Edi Rama nuk është baba politik i Kosovës

Edi Rama nuk është baba politik i Kosovës

98
0
Shares

Nga Mentor Gjergjaj

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nuk ka kompetencë për të diskutuar e as për të negociuar me kryeministrin serb, Aleksandar Vucic, raportet etnike mes Kosovës dhe Serbisë. Analistët kosovarë theksojnë se a i as nuk guxon të sillet si ‘baba politik’ i Kosovës, pasi vendi ynë është shtet dhe territor i pavarur. Por, Ramës i ka reaguar edhe Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi duke thënë se normalizimi i raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe Serbisë, kalon vetëm nëpërmjet Prishtinës

Takimet e Edi Ramës me homologun e tij serb Aleksandar Vucic dhe prononcimet e fundit për Autostradën Nish –Durrës, të cilën Rama e ka quajtur “Rruga e Paqes”, edhe pse pjesa që kalon në territorin e Kosovës mbanë emrin Ibrahim Rugova, kanë nxitur reagime në Kosovë.

Ndërkohë me debatin televiziv Rama-Vucic, ku është folur edhe për Kosovën, ka mbetur i hidhëruar edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Tirana nuk i zgjidh problemet e Serbisë me shqiptarët, por Prishtina.

Publicisti Halil Matoshi thotë se për Kosovën dhe popullin e saj Serbia mund të diskutoj e të negociojë vetëm me Prishtinën zyrtare, ndërsa Rama e Vucic mes veti mund të flasin vetëm për “top futbolli” apo “ndërtim hotelesh në Durrës”, e pazare tjera ditore.

Ai ua kujton dy kryeministrave se me faktin se Kosova tashmë është e pavarur, Shqipëria dhe Serbia më nuk janë fqinje me njëra tjetrën, e sipas Matoshit, për aq kohë sa ishin të tilla, të dy këto vende u ushqyen me gjakun e shqiptarëve të Kosovës.

“Serbia dhe Shqipëria nuk janë fqinj. Kosova shtet i pavarur asht mes tyre. Me ose pa dashjen e tyre. Serbia dhe Shqipëria kanë qenë fqinj plot 100 vjet dhe “fqinjësinë” e tyre e kanë mbajtur duke e ushqye me gjakun e shqiptarëve të Kosovës. E, sot fatmirësisht Kosova është e barabartë me të dyja këto shtete ballkanike dhe jo më “monedhë kusuritjeje” mes tyre. Kush e do të barabartë Kosova ia shtrinë dorën vëllazërisht, e kush nuk e do të barabartë le ta thyej qafen në inatet e veta te vjetra… Kosova ka nevojë për mbështetjen e Tiranës zyrtare në afirmimin e pavarësisë së saj kombëtare e jo për paternalizma, për “baballarë” e kujdestari. Kosova është njësi e rritur dhe fakt i marrëdhënieve ndërkombëtare Lëreni të qete!”, ka thënë për Gazetën Express, analisti Halil Matoshi, duke komentuar debatin e fundit Rama-Vucic .

Gjatë këtij debati, dy kryeministrat folën edhe për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve dhe u tha se kurrë nuk është vonë për tu marrë një veprim i tillë në të mirë të dy etnive.

E se për këtë pjesë nuk duhet diskutuar Rama me Vucicin, pajtohet edhe analisti tjetër kosovar, Lumir Abdixhiku. Ai thotë se Edi Rama e as Shqipëria nuk kanë të drejtë të flasin për pajtueshmëri serbo-shqiptare në Kosovë duke injoruar mendimin e pëlqimin dhe rrjedhimisht ekzistencën e shqiptarëve të Kosovës.

“Rama nuk ka as autorizim, as kredibilitet e as të drejtë të falë, flasë e pajtohet për Kosovën; as për të ardhmen, as për të tashmen e edhe më pak për të shkuarën shqiptaro-serbe në Kosovë. Kosova është Republikë, shtet në vete. Ka të zot të vet, popullin e vet, dhe nëse ka për të falë e pajtuar diçka, mund ta bëjë vet. As edhe gjë prej gjëje me çka pajtohet Rama e Vuçiq nuk ka rendësi këndej – hiç”, ka shkruar Abdixhiku të hënën në një shkrim të tij publikuar në Facebook.

Shtrimi i çështjes së Kosovës si problem në mes të Tiranës e Beogradit është tezë e promovuar në Serbi, kohë më parë, formë e mohimit të Republikës së Kosovës, ka shtuar tutje drejtori i institutit ‘RiInvest’, Lumir Abdixhiku.

Nga ana tjetër, të njëjtin mëndim e ka edhe Halil Matoshi i cili edhe tregon për fillet e idesë se Shqipëria e Serbia duhet biseduar me njëra tjetrën për Kosovën.

“Teza se për Kosovën duhet biseduar me Tiranën zyrtare është e Dobrica Qosiqit (“O razgranicenju s’Albanijom” – “Mbi përkufizimin me Shqipërinë”, mirëpo së fundi e kanë përdor edhe Boris Tadic e Ivica Dacic… Kësaj i thonë: “Me ba pazar pa hangjine”!”, tha Matoshi për Gazetën Express.

“Tirana dhe Beogradi nuk kanë kurrfarë kontesti territorial sepse Kosova nuk është tokë e askujt e të cilën dikush e kupton si hise të babës për ta ndarë pastaj me dikë tjetër”, përfundon analisti kosovar.

Kryeministri shqiptarë, Edi Rama dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vucic pothuajse në çdo takim të tyre kanë diskutuar për çështjen e Kosovës. Në mes tjerash, Rama disa herë i ka kërkuar Vucicit që Serbia ta njohë realitetin e ri për Kosovën, e një gjë të tillë e ka bërë edhe gjatë vizitës së tij, fundvitin e kaluar, në Beograd. Përderisa Vucic menjëherë iu është kundërpërgjigjur se diçka e tillë kurrë nuk do të ndodhë, pasi Kosova është pjesë e pandashme e territorit serb.
(GazetaExpress)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY