Tashmë, fatkeqësisht po pranohet pa vërtetim teza se demokracitë pa ndajshtesë jetojnë hëpërhë dhe nuk e vënë aspak ujin në zjarr për çka mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, për nevojat dhe problemet që i presin. Pak kohë më parë, Angelo Panebianco shqyrtonte në faqet e kësaj gazete me fjalë të thjeshta e me një qetësinë olimpike të një vëzhguesi të imët, fakte të qarta se “natyra e sistemit demokratik i shtyn njerëzit e politikës të shpenzojnë kohën vetëm tek problemet e së tashmes.
Ndërsa për peshën e problematikës të së ardhmes, ata as që i bien lapsit… Politika demokratike nuk shqetësohet fare për të marrë masa paraprake”. A ka vallë të drejtë Panebianco? Nëse bëhet fjalë për vendin tonë, pa dyshim që ai ka të drejtë, por gjithashtu ka edhe disa demokraci të tjera, që gjithnjë e më shumë po punojnë me ‘drita të shkurtëra’ dhe nuk shohin përtej-përpara, nëse gjendemi përballë një problematikë të një rëndësie madhore.
Nuk jam shquar kurrë si njeri që shpall bujshëm nevojën e ngutshme për “zhvillime dhe përparime të llojit të mrekullive”, siç premtoheshin nga mendimtarët e viteve gjashtëdhjetë e më pas. E megjithatë e kam mbrojtur me shpirt demokracinë çurçilljane: që edhe vetë demokracia është një sistem i keq, “në mos të themi që të gjitha sistemet e tjera janë më të këqija”. Në këtë shprehje kam besuar fort, por ndoshta sot ka ardhur dita që ta qartësoj pak më tepër bindjen time. Më duhet të bëj sqarimin e duhur e të nevojshëm se demokracia liberale e mbështetur në kushtetueshmëri, është diçka krejt ndryshe nga të ashtuquajturat demokraci populiste, “të drejtpërdrejta”, që shtiren sikur vetqeverisin, e njëherazi orvaten për të shkëputur hallkat e ndërvarësisë me garancitë kushtetuese.
Në këtë pikë kyçe, unë kam arritur të bëj prej kohësh dallimin mes demokracisë si demo-protezione(e kam fjalën për atë lloj demokracie që e mbron popullin nga abuzimet e pushtetit) dhe asaj demo-potere(çka shndërrohet në diçka krejt tjetër, të gjithëpushtetshme).
Le të marrim si të vërtetë hipotezën ndjellakeqe se kreu i pushtetit ekzekutivit dëshiron të më shpjerë pas hekurave të kryqëzuar. A mund ta kryejë ai diçka të tillë? Jo, pasi unë gëzoj mbrojtjen e habeas corpus, që është thelbi i kushtetueshmërisë, që na ruan nga burgosja e jashtëligjshme dhe arbitrare. Le të hidhemi në anën tjetër të problemit, që unë nuk dua të helmohem nga “pluhuri i imët”, apo edhe nga ndotja katastrofike e atmosferës, që unë nuk dua të mbetem buzëtharë përpos faktit se ujësjellësi rajonal ka humbje deri në gjysmën e lëndës gjatë rrugës, apo edhe që Piza të zhytej nën ujë. Në këto pjesëza të realitetit, demokracia e përshkruar nga A.Panebianco do t’i shkonte për shtat jo-demokracive. Sidoqoftë, nuk është e ndaluar të ngresh dyshime.
Qytetërimet e lashta që viheshin në lëvizje nga “rrota e ujit”- të rrëfyera nga Karl Witfogel – u ngritën më këmbë si pasojë e aftësisë, ekspertizës dhe tejshikueshmërisë të despotizmit të lindjes, edhe pse me shumë rrëke lotësh e gjaku, por që nga ana tjetër dhanë përfundime të jashtëzakonshme. Ishin këto vepra të kryera nga despotizmi ‘ i ndriçuar” i viteve ‘700, tamam, “i ndriçuar”. Ndërsa ne sot hedhim hapat pa asnjë “ndriçues” në ndihmë, me sytë që nuk duan të shohin veshët e taposur me dyll. A mos vallë shprehja çurçilljane është ende me vend? Edhe po, edhe jo. Po, në rast se shprehjen e ndajmë më dysh, ndryshe jo.
Teza ime e parë është për një demokraci mbrojtëse të habeas corpus-it dhe të pushtetit të kontrolluar me kundërpushtete, që është dhe mbetet më e mira e regjimeve të mundshme për një ruajtje të qenësishme të të drejtave të qytetarëve. Teza ime e dytë është ajo e pushtetit popullor(demopotere), e një pushteti sa populist aq edhe të centralizuar, alla-Çavez , që shndërrohet apo mund të shndërrohet në më të keqin e pushteteve të mundshme.
*
Habeas corpus(ad subjiciendum)-e drejta e qytetarit për t’u mbrojtur para nje gjykate apo një gjykimi, ndaj një burgosjeje a ndalese të jashtëligjshme.
(Marrë nga “Corriere della Sera”)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/