Deklarata surprizë e Presidentes Jahjaga: Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës

Deklarata surprizë e Presidentes Jahjaga: Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës

69
0
Shares

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka rrëfyer në studion e “Top Shoë” në Top Channel, përballë gazetarit Alban Dudushi, se në fund të procesit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë kjo e fundit do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Alban Dudushi: Një tjetër pikë që ka ngjallur debat të madh – dhe këtu do të ndalemi pak më gjatë, – është Gjykata Speciale. Pati një dështim të kalimit të ligjit në Parlament; u rimblodh Kuvendi më pas; u krijua një konfuzion i brendshëm dhe, natyrisht, kosovarët nuk janë të kënaqur me Gjykatën Speciale. Flas për publikun në Kosovë, por nga ana tjetër duket që ka një presion të madh ndërkombëtar. Pyetja e parë është: Deri në momentin e konstituimit të Gjykatës Speciale, pra deri në momentin e kalimit të ligjit, është e vërtetë që ka pasur edhe një lloj izolimi ndërkombëtar të Kosovës? Është e vërtetë që ambasadori juaj në SHBA e ka pasur shumë të vështirë të komunikojë me zyrtarët amerikanë, pikërisht si ‘dënim’ për moskalimin e ligjit për Gjykatën Speciale? Pati një presion të tillë ndërkombëtar?

Presidentja Atifete Jahjaga: Para se të kaloj te Gjykata Speciale, dua të them edhe diçka për dialogun. Procesi i dialogut, jo vetëm që do të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, por ky proces do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo është e paalternativë.

Alban Dudushi: Duket si një ëndërr më shumë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk është ëndërr. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë!

Alban Dudushi: Duket sikur Presidenti apo kryeministri i parë i Serbisë, që do të ndërmarrë një hap të tillë, do të përfundojë si Gjingjiç apo edhe më keq…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Këto janë çështje për konsumim të brendshëm të politikës së Serbisë.

Alban Dudushi: Dua të them që, publiku atje s’besoj se është kaq entuziast ndaj një historie të tillë…?

Presidentja Atifete Jahjaga: Nuk ka alternativë tjetër Alban! Kjo është alternativa e vetme. As për Kosovën, as për Serbinë, as për bashkësinë ndërkombëtare nuk ka kthim mbrapa. Ne duhet të ecim përpara dhe ecja jonë është njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia. E ardhmja e Kosovës, e ardhmja e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Europës Juglindore është drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ju e dini se cilat janë parakushtet e integrimit në BE. Ajo nuk dëshiron të importojë probleme, ata dëshirojnë të importojnë zgjidhje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY