CDU e Kancelares Merkel i jep mbështetje të plotë dhe të gjithanshme Partisë Demokratike në aksionin e saj politik dhe në hartimin e programit qeverisës, ka deklaruar kryetari i PD-së, Lulzim Basha pas përfundimit të një vizite në Berlin ku ishte i shoqëruar nga deputeti Genc Pollo.
“Me zyrtarët e lartë gjermanë, ndamë shqetësimet lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të cilat po shkojnë në drejtim të kundërt me parimet e vendeve demokratike dhe janë larg përmbushjes së standarteve europiane.
Kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet për partnerët gjermanë, dekriminalizimi i politikës shqiptare. Gjatë takimeve që zhvillova në Berlin, deputetët gjermanë vlerësuan propozimet e Partisë Demokratike dhe inkurajuan miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin.
Një tjetër shqetësim i diskutuar në takimet me deputetët gjermanë ishte dhe procesi zgjedhore i 21 qershorit. Deputetët gjermanë dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i kanë cilësuar tërësisht të papranueshme për një vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, shkeljet e konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR-i, për zgjedhjet
Mega afera CEZ, ishte po ashtu cështje e bisedës. Mora mbështetjen e plotë të partnerëve tanë gjermanë, për iniciativën e Partisë Demokratike, për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen e kësaj afere si mënyra më e mirë për një hetim të plotë dhe të besueshëm.
Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel për hartimin e alternativës së saj; programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/