Në stilin e Nolit, Edi Rama ka nisur një postim nga Nju Jorku fill pas leximit të fjalimit në Asamblenë e OKB. “U krye dhe detyra e larte per t’i dhene ze atdheut ne Kombet e Bashkuara #Mirenjohes gjithkujt qe ma ka dhene besimin”, shkruan ai pa e fshehur kenaqësinë dhe ngazëllimin që i ka sjell ngjarja.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbajti një fjalim në OKB sot pasdite, me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ne jemi shumë krenarë për trashëgiminë e bashkjetesës dhe harmonisë fetare”, ka deklaruar Rama, i cili në këtë drejtim ka përmendur edhe vizitën e Papa Françeskut.
Ndër të tjera, Rama ka vënë në dukje se në rrugën e harmonisë po hyn edhe Ballkani, pas një periudhe të gjatë gjakderdhjeje.
“Pas vitesh me luftëra e konflikte, vitin e kaluar nuk drejtuam armët ndaj dritareve të fqinjve”, ka thënë Rama, i cili ka theksuar se një veprim jetik në forcimin e paqes në rajon do të ishte njohja e Kosovës.
“Ballkani ka hyrë në një proces paqeje dhe iu bëjmë thirrje atyre vendeve që s’e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë. Njohja e Kosovës do të jetë mirë edhe për vetë Serbinë”, ka thënë Rama.
Ai ka përmendur se në këtë drejtim ishte fokusuar edhe vizita e tij vitin e kaluar në Beograd.
“Duhet të mësojmë nga e kaluara dhe ta lëmë pas krahëve, pavarësisht ngjyrës, besimit apo racës. Le të bëhemi bashkë për të nisur procesin e zhvillimit, duke vënë në plan të parë të ardhmen e fëmijëve tanë”, është shprehur kryeministri.
Më tej ai e ka vënë theksin tek reformat që po ndërmerr qeveria e tij, të cilat, siç tha ai, do të shtrihen në arsim, ekonomi e drejtësi.
“Vende të vogla e të mëdha të bëhen bashkë dhe të ecin drejt zhvillimit. Le t’u mësojmë fëmijëve tanë vlerën e tolerancës, respektit dhe mirëkuptimit”, e ka mbyllur mesazhin e tij kryeministri shqiptar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/