Presidenti i Republikës, Bujar Nishani thotë se shtimi i numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani është një këmbanë alarmi për autoritetet shqiptare. Në një intervistë për Televizionin Klan dhënë gazetares Eljamonda Zotka, ai tha se problem I emigrantëve nuk po trajtohet me seriozitetin e merituar pasi është një çështje që ka brenda dimensionin politik, ekonomik, social, por dhe identitar.
“Në aspektin politik, është një përgjegjësi në tërësi e shtetit, e të gjithë aktorëve, faktorëve të shoqërisë shqiptare për të krijuar një situatë pozitive dhe sa më shumë të relaksuar në kuptimin e ndërtimit dhe funksionimit të shoqërisë në tërësi.
Në aspektin ekonomik kërkohet një sjellje dhe një qasje urgjente, në radhë të parë nga qeveria për të krijuar një ambient maksimalisht liberal të çlirimit dhe elaborimit të mundësive ekonomike, të energjive që nga individi, nga grupet e individëve dhe deri pastaj tek investimet e mëdha apo të mesme të cilat do të sjellin pikërisht mundësinë e tregut të punës që duket që është arsyeja kryesore e munguar, që lidhet pastaj në largimin e qytetarëve nga vendi.
Në aspektin social, gjithashtu, është një çështje që do trajtimin e një qasje shumë herë më serioze. Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një shoqëri dhe një vend, i cili do të ketë nevojë edhe për një periudhë afatmesme të politikave të rëndësishme të trajtimit social jo vetëm të individëve, por edhe të disa grupimeve dhe komuniteteve të margjinalizuara për shkaqe të ndryshme të së shkuarës apo të së tashmes.
Në aspektin identitar duhet ta trajtojnë me shumë seriozitet përsëri institucionet shtetërore, në radhë të parë politik-bërësit, sepse në fund të fundit nëse kemi pasur deri tani një element për të cilin ne krenoheshim është ajo që ‘jemi një popullatë e re’, ‘jemi një vend me një popullsi të re’. Largimi kryesisht i gjeneratës së re do të rrezikojë të na kthejë në një afat jo më shumë se 10 apo 15 vjet me një popullsi të plakur”, theksoi Presidenti Nishani.
Minimumi nuk ka një fushatë agresive, verejti Presidenti, le të themi në kuptimin pozitiv të fjalës, mediatike, nga ana e autoriteteve shtetërore për parandaluar dhe për të ndërgjegjësuar qytetarët shqiptarë që largimi nga vendi, kërkimi i emigracionit në vende të tjera apo i azilit në vende të tjera nuk sjell zgjidhje as për individin, as për shoqërinë dhe as për të ardhmen tonë.
Pa diskutim përgjegjësia kryesore është në radhë të parë e atyre që kanë fuqinë e vendimmarrjes
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/