Si një kundërpërgjigje ndaj deklaratës së dy ditëve më parë, të ministrit shqiptar të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, gazeta gjermane “Der Spiegel”, publikon numrin e emigrantëve që kanë kërkuar azil në Gjermani, gjatë këtij viti. Ndërsa për ministrin shqiptar numri i daljeve këtë vit nga kufijtë shqiptarë nuk korrespondon me atë servirur nga autoritet gjermane, për gazetën gjermane ky numër shqiptarësh, azilkërkues, vetëm për këtë vit arrin në rreth 30 mijë persona.
Me titull “Emigracioni në masë: Çfarë po e udhëheq eksodin e Ballkanit?”, gazeta gjermane “Der Spiegel” publikon një hartë me numrin e emigrantëve nga secili shtet i Ballkanit, që kanë hyrë në Gjermani gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2015 dhe kanë aplikuar për azil.
Në këtë hartë, sipas edhe numërimit “gabim” të kësaj gazete, shihet se shtetas shqiptarë që kërkojnë azil në Gjermani për periudhën 1 Janar- 31 Korrik, janë 29.353. Duket se shqiptarët e Kosovës përbëjnë një numër më të madh, pikërisht 29.997 persona. Nga Maqedonia, për të njëjtën periudhë kohore, kanë kërkuar azil në Gjermani 5.514 shtetas. Ndërsa nga Serbia 11.642 shtetas dhe nga Bosnje-Hercegovina, 2.981 shtetas.
Sipas medias gjermane, 7.500 shtetas shqiptarë aplikuan për azil vetëm në Korrik. Ndërsa vjet, janë paraqitur gjatë gjithë vitit vetëm rreth 8.000 aplikime. Pas sirianëve dhe kosovarëve, shqiptarët janë bërë grupi i tretë më i madh i azilkërkuesve në Gjermani
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/