Më 8 shtator kolegji penal i Gjykatës së Lartë mori vendimin që të lërë në arrest me burg deputetin Armando Prenga. Sot është zbardhur vendimi dhe mund të mësohen cilat ishin ato momente, ngjarje, përplasje dhe personazhe që krijuan kushtet e arrestimit të deputetit. Pergjate vednimit mesohet edhe vendi i arrestimit te Prenges, qe nuk dihej deri tani.
Të gjitha faktet:
Në Lagunën e Patokut, Laç, shtetasi Gjok Cali ka në pronësinë e tij një lokal. Shtetasi Armando Prenga, në datë 04.09.2015, rreth orës 22:30 ka shkuar në afërsi të këtij lokali, tek ura, është takuar dhe ka debatuar me djalin dhe nipin e shtetasit Gjok Cali, shtetasit Dorian e Julian Cali.
Shtetasi Gjok Cali, pasi është njoftuar në lidhje me këtë konflikt, nga djali i tij, Dorian Cali, është nisur me automjetin e tij në drejtim të lokalit.
Gjatë rrugës, në vendin e quajtur Fushë Kuqe, shtetasi Gjok Cali është përballur me shtetasit Armando Prenga, Luigj Skura, Gazmir Jushi dhe Gjon Prenga, të cilët po udhëtonin së bashku në të njëjtin automjet.
Në këtë moment, shtetasit Gjok Cali dhe Armando Prenga kanë ndaluar automjetet , dhe kanë debatuar me njeri tjetrin. Shtetasi Gjok Cali i ka kërkuar Armando Prengës shpjegime në lidhje me debatin që kishte ndodhur mes tij dhe djalit të tij, pak më parë. Më pas ata janë konfliktuar mes tyre.
Sipas pretendimeve të shtetasit Gjok Cali, shtetasi Armando Prenga ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë dhe e ka goditur në kokë me qytën e saj, duke i shkaktuar një plagë në kokë. Pas kësaj ai ka qëlluar me armë një herë në ajër.
Ndërkohë sipas pretendimeve të shtetasit Armando Prenga, Gjok Cali e ka kanosur atë me thikë.
Menjëherë pas konfliktit me Armando Prengën, shtetasi Gjok Cali është kthyer në lokalin e tij. Në orën 23:40 ai ka njoftuar për këtë ngjarje Komisariatin e Policisë Kurbin duke shpjeguar se: “Tek lokali i Calëve në Patok është goditur me pistoletë nga deputeti Armando Prenga”.
Me marrjen e këtij njoftimi, grupi i gatshëm i Komisariatit të Policisë Kurbin, ka shkuar në lokalin e shtetasit Gjok Cali dhe ka marrë të dhënat mbi ngjarjen dhe më pas e ka udhëzuar shtetasin Gjok Cali të paraqitej në Komisariatin e Policisë Kurbin, për të bërë kallëzim penal për ngjarjen.
Shtetasi Gjok Cali së bashku me vëllezërit e tij, Tom Cali e Nikoll Cali dhe shtetasin Gjergj Cali, kushëririn e tij, janë nisur me automjetin e tij “Mercedes – Benz”, ngjyrë gri, me targa LA7227A, për në Komisariatin e Policisë, Kurbin. Ata janë shoqëruar edhe nga shtetasi Françesk Cali, nipi i Gjok Calit, i cili ka udhëtuar me një automjet tjetër tip “BMW”.
Me të mbërritur në Komisariatin e Policisë Kurbin, shtetasi Gjok Cali ka hyrë brenda ambienteve të tij për të bërë kallëzim penal, ndërsa shtetasit që e shoqëronin, kanë qëndruar në pritje të tij, jashtë ambienteve të këtij Komisariati.
Nga materialet e dosjes ka rezultuar se, gjatë kësaj kohe, para Komisariatit të Policisë ka ardhur personi nën hetim Armando Prenga i shoqëruar nga vëllai i tij Edmond Prenga, shtetasi Gazmir Jushi, etj. Këta shtetas kanë filluar të konfliktohen fizikisht duke u goditur me grushte, me pjesëtarët e familjes Cali. Më pas shtetasi Armando Prenga ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Nga të shtënat me pistoletë është plagosur në këmbë shtetasi Tom Cali.
Gjithashtu, gjatë këtij konflikti janë përdorur edhe armë të ftohta, nga ku janë dëmtuar shtetasit Gazmir Pjeter Jushi, Eduart Ndue Prenga, Gjergj Lek Cali dhe Nikoll Ded Cali. Ndërkohë janë dëgjuar dhe disa të shtëna me armë zjarri të tipit automatik. Pas kësaj, të gjithë të pranishmit në konflikt janë shpërndarë.
Policia gjyqësore, në kushtet kur ngjarja ka ndodhur pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Laç, menjëherë ka kryer veprimet e para hetimore si :
Mbajtjen e proces verbalit ku në orën e regjistrimit 23.40 është shënuar “Tek lokali i Caleve në Patok merr shtetasi Gjok Cali, i cili thotë se e ka goditur me pistolete deputeti Armando Prenga”. Menjëherë me marrjen e këtij denoncimi grupi i gatshëm ka shkuar në lokalin e Gjok Calit, ku ka vërejtur gjakosjen në pjesën e kokës të shtetasit Gjok Cali. Me procesverbalin e datës 05.09.2015, për kqyrjen dhe marrjen e dokumentit që i referohet librit të hyrjeve dhe daljeve të Komisariatit të Policisë Kurbin është evidentuar se në orën 00:30’, të datës 05.09.2015, hyrja në komisariat e shtetasit Gjok Cali për të bërë denoncim; procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes, ku janë gjetur me cilësinë e provës materiale nëntë gëzhoja arme zjarri, një teh biçaku, një automjet Mercedes Benz, me ngjyrë gri, me targa LA7227A, katër gjurmë papilare në sipërfaqen e jashtme të këtij automjeti, mbetje tavoline plastike të thyera, një paketë cigare, një çakmak dhe dy bishta cigare, tre dëmtime në asfalt, të shkaktuara nga predha armësh zjarri, disa njolla të kuqe si ato të gjakut, të cilat i janë nënshtruar ekspertimit; procesverbalit të datës 05.09.2015 për kqyrjen dhe marrjen e dokumentit,nga i cili rezulton se deputeti Armando Prenga ka marrë në dorëzim në datën 24.01.2015 nga Komisariati i Policisë një pistoletë me numër PX67598 të tipit 9×19 mm, me dy krëhëra gjithsej 34 fishekë, i cili i është nënshtruar ekspertimit dhe ka rezultuar në bazë të aktit të ekspertimit nr.8744, datë 05.09.2015, se nuk janë evidentuar prania e faktorëve plotësues të qitjes, procesverbalet e pyetjes së punonjësve të Policisë së Kurbinit, në shërbim në momentin e ndodhjes së ngjarjes që referojnë se gjatë konfliktit është përdorur një pistoletë dhe një automatik me të cilat është shtënë disa herë dhe se shtetasi Tom Cali është plagosur në këmbë me armë zjarri pistoletë; procesverbalet e thënies së shtetasve Gjok Cali, Kanto Cali, Gjon Cali, në të cilët shpjegohet se këta shtetas kanë mësuar nga persona të tjerë se shtetasi Armando Prenga ka shtënë me pistoletë në vendin e ngjarjes.
Në rrethanat e mësipërme, policia gjyqësore është vendosur në ndjekje të deputetit Armando Prenga, i cili është gjetur në ambientet e spitalit të Traumës Tiranë nga ku është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Për sa më sipër, policia gjyqësore bazuar në nenet 251, 252 të K.Pr.P. ka kryer arrestimin në flagrancë të deputetit Armando Prenga, sepse dyshohej se kishte kryer veprat penale të ”Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake ”në ambientet publike,“Plagosjes së rëndë me dashje”në bashkëpunim dhe të “Kanosjes” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 278/5, 88 e 25 dhe 84 e 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu gjykata ka administruar edhe tre deklaratat e paraqitura nga mbrojtësi i personit nën hetim Av.Baftjar Rusi, që i përkasin shtetasve Gjon Prendi, Luigj Skura dhe Gani Alkurtaj, e që mbajnë datën 07.09.2015 .
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/