SAMI NEZA/ Eksodi ndalon kur të prishet koalicioni PS-LSI

SAMI NEZA/ Eksodi ndalon kur të prishet koalicioni PS-LSI

86
0
Shares

Debatet rreth brishtësisë së koalicionit PS-LSI po përpiqen ta paraqesin këtë koalicion si një marrëveshje e ngritur mbi parime dhe se përmes cilësisë së përmbushjes së këtyre parimeve projektohet edhe afati i zgjatjes së tij.
Për shembull, sipas gazetarëve të oborrit në këtë anë dhe në atë anë që intervistojnë njëri-tjetrin, është më se e qartë dhe e faktuar se ka një ftohje mes Kryeministrit Rama dhe kryetarit të Parlamentit, Meta. Nuk është nevoja të rimarrësh tema të gazetës “Paloma” për të arritur në këtë përfundim. Rama dhe Meta nuk kanë qenë asnjë ditë ngrohur njëri me tjetrin. Koalicioni i tyre që prej ditës së parë funksionon si dy qeveri të lidhura artificialisht. Ato nuk janë të harmonizuara, bile një sy i vëmendshëm mund të konstatojë plot objektiva që zhvillohen të vetmuara mes dy pjesëve pa prekur fare njërën pjesë të koalicionit apo tjetrën.
Ai nuk është koalicion miqsh dhe leximi i koeficientit të takimeve mes Ramës dhe Metës si indikator për cilësinë e koalicionit është që në fillim një gabim. Nëse nisemi nga kjo cilësi, atëherë ky koalicion mund të çmontohet apo kalitet pa kuptuar asgjë nga jashtë, thjesht pasi ajo që shohim nuk ka marrë pjesë në ngjizjen e këtij koalicioni dhe nuk është as vertebra e bishtit të tij.
Koalicioni në vitin 2013 nuk erdhi si shkak i nevojës për të ndërtuar një qeverisje më të mirë, por si shkak i nevojës që Edi Rama të vijë në pushtet. Ndryshe nuk kishte si partia më e madhe e opozitës, me mjaft të dhëna për të fituar zgjedhjet e vitit 2013 përmes koalicioneve etike, hoqi dorë prej kësaj rruge dhe bëri koalicion me partinë më të keqe të qeverisjes.
Ndërkohë që partia më e keqe e qeverisjes së djathtë vendosi të dilte nga koalicioni qeveritar dy muaj para zgjedhjeve, jo për shkaqe që lidheshin me qeverisjen, por pasi u frikësua se një rezultat pa fitues në zgjedhjet e 2013-s mund ta nxirrte atë jashtë loje. As PD-ja dhe as PS-ja nuk kishte pikë dëshire për të pasur në qeverisje LSI-në.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kishte përgatitur mirë rrethanat e koalicionit me socialistët. Edi Rama është bindur të takohet me Ilir Metën në “darkën e ngjalave”, kur ky i fundit kishte kuotat më të ulëta në tërë historinë e tij politike, pak muaj pas skandalit të bllokut në dorë, revoltës së 21 janarit, gjyqit në gjykatën e lartë.
Rama është bindur për koalicion jo prej argumenteve që Berisha po qeveris keq, por prej një sondazhi që Baton Haxhiu bëri në të gjithë vendin, dhe sipas të cilit PS-ja mund të fitonte zgjedhjet vetëm nëse bënte koalicion me LSI-në. Vetëm një politikan i lidhur në mish me idenë për të marrë pushtetin do t’i mungonte gjakftohtësia e logjikës dhe mund të manipulohej prej fakteve të tilla.
Mbetet të hetohet se sa ky sondazh ishte i sponsorizuar nga Meta, i cili më mirë se kushdo tjetër lexon dobësinë e tjetrit si armë në duart e tij. Vetë Rama e ka thënë në një replikë me gazetarët kritikë të koalicionit se kanë qenë këta të fundit që e kishin inkurajuar atë të bënte këtë koalicion. Tani duhet parë se cila ishte metodologjia e sondazhit, ose të paktën sa veta u pyetën, se mund të ketë ndodhur që sondazhi është bërë vetëm me gazetarët e dy studiove.
Pra, koalicioni ka qenë taktikë, nuk ka qenë as program, as ideologji. Ilir Meta realizon taktikë shumë më tepër se politikë. “Me qetësi, me dashuri” është slogan taktik. Sheh ndonjëri politikë në këtë slogan? Po në përcaktimin e tij për partinë e vet si “parti kurajoze”, ka gjëkundi politikë? Jo, vetëm taktikë. Natyrisht me taktikë ecet më shpejt.<
Ardhja në pushtet si qëllim në vetvete e ktheu edhe bashkëqeverisjen si qëllim në vetvete. Por ndryshe nga periudhat elektorale, ku taktika herë pas here kthehet në prioritet, qeverisja nuk ka lidhje me taktikën dhe as nuk mund të funksionojë me teknikat e saj. Ajo ka një grilë tjetër mbi të cilën vizatohet dhe zhvillohet. Nuancat e taktikës mund ta nxjerrin nga binarët.
Në fakt, kështu ka ndodhur. Taktika e ka nxjerrë atë nga binarët, duke e kthyer në një qeverisje me pothuajse të gjitha rezultatet kokëposhtë.
Një qeveri e dobët i intereson edhe LSI-së.
Duke mos qenë qeveri e fortë, edhe Edi Rama nuk është i fortë. Por duke qenë Edi Rama i dobët, LSI-ja dhe Ilir Meta janë të fortë. Thjesht taktikë.
Dhe, në fakt, kështu do të ishte sot e gjithë kohën nëse vetë Rama nuk do të zgjeronte koalicionin me PDIU-në që ka katër deputetë dhe një në dorë nga opozita. Pra, pak taktikë për të përballuar “Tomorin me taktikë” që ka Ilir Meta. Kjo është e vetmja shenjë pas së cilës dikush mund të mendojë që koalicioni mund të transformohet.
Por me gjithë këtë lëvizje, Kryeministri Rama nuk e ka as luksin për ta prishur këtë koalicion. Ai nuk ka votat në Parlament për të qeverisur pa LSI-në, rrjedhim i gabimit të koalicionit paraelektoral me të. Megjithëse, siç ka ndodhur edhe herë të tjera, kjo nuk ka qenë asnjëherë problem i madh për qeveritë. Pasi kur ka deputetë, ka edhe numra të plotësuar.
Por zëvendësimi i një koalicioni joetik me një tjetër koalicion po ashtu joetik nuk do ta zgjidhte problemin. Do të ishte më mirë të ruhej koalicioni me LSI-në.
Këtu mbështeten edhe prognozat që ndërtojnë skenarë të prishjes së koalicionit, duke fshehur oksidin e tij me një beze gri në formën e marrëdhënieve të ftohura Rama-Meta. Autorët e prognozave e dinë, ashtu si edhe të tjerët e dinë, se nuk ka mekanizëm që çon në prishjen e koalicionit.
Pra, koalicionin nuk e prish dot mëria.
Por duke folur vetëm për bujën, mbushin me narkotikë dëshpërimin e qytetarëve, jo më për marrëdhëniet e ftohura të dy “kryeministrave”, por për mungesat e mëdha për ta, nga ajo e shpresës që i drejton deri tek ajo e bukës që i mban gjallë.
Janë ata që po mbushin radhët e eksodit të papritur drejt Gjermanisë, me qindra në ditë, duke shteruar fshatra dhe lagje qytetesh. Kthimi i tyre i ndalon ata që kanë ikur një herë, por nuk ndalon të tjerë ta provojnë shansin.
Vetëm ky eksod mund ta prishë koalicionin. Dhe gjermanët duhet ta dinë. Se eksodi i shqiptarëve drejt vendit të tyre nuk ndalon duke i kthyer ata që shkojnë, as duke përshkruar vuajtjet e tyre në kalvarin e refugjatit.
Pasi ajo që duket si vuajtje në Gjermani, mund të mos duket e tillë në Shqipëri. Eksodi nuk ndalon dot as duke kufizuar lëvizjet e njerëzve në pikat e kalimit kufitar, dhe nëse hiqen vizat, ai shtohet edhe më shumë.
Eksodi ndalon vetëm nëse prishet koalicioni PS-LSI, i cili bën punë të prishet edhe kur prishja nuk do të bëjë derman më.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY