demokratët, në konsultim me qytetarët do të hartojnë alternativën, ofertën tonë të zhvillimit sipas burimeve që posedon çdo qytet, çdo fshat në vend, pra kjo punë do të vazhdojë me intensitet të madh. Siç e thashë, procesi do të mbështetet fuqimisht jo vetëm nga burimet tona më të mira njerëzore në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Afati i përfundimit të kësaj pune do të jetë në përputhje dhe në përshtatje me bërjen gati të Partisë Demokratike për përballjen e saj bashkë me qytetarët shqiptarë me këtë qeveri të dështuar të mashtrimeve dhe skandaleve. Ndërsa për çështjen e Paketës së Shpëtimit Kombëtar, ne nuk do të mjaftohemi vetëm me hartimin e alternativës të programit tone, por siç kemi bërë deri më sot, dhe jemi e vetmja opozitë në 25 vite demokraci që përveç denoncimeve ofron edhe alternativat e saj, do të ofrojmë shumë shpjet edhe një paketë shpëtimi. Nuk ka asnjë dyshim për ne që kjo paketë shpëtimi, duke pasur mbështetjen tonë dhe të qytetarëve shqiptarë, me siguri do të hasë në rezistencën e atyre që mbajnë kartonët e shumicës, por jo legjitimitetin moral të saj. Prandaj ne jemi të vendosur që bashkë me qytetarët shqiptarë të hedhim një orë e më parë hapat për daljen nga kjo situatë e rëndë ku ndodhet vendi.


Sot u takuan Rama dhe Meta. A keni ndonjë koment?
Unë kam qenë në mbledhje të kryesisë së Partisë Demokratike. Nuk kam asnjë informacion por është fare normale që bashkëfajtorët takohen të rakordohen, të puthen e përqafohen dhe nesër të pështyhen prapë e më pas prapë të puthen. Kjo është puna e tyre. Një gjë ama e kanë bërë; kanë harruar hallet e qytetarëve, dhe i kanë bërë kapicë me politikën e tyre të kërbaçit, të lakut në fyt, të korrupsionit më masiv në histori dhe të inkriminimit të politikës. Ne nuk i kemi harruar. Për ne primare është gjetja e rrugëve të daljes së Shqipërisë nga kriza dhe jo rruga e dallavereve, pazareve dhe batakçillëqeve që lidhin, bashkojnë dhe fusin në këtë valle tangoje, dyshja Rama-Meta.


A u shtua kryesia me anëtarë të rinj?
Në bazë të vendime të kryesisë ka pasur kooptim të disa funksioneve siç është kryetari i bordit të Fondacionit për Liri dhe Demokraci. Komisioni i Integritetit dhe Etikës të kryesuar nga Halim Kosova. Dy zotërinjtë e komanduar në departamentet përkatëse të lëna vakant nga dy persona të zgjedhur kryetarë bashkish, dhe adoptimi i standardit të kooptimit në kryesi të kryetarëve të bashkive qendër qarku.


Kur do nisni turin e takimeve më qytetarët apo do nisni protestat?
Fjalën e kanë qytetarët dhe për të dëgjuar fjalën e tyre nuk ka nisje dhe përfundim të turit por ka një kontakt të vazhdueshëm me ta nga të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike e në veçanti nga unë. Duke filluar nga java e ardhshme do të jem në terren me qytetarët për të dëgjuar fjalën e tyre dhe për të thënë edhe ne fjalën tonë.

Për më shumë mund të lexoni edhe …

EKSKLUZIVE – PROJEKT VENDIMET/ Kryesia e PD koopton Imamin, Kosovën dhe tre kryebashkiakë, si anëtarë të rinj të saj
/web/EKSKLUZIVE_PROJEKT_VENDIMET_Kryesia_e_PD_koopton_Imamin_Kosoven_dhe_tre_kryebashkiake_si_anetare_te_rinj_te_saj_7951_1.php

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY