INTERVISTA/Ish-shefi i antidrogës akuzon: Krerët e policisë, lidhje me bosat e trafikut...

INTERVISTA/Ish-shefi i antidrogës akuzon: Krerët e policisë, lidhje me bosat e trafikut të drogës

93
0
Shares

I shpallur në kërkim pasi ka thyer masën e sigurisë “arrest m burg”, Dritan Zagani, ish-shefi i sektorit të Antidrogës në Fier dhe ish-shef hetimi në Drejtorinë e Kufirit në Vlorë, akuzon zyrtarë të lartë të Policisë së shtetit për trafik ndërkombëtar të drogës. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Zagani akuzon drejtues të policisë në Tiranë dhe Vlorë, të Prokurorisë për Krimeve të Rënda si të implikuar në trafiqe.

Në rrëfimin e tij për operacionet e antidrogës, Zagani thotë se grupe kriminale që merreshin me trafik droge ishin të lidhura me policinë.

“U dhashë eprorëve 5 numrat e trafikantëve për t’i vënë në përgjim. Pas 15 ditësh të gjithë numrat ishin mbyllur. U dhashë informacion për 1 ton drogë në filan banesë në Borsh që ruhej natën nga 2 vetë me kallash. Më thanë: ‘Shkuam, s’gjetëm gjë’. Për grupin e Vlorës, homologu im i Antidrogës më tha: “Hiq dorë, e ke kot”.

Ai shprehet se lidhja mes policisë dhe trafikut ishin dhe vazhdojnë të mbeten të fuqishme. “Homologu im i Vlorës, në një bisedë që unë kam zhvilluar me të gjatë kohës që isha në Fier, ku i thashë se kam të dhëna se x person, për një person që njihej për drejtuesin e këtij grupi dhe pronarin e mjetit si një nga skafistët me të mëdhenj të Vlorës, që po bën një aktivitet shumë të fortë në drejtim të trafikut. I thashë përse nuk nisni një procedim, të hetoni të bëni diçka, të dhëna mund t’jua jap edhe unë, sa të duash. Dhe ai në mënyrë konfidenciale, pasi deri në atë moment më hiqej si fort si koleg korrekt, ishte kolegu im i drejtpërdrejtë, më thotë: “Do një këshillë personale nga unë? Larg duart nga ky person dhe nga ky grup, mos u merr me këto se e ke të kot”.

Zagani thotë se personi nga bota e krimit është shumë i fortë i cili investon shumë, si dhe është i paarrestuar dhe ende në aktivitet.

Si e nisët operacionin e parë?

Po e nisa me një informacion konkret për rrethin e Vlorës dhe i thashë shefit se kam një informacion shumë të fortë, që po punojnë shumë trafikantët si në drogat e lehta që ishte kanabis me origjinë nga Lazarati, po ashtu edhe në drejtim të trafikut të drogave të rënda.

Kanabis vinte nga Lazarati?

Po, vinte nga Lazarati dhe trafikohej në drejtim të Italisë dhe Greqisë, por kryesisht në Itali. E gjithë ngarkesa vinte nga Lazarati, bëhet fjalë për vitin 2013, kur unë u riemërova në detyrë në sektorin e Antidrogës në Fier.

Ishte vetëm një grup?

Jo, ishte një linjë e cila funksiononte shumë mirë për trafikantët dhe ishin disa grupe që funksiononin dhe janë ende të pagoditur dhe me një mbështetje logjistike shumë të fortë, sipas informacioneve që kisha unë dhe kolegët e mi.

Për çfarë fliste konkretisht informacioni juaj?

Fliste për një grup kriminal që transportonte tonelata marijuane nga brigjet detare me gomone, me një gomone të fuqishme, e cila mbahej në Greqi dhe vinte nëpërmjet detit deri në Borsh, në Palasë dhe ku të mundej ngarkohej, nga Llogaraja deri në Borsh, në këtë vijë bregdeti ngarkohej me drogë. Minimumi i ngarkesave ishte 1 dhe 1.2 tonë, por kam pasur të dhëna deri në 1.7 tonë një gomone 12 metra e gjatë.

Po ku merrej droga?

Sipas informacioneve të mia, trafikantët e kishin ngritur punën dhe e transportonin drogën nga Lazarati në Borsh. Pjesën më të madhe të transportit të drogës e bënin nëpërmjet linjës Gjirokastër, Fier, Vlorë nëpërmjet autostradës, por unë kisha të dhëna që e kanë sjellë edhe nga Saranda. Gjirokastër, Sarandë, Vlorë.

Sa shpesh trafikonin në këtë linjë drogë këto grupe kriminale?

Në atë periudhë, nëntor 2013 deri në maj 2015, ku unë isha në detyrë, të fiksuara janë shtatë rrugë. Ky grup ishte i mirorganizuar edhe si logjistikë, edhe si financim.

Ç’përfaqësonte ky grup?

Ky grup përfaqësonte një grup kriminal shumë të fuqishëm, me mbështetje të madhe edhe nga kolegët e mi.

Po thoni se grupi kishte në përbërje dhe ndihmohej nga policia?

Shumë të fortë e të fuqishëm në atë kohë dhe sipas informacioneve të mia, ende edhe sot.

Deri në çfarë niveli ishin të implikuar policët?

Homologu im i Vlorës, në një bisedë që unë kam zhvilluar me të gjatë kohës që isha në Fier, ku i thashë se kam të dhëna se x person, për një person që njihej për drejtuesin e këtij grupi dhe pronarin e mjetit si një nga skafistët me të mëdhenj të Vlorës, që po bën një aktivitet shumë të fortë në drejtim të trafikut. I thashë përse nuk nisni një procedim, të hetoni të bëni diçka, të dhëna mund t’jua jap edhe unë, sa të duash. Dhe ai në mënyrë konfidenciale, pasi deri në atë moment më hiqej si fort si koleg korrekt, ishte kolegu im i drejtpërdrejtë, më thotë: “Do një këshillë personale nga unë? Larg duart nga ky person dhe nga ky grup, mos u merr me këto se e ke të kot”.

Njeri i fortë i botës së krimit?

Po, shumë i fortë. Ai investon shumë dhe është i paarrestuar dhe ende në aktivitet.

Por ju nisët operacionin?

Në momentin kur kam nisur me të dhënat për këtë grup kriminal, më thërret drejtori Ervin Hodaj dhe më thotë ‘dua një informacion pikant që të zhvillojmë një operacion të bukur dhe me rezultat, një goditje të mirë’.

Si i thatë?

I thashë që kam informacion për një grup të madh në Vlorë, që përveç marijuanës po merret edhe me kokainë. Ai ka një linjë që ikën me makinën e tij private nga Vlora në Greqi. Në Greqi ka një mjet gomone me tre motorë me gjatësi 12 metra, me kapacitet deri në 2 tonë ngarkesë. Me këtë mjet vjen në Borsh, ngarkohet dhe zbarkon në Puglia dhe Leçe ku ka zonën e tij të zbarkimit. Por ka pasur kërkesa dhe për më tej. Ka pasur një mjet të fuqishëm dhe dilte edhe me det 5 ballë dhe mund ta dërgonte edhe në Kalabri zbarkimin e mallit. E mbulonte ketë aktivitet me biznes.

Në informacionet tuaja përmendej gjëkundi ky emër, nga burimet e tjera zyrtare apo konfidenciale?

Ky personazh së paku ligjërisht me aq sa unë di nuk është në asnjë biznes. Mund të them se ky është një ndër trafikantët dhe skafistët më të njohur në Vlorë dhe quhet siç e ka shkruar prokurori në aktakuzë, shtetasi A. D. Emri i tij përmendet në materialet e prokurorisë, nuk penalizohet asnjëherë. Madje, prokuroria pretendon se unë kam kryer një veprim arbitrar duke hetuar këtë shtetas jashtë territorit të kompetencës sime. Sipas prokurorisë, nëse unë marr një informacion jashtë Fierit për çështje trafiku, nuk kam të drejtë të hetoj. Në fakt, Ligji për Policinë e Shtetit ngarkon çdo punonjës policie kudo dhe kurdo që është edhe jashtë funksionit, kur vihet në dijeni për një vepër penale apo aktiviteti kriminal të shkruajë menjëherë informacionin dhe nisë menjëherë hetimin ndaj këtij aktiviteti kriminal dhe ta raportojë tek eprorët, siç unë kam vepruar.

Më pas?

Pasi është bindur se kemi të bëjmë me një grup me aktivitet kriminal, Hasrama ka bërë material për në prokurori për të kërkuar hetim të mëtejshëm me metoda speciale për këtë grup dhe ka dërguar kërkesën te Krimet e Rënda. Më thotë ‘kam dërguar dy herë kërkesën te Krimet e Rënda dhe nuk kam marrë asnjëherë përgjigje. Me sa duket lodhemi kot, se Krimet e Rënda nuk duan ta hetojnë këtë grup’. Ky informacion i është përcjellë dy herë qendrës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda në nëntor dhe dhjetor të vitit 2013.

Si vendosët të vepronit?

Në këtë situatë kërkova meqë informacionin e kemi të saktë, burimin gjithashtu të saktë, si për drogën, për qarkullimin e parave dhe njerëzit në grup të veprojmë vetë. Hasrama më thotë se mund të veprojmë vetëm në kushtet e flagrancës.

E ndoqët sërish?

Dy ditë më pas unë mësoj nëpërmjet burimit se grupi kishte një ngarkesë prej një ton drogë në një banesë në bregdetin e fshatit Borsh. Burimi si gjoja shoqërues rastësor i njërit prej anëtarëve të grupit kishte qenë dhe kishte parë ngarkesën në vilën dykatëshe dhe dy persona që e ruanin me armë zjarri kallashnikov gjatë natës.

Ju informoi?

Po, të nesërmen menjëherë. E pyes nëse vijmë mund të verifikojmë cila është banesa? Me thotë që ‘po, mundemi ta bëjmë’. Në këtë kushte, sapo shkoj në zyrë, marr takim me shefin e sektorit, zotin Skënder Hitaj, pak javë i emëruar dhe i them për informacionin që kisha. Më thotë të flasim me drejtorin dhe marrim udhëzimet. Drejtori kishte thënë që të bëjmë verifikimin në terren të banesës, të informojmë qendrën, të vijë dhe Hasrama dhe të bëjmë një operacion të koordinuar me eprorët tanë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe rezultati është i punës së përbashkët.

Si vepruat?

Gjithnjë pas miratimit të drejtorit, shefi i sektorit më dha porosinë e tij, mora një mjet të punës, ishte mjet i sekuestruar, një “Mercedes” që përdorej nga ne me urdhër të prokurorisë, e furnizuam me karburant nga magazinieri i drejtorisë. Kam ardhur në Vlorë, kam marr burimin.

Ndërkohë kam marr urdhër edhe nga qendra, në komunikim të vazhdueshëm më Hasaramën. Dhe nisem gjoja si turist me burimin duke bërë një xhiro deri në Borsh, në plazh. Nga burimi mu bë me dije prezenca e vilës, nuk ndaluam që të mos binim në sy, se sipas burimit, kishte dhe roje të armatosura. Njoftoj Skënder Hitajn dhe Hasramën për verifikimet e bëra.

Çfarë ju thanë eprorët pastaj?

Hasrama më tha nxito ‘shko në zyrë, do të të dërgoj në e mail hartën e fshatit, do më lokalizosh objektin, ma dërgo menjëherë me email dhe veprojmë’. Kam bërë atë që më kërkoi Hasrama, ia dërgova materialin, i raportova dhe me telefon gojarisht edhe shefit të sektorit, duke kërkuar gjithnjë të mos dilte emri im për arsyet që ua isha bërë në dijeni. Në informacionet e dërguara qendrës ka firmosur drejtori Hodaj dhe z. Hasrama. Veprimet u mbyllën rreth orës 12 e gjysmë 13 dhe prisja urdhra konkretë nga eprorët. Asnjë përgjigje deri të nesërmen në drekë, kur më marrin në telefon njëri pas tjetrit Ervin Hasrama dhe Sokol Selfollari, ky i fundit shefi i sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Dhe me thanë se informacioni që unë kisha dhënë 24 orë më parë, ndonëse unë e kisha verifikuar, sipas tyre nuk është i saktë, sepse është ndërhyrë në banesën në fjalë dhe nuk është gjetur lëndë narkotike.Dhe asnjeri. Kërkova shpjegime se si ishte bërë ky operacion që e kishim nisur ne pa na vënë në dijeni dhe bërë pjesë të operacionit.

Si ju shpjeguan?

Sokol Selfollari më thotë se ua kaluam informacionin atyre të Vlorës dhe kanë vepruar ata sot para gjysmë ore dhe thonë se nuk ka gjë. Pra, për 24 orë kur ishte dhënë informacioni. Pra, siç më thanë eprorët e Tiranës, informacioni ishte dhënë po dje, siç dhe kur unë e kisha raportuar, por Drejtoria e Vlorës nuk ishte pasur mundësi të kryente operacionin dhe e kishte lënë për ta kryer të nesërmen, duke lënë të kalojnë 24 orë. E njëjta gjë thotë është, ndonëse unë e çmoj si gabim, sepse nuk besoja te policia e Vlorës.

Ju dyshoni te policia e Vlorës?

Nuk kam për të dyshuar. Homologu im i Vlorës më kishte thënë, shefi i Antidrogës së Vlorës, kur unë ia kërkova që të goditej ky grup, më tha hiq dorë, mos u merr me këtë grup. Ky është fakti i dështimit, pasi sot shefi i Antidrogës së Vlorës bredh me makinë që ia ka bërë dhuratë ky person i këtij grupi. Mua thjesht më thanë se doli bosh. Të gjithë ishin njoftuar, por unë s’e mora me mend se ata do njoftonin Vlorën, sepse ua kisha thënë se Vlora nuk do ta godiste këtë grup.

Ju ku ishit në këtë moment kur po zhvillohej ky operacion?

Kur është kryer ky operacion, unë isha në funksion në zyrë në Fier dhe nuk jam njoftuar fare për veprimet e kryera. Personi dhe vendi ishin jashtë juridiksionit tim, në fshatin Borsh. Ishin vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Vënia në dijeni e Drejtorisë së qarkut Vlorë, sipas meje ka sjellë dështimin e operacionit, sepse është shitur informacioni.

Ju ia bëtë prezente dyshimet tuaja eprorëve?

Po, ua kam bërë, madje i kam thënë edhe në telefon z. Selfollari, ‘ta dija se do ia përcillnit menjëherë Vlorës, nuk do jua bija informacionin, sepse unë e dija se në policinë e Vlorës grupi që ne ndiqnim kishte dhe ka lidhje me policinë’. Çfarë ju tha ai? Ai më tha nuk bën mirë që paragjykon kolegët pa pasur fakte. Po fakti flet vetë i thashë. Ju keni marrë informacionin dhe godisni me 24 orë vonesë.

Po dështonit rregullisht?

U zhgënjeva shumë nga ky dështim. Shkova te shefi i sektorit dhe i thashë. Skënder, informacionet e mia po shiten, nuk e marr vesh nga dalin, pas këtij veprimi që u krye, zoti trafikant është njoftuar me hollësi edhe nga ikën informacioni. Pasi ka vajtur ditën e nesërme në banesën e burimit tim që më jepte informacionin dhe i ka thënë konkretisht që filani, duke përmendur emrin tim, është i informuar mbi aktivitetin tim dhe ti nuk ke bërë mirë që e ke informuar atë për aktivitetin tim. Pasi unë kam tabulatet e atij zotërisë, bëhej fjalë për numrin tim të punës, ku ti e ke marrë në telefon dhe i ke thënë për mua. Subjekti i kishte thënë burimit shikojë këto letra, këto janë tabulatet e Dritan Zaganit, ti i ke dhënë mesazh mbi aktivitetin tim. Nuk e kam problem për 2000 euro që kam blerë këto tabulate, jam gati të jap edhe 2000 euro të tjera dhe t’ju zhduk juve.

U tremb burimi?

Më erdhi i trembur dhe qante se ishte shumë i kërcënuar. Të të vijë një trafikant me të dhënat e një punonjësi policie në dorë?! Unë humba besimin dhe u betova që me këta drejtues të shitur nuk do të jepja më asnjë të dhënë.

Si vepruat?

Vajta te shefi im i sektorit dhe i thashë që informacionet e mia janë shitur dhe po shiten në vazhdimësi. Shefi më thotë që ti ia ke kaluar drejtorit dhe ata ishin kaluar me email, ndiqej gjithnjë procedura.

E njoftoi drejtorin?

Po, shkoi shefi të drejtori dhe unë ndërkohë e prita te dera dhe kur doli, më thotë se ‘drejtori ndihej i fyer, mos kujtoni se ia kam shitur unë?! I thashë s’e dimë por Zagani më thotë se janë shitur rregullisht, atëherë më thotë të vazhdojë me qendrën’. Ndërkohë më thërret në zyrë z. Arben Janaqi, nëndrejtori, që ishte dhe përgjegjësi për linjën e Antikrimit në drejtori sipas organikës.

Përse ju thirri?

Për një verifikim, sipas meje në kuadrin e SHKB, por rutinë. E vura në dijeni dhe atë për problemin për shitjen e informacioneve “më shkojnë tabulatet te trafikantët”. Ai ngritit supet dhe më tha s’di çfarë të të thotë vëllai.

Po punonit kot, si vazhduat?

Në këto kushte, në bashkëpunim me shefin e sektorit, që ka qenë dhe është sipas meje shumë korrekt, jam i bindur për këtë, fola me të dhe tha të punojmë. I them të bëjmë ndonjë goditje, ose kështu s’kemi pse punojmë. Çdo info që merrja nëpërmjet telefonit, informacioni përfundonte te subjektet që ndiqnim dhe më linte të kuptoja se çdo gjë që po hetoja shitej.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY